Kontrolli i Shtetit: Qeveria 40 milionë dollarë abuzime
Fabiola Çela
Rreth 40 milionë dollarë është dëmi që i është shkaktuar arkës së shtetit si pasojë e shkeljeve që janë kryer nga punonjësit e administratës shtetërore. Dëmet më të mëdha janë shkaktuar në tatime dhe dogana. Ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë kaluar në sitën e tyre të gjitha institucionet shtetërore ku kanë konstatuar dëme të konsiderueshme.
Raporti
Për 6-mujorin e parë të vitit 2009, Kontrolli i Lartë i Shtetit nga 78 kontrolle të planifikuar për evadim, në fakt ka ushtruar dhe ka vijuar me përgatitjen e materialeve për 161 kontrolle, nga të cilat 85 janë të përfunduar e të evaduar, 35 janë të përfunduar si proces kontrolli në subjekt, por të paevaduar si dhe 41 janë në proces kontrolli. Nga kontrollet e ushtruar gjatë kësaj periudhe janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 3.5 miliardë lekë. Ky dëm efektiv i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2007-2008 dhe 3-mujorit të parë të vitit 2009.
Dëmet
Në total vlera më e lartë e dëmit të shkaktuar nga shkeljet e ligjit janë në degën e tatim-taksave, ku dëmi arrin në 2 miliardë lekë. Këto dëme janë shkaktuar si detyrime tatimore dhe penalitete për tatim-fitim dhe për TVSH, si edhe mosaplikim të gjobave për mosdorëzimin në afat të bilancit financiar. Dëme ka patur edhe në komunat Bërxullë, Tiranë dhe Rrashbull, Durrës, si pasojë e mospagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë dhe për moskryerjen e ndalesave të tatimit mbi të ardhurat personale. Ndërsa në komunën Petrelë, Tiranë, dëmi arrin në vlerën 3.004.000 lekë nga mosaplikimi korrekt i kostos së ndërtimit në raport me sipërfaqen e ndërtimit nga Enti Kombëtar i Banesave për rrethin e Tiranës. Në fushën e dhënies me qira të pasurisë shtetërore dëmi arrin në 561.5 milionë lekë. Si pasojë e detyrimeve doganore të papaguara dëmi në dogana arrin në 299.5 milionë lekë. Sipas raportit të KLSH-së, si pasojë e dhënies së pagave shpërblim në mënyrë të pamerituar, arkës së shtetit i është shkaktuar një dëm prej 2.1 milionë lekë.
Masat
Për parregullsitë dhe shkeljet financiare me dëm ekonomik në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera, të pasqyruara në raportet e kontrollit të evaduar gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, në shumën e përgjithshme prej 3.534.778.000 lekë, KLSH-ja ka rekomanduar zhdëmtimin e dëmit të shkaktuar në masën 100% të tij.
Gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, nga ana e KLSH-së janë bërë 6 kallëzime penale për Agjencinë Rajonale të Shërbimit Tatimor, Durrës; Agjencinë Rajonale të Shërbimit Tatimor, Fier; Agjencinë Rajonale të Shërbimit Tatimor, Korçë; komunën Rrashbull, Durrës; komunën Luz i Vogël, Kavajë; Drejtorinë e Shërbimit Pyjor, Lezhë.
Dëmet
3 534 778 000 lekë dëmi i shkaktuar nga shkeljet financiare
2 089 968 000 lekë dëmi në tatim-taksa
561 508 000 lekë dëmi në fushën e shitjes dhe dhënien me qira të pasurisë shtetërore
299 494 000 lekë dëmi i shkaktuar nga doganat
165 901 000 lekë dëmi i shkaktuar në fushën e prokurimeve
6 794 000 lekë dëmi i shkaktuar në fushën e sistemit të pagave
11 171 000 lekë dëmi i shkaktuar në fushën e shpenzimeve operative
2 153 000 lekë dëmi i shkaktuar në fushën e shpërblimeve
397 789 000 lekë dëme si pasojë e shkeljes së disiplinës financiare