E Shtunë, 31 Tetor 2026

AMC ul tarifat për abonentët ALBAKARTA

 

Duke filluar nga 15 shtatori 2009, AMC ul tarifat për abonentët e saj ALBAKARTA. Të gjithë këta abonentë përfitojnë ulje deri në 51% për telefonatat brenda rrjetit AMC. Telefonatat e abonentëve ALBAKARTA drejt operatorëve të tjerë celularë bëhen deri 28% më të lira, ndërsa tarifat drejt numrave fiks ulen deri në 38%. Kur bëjnë një telefonatë brenda rrjetit AMC, abonentët ALBAKARTA flasin me 24.5 lekë gjatë minutës së parë. Më pas tarifa ulet në 12 lekë për minutë gjatë minutës së dytë. Dhe, pas minutës së dytë e në vazhdim, abonentët paguajnë vetëm 5.9 lekë/minutë. ALBAKARTA është paketa e parë me parapagesë në tregun shqiptar. Abonentët ALBAKARTA e kanë treguar besnikërinë e tyre ndaj AMC përgjatë nëntë viteve. AMC ka ofruar oferta dhe bonuse të panumërt. Kjo është ulja e dytë e madhe e tarifave të ALBAKARTA. Një vit më parë tarifat ALBAKARTA u ulën deri 45%; dhe aktualisht ulen deri në 51%. Koha minimale e bisedës për abonentët ALBAKARTA është 15 sekonda. Më pas tarifimi bëhet për sekondë. Kjo mënyrë është e leverdishme si për ata që bëjnë telefona të shkurtra, edhe për ata që preferojnë telefonata të gjata. Shembulli i mëposhtëm i një telefonate 3 minutëshe e ilustron më së miri uljen e tarifave. Një telefonatë 3 minuta drejt çdo numri AMC kushton 42.4 lekë (ishte 63.9 lekë - ulje 34%). Një telefonatë 3 minuta drejt operatorëve të tjerë celularë kushton 60 lekë (ishte 78.4 lekë - ulje 20%). Një telefonatë 3 minuta drejt operatorëve fiks kushton 37.7 lekë (ishte 58.6 lekë - ulje 40%).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›