E Diel, 1 Nëntor 2026

Masat e marra nga policia për festat e fundvitit, shtohen sportelet në kufij

GJIROKASTËR - Policia e Gjirokastrës merr masa për përballimin e fluksit të emigrantëve. Në një njoftim të kësaj policie thuhet: “Me rastin e festave të fundvitit, Drejtoria e Policisë së qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër kanë hartuar një plan të përbashkët për marrjen e masave për të përballuar fluksin e emigrantëve që do të vijnë për festat e fundvitit, rritjen e sigurisë në rrugë, parandalimin e aksidenteve, rritjen e masave në drejtim të goditjes së trafiqeve të paligjshme që mund të zhvillohen në pikat e kalimit apo në kufirin e gjelbër duke përfituar nga fluksi i emigrantëve”. Në këtë kuadër, Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionin Gjirokastër, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore emigrantëve, shmangien e radhëve të gjata dhe përpunimin në kohë reale, ka shtuar sportelet e përpunimit të dokumenteve të shtetasve dhe të automjeteve nga 3 që ishin në hyrje janë bërë 10, si dhe nga 3 në dalje janë bërë 5, ku në rast se fluksi do të jetë i papërballueshëm me këto kapacitete do ketë të tjera shtesa në sportele dhe efektiva. Njëkohësisht, në funksion të këtyre masave, nga Drejtoria Rajonale e Kufirit është marrë takim me palën greke që edhe ata të marrin masa që të ketë lëvizje të njëtrajtshme, duke bërë të mundur eliminimin e radhëve të gjata, ku si rezultat i këtyre takimeve është premtuar nga pala greke se do të ketë të njëjtin angazhim për ketë qëllim.

Vjedhin një pikë bastesh, pranga 3 autorëve

KORÇË – Tre persona të pajisur me maska dhe me armë kanë vjedhur një sasi prej 120 000 lekësh në pikën e loto-sport “Bet 07” në qytetin e Korçës. Lajmi bëhet nga policia e këtij qyteti, sipas së cilës, nga veprimet e kryera procedurale rreth ngjarjes është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të saj. Ata janë Ledion Metollari, 27 vjeç, Gjergji Grazhdani, 24 vjeç dhe Fatjon Karafili, 25 vjeç, që të tre lindur dhe banues në Korçë. Gjatë arrestimit të tyre u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i një automjeti me targë KO 0661 B, i përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe sasia e vjedhur prej 120 000 lekësh, së bashku me një pistoletë dhe një sasi lënde narkotike e llojit Cannabis sativa. Personat e lartpërmendur akuzohen për veprën penale të “vjedhjes me armë, e kryer në bashkëpunim”, “prodhim dhe mbajtje e armëve e municioneve luftarake pa leje kryer në bashkëpunim” si dhe “prodhim dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim“, vepra penale të parashikuara këto nga nenet 140 e 25, 278/25 dhe 283 të Kodit Penal.

21 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›