Në Kukës bllokohen automjetet, në Pukë policia shpreh rrezikun e ortekëve
Situata e rënduar nga reshjet e borës ka vazhduar dhe ditën e djeshme në Veriun e vendit. Rasti më i rëndë është shënuar në aksin rrugor Shën Mëri-Qafë Shllak të Kukësit, ku për disa orë më radhë kanë mbetur të bllokuara një numri i madh makinash. Mësohet se vargu ka shkuar në rreth 1 km dhe se mes mjeteve të bllokuara kanë qenë dhe 5 të ardhur nga Kosova, si dhe një numër i madh mjetesh të vogla, në të cilën ndodheshin fëmijë dhe gra, si dhe mjete të tonazhit të rëndë, të cilat e kanë vështirësuar më shumë qarkullimin. Në vendngjarje kanë shkuar grupe policësh, të cilët janë munduar të stabilizojnë situatën, por kjo gjë ka qenë shumë e vështirë për shkak se reshjet e dëborës vazhdonin të binin. Mësohet se trashësia e borës në të dyja anët e rrugës arrinte rreth 40-50 cm, ndërsa rruga ka qenë e mbuluar me akull. Nga polica vendore bëhet e ditur se bllokimi i qarkullimit ka ardhur si shkak i disa automjeteve të tonazhit të rëndë si dhe mjeteve të tjera, të cilat nuk kanë qenë të pajisura me zinxhirë.
Puka, rrezik ortekësh
Policia e Pukës u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të mos lëvizin në drejtim të Veriut, pasi zona e Pukës është shumë e rrezikshme. Shkak për këtë rrezik është bërë një ortek që ka bllokuar Qafën e Malit. Sipas policisë, komuna Iballë është e izoluar tërësisht nga bora, ndërsa mësohet se në këtë komunë dhe në komunat Fierzë e Blerim mungon energjia elektrike prej 48 orësh. Policia sqaron se në këto zona trashësia e borës ka arritur në 50 metra edhe pse mjetet borëpastruese janë angazhuar në pastrimin e rrugëve. Si pasojë e situatës së rënduar policia u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të anulojnë udhëtimet drejt veriut, pasi rrezikshmëria është e lartë.
Gjirokastra ngre grupin e emergjencave
Edhe pse deri tani, sipas Policisë së qarkut Gjirokastër, nuk ka pasur asnjë problem në qarkullimin e automjeteve, në këtë qytet është ngritur grupi i emergjencës. “Përsa i përket situatës si pasojë e motit të keq, ku në zonat malore të qarkut Gjirokastër kanë nisur reshjet e dëborës, deri në këto momente s’kemi asnjë rrugë rurale apo malore të bllokuar. Në Drejtorinë e Policisë së Qarkut është ngritur grupi i emergjencës i drejtuar nga zv.drejtori i Policisë, i cili funksionon duke rakorduar veprimet edhe me grupin e emergjencave të Prefekturës, si dhe të gjithë inspektorët e Policisë së zonave kanë marrë kontakte të vazhdueshme me kryetarët e komunave dhe kryepleqtë e fshatrave për marrjen e informacionit të nevojshëm me qëllim marrjen e masave të mëtejshme”, - thuhet në njoftimin e Policisë së këtij qarku.
Akset e bllokuara ose ku nevojiten zinxhirë
Uniformat blu bëjnë të ditur se akulli ka vështirësuar lëvizjen e mjeteve në disa akse rrugore si Morinë-Kukës - Qafë-Shllak, Kukës - Shishtavec, Kukës - Bushtricë, Krumë - Kukës, Krumë – Qafë-Prush. Rrugët janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Policia paralajmëron qytetarët në këto zona që të evitojnë lëvizjet e panevojshme drejt Tiranës, ndërsa shoferët të pajisin mjetet e tyre me zinxhirë. Në Kukës janë ende të bllokuara komunat Gryk Caj, Zapod, Arrën, Kalis, Gjinaj (e rrethit të Hasit) dhe Lekbibaj (e rrethit të Tropojës). Ndërsa në Dibër, Shtabi i emergjencave, konfirmon se janë të bllokuara fshatrat në komunat e Kalasë së Dodës, së Lurës dhe të Tominit. Në Bulqizë janë të bllokuara fshatrat në komunat Ostren, Zercan, Krastë, Selishtë dhe Trebishtë, ndërsa në Mat është e bllokuar komuna Xibër. Situatë më e qetë duket në juglindje të vendit, ku në deri tani nuk ka pasur asnjë bllokim rruge, por policia këshillon që edhe në këto zona shoferët të përdorin zinxhirë.
Shqiptari masakron me thikë në fytyrë të dashurën
ITALI - Policia italiane shpalli në kërkim një 26-vjeçar nga Shqipëria, i akuzuar se i ka shkaktuar dëmtime trupore të dashurës së tij italiane. Vajza 19 vjeçe është ish-e dashura e shqiptarit, i cili akuzohet se e ka rrahur barbarisht të dëmtuarën për arsye xhelozie. Adoleshentja italiane dëshmoi në polici së i dashuri i saj shqiptar e ka kërcënuar me thikë, madje i ka vënë armën në kokë për shkak të xhelozisë. Në momentin e denoncimit, policia tha se konstatoi shenja të dukshme dhune në trupin e 19-vjeçares. Dhuna ka ardhur pasi marrëdhëniet mes shqiptarit dhe vajzës italiane u përkeqësuan për shkak të xhelozisë kryesisht nga 26-vjeçari. Skena e fundit e dhunës mësohet se ka ndodhur në një kohë kur shqiptari e takoi vajzën në prani të disa bashkëkombësve të tij. Vajza u godit disa herë me thikë në fytyrë, ndërsa u qëllua edhe me armë në kokë. Agjentët që shkuan në vendin e ngjarjes thanë se vajza ishte shëmtuar në fytyrë nga të çarat me thikë. Agresori u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia tha se e ka shpallur në kërkim. Emri i personit ende nuk është bërë i ditur.
Zhduket 13-vjeçarja, rrjedha e lumit e rrëzon nga kali
VLORË - Një vajzë e mitur është zhdukur ditën e djeshme dhe dyshohet të jetë mbytur pasi rrjedha e lumit që po kalonte me kalë, bashkë me vëllanë, e hodhi poshtë duke i shkaktuar mbytjen. Të gjitha përpjekjet e vëllait dy vjet më të madh dhe ndihma që u përpoq të kërkonte nuk dhanë rezultat. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Gjormë të rrethit Vlorë. Dy fëmijët, E. M., 13 vjeçe dhe vëllai i saj 15-vjeçar, kishin hipur mbi një kalë dhe po shkonin për në shtëpi. Në një moment kur po kalonin disa metra të lumit Shushicë, në mungesë të urës, kali është trembur nga pjesa e rrëmbyeshme e ujit dhe ka hedhur fëmijët në ujë. Si rezultat dy fëmijët janë rrezikuar shumë dhe një prej tyre, vajza 13-vjeçare nuk ka arritur të dalë nga lumi pasi rrjedha e ka marrë me vete dhe gjasat janë të jetë mbytur. Ndërkohë, vëllai i saj 15-vjeçar ka arritur të shpëtojë. Një grup policor ka shkuar në vendngjarje dhe tha se po përpiqet të gjejë të miturën që dyshohet se është mbytur. Kërkimet vazhduan disa minuta, ndërsa pritet të rifillojnë vetëm pasi të zbardhë dita. Policia tha se po heton rrethanat në të cilat ndodhi mbytja e së miturës dhe dinamikën e minutave fatale.
21 Dhjetor 2009