“Suksese qeverisë, mos luani me minoritetin”
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule ka deklaruar se zgjedhjet e 28 qershorit nuk sollën standardet e kërkuara nga BE-ja. “Dëshiroj t’i uroj suksese kabinetit të ri qeveritar, por dëshiroj ta nis aty ku u lamë, vijmë këtu në Kuvend pas një hallke tjetër në zinxhirin e shanseve të humbura për sa i përket realizimit të zgjedhjeve në këtë vend. Për këtë PS dhe PD duhet të kërkojnë falje për sistemin e ri e ofruar, duke na dhënë garanci maksimale për zgjedhje të lira dhe të barabarta”, tha Dule. Kreu i PBDNJ-së është fokusuar në raport me minoritetin, duke kërkuar që mos luhet me të nga ana e Qeverisë. “Do mbështesim çdo politikë që synon rritjen e përfaqësimit të pjesëtarëve të minoritet në administratë, veçse ne nuk duam së pari një përfaqësim, i cili ka karakter dekorativ. Ato nuk mund të jenë elemente dekorative, së dyti, pjesëmarrja në administratë nuk mund të jetë si shpërblim i shërbimeve të ndryshme që mund t’i bëjnë njërës apo tjetrës parti dhe nuk mund të përdoret për pro-servilizëm partiak”, tha Dule.