“Shëndetësia, prioritet madhor i qeverisë”
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili konfirmoi të mërkurën në mbrëmje në Kuvend se për herë të parë në programin qeverisës 2009-2013 sektori shëndetësor është prioritet madhor. “Shëndetësia si kurrë më parë vjen me fokusimin e saj si prioritet madhor e politik, i artikuluar qartazi dhe pa ekuivok dhe nga Kryeministri Sali Berisha”, tha ministri Vasili gjatë debatit në Parlament mbi programin e qeverisë së re. Ai vuri në dukje se në mandatin e ardhshëm reformat në shëndetësinë shqiptare do të mbështeten mbi katër shtylla “mbrojtja dhe përmirësimi i shëndetit të popullatës, përmes shërbimeve të arritshme dhe të barabarta për të gjithë, realizimi i sistemit shëndetësor cilësisht të ri, shërbimi me standardet e BE-së dhe reformimi i mekanizmave dhe instrumenteve financiarë që mbështesin dhe sigurojnë uljen e kostove në rritje të sistemit shëndetësor”. Petrit Vasili është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Mjekësisë. Ka ndjekur studimet pasuniversitare në Itali. Nga viti 1983-1988 ka punuar si punonjës shkencor në Institutin e Shëndetit Publik. Nga viti 1988-1991, ka kryer specializim pasuniversitar në Romë (Itali). Nga viti 1991-1992 ka punuar si punonjës shkencor në Institutin e Higjienës. Në vitin 1992 ka qenë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtar i Komisionit të Shëndetësisë të PS-së nga viti 1993 deri në vitin 1997 dhe nga viti 2001-2003 ka qenë zv/ministër i Shëndetësisë.