E Shtunë, 31 Tetor 2026

HEC-et, vazhdon prodhimi, nuk ka shkarkime

Hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës tashmë po punojnë në një situatë krejt të qetë. Aty nga ku erdhi pak ditë më parë rreziku i përhapjes së hartës së përmbytjeve, tashmë mbretëron qetësia. HEC-et punojnë normalisht duke prodhuar në nivele të konsiderueshme për periudhën. Burime zyrtare pranë KESH bënë me dije dje se prodhimi vazhdon dhe është rreth kuotave 23-14 milionë kv/orë. Ndërsa prurjet janë në nivele normale, ajo çka grumbullohet tepër kthehet në energji. Kështu që ende nuk ka lindur nevoja për t’iu rikthyer shkarkimeve nga HEC-et. Sipas KESH-it, dje niveli në liqenin e Fierzës ka qenë rreth 289.80 metra. Fierza tanimë është kthyer në normalitet, ajo nuk përbën asnjë rrezik pasi prurjet në të janë normale për periudhën, pasi pika maksimale e saj është 296 metra. Prurjet në këtë ujëmbledhës janë 300 metër kub për sekondë. Në liqenin e Komanit situata është po ashtu e qetë, ku niveli i tij është në kuotën e 170.6 metra, ndërsa prurjet në këtë HEC kanë qenë 130 metra kub për sekondë. Ndërkohë, në liqenin e Vaut të Dejës prurjet janë 90 metra kub për sekondë, ndërsa niveli i këtij HEC-i është 74.4 metra.
Burime zyrtare në KESH bëjnë me dije se edhe për disa ditë do të vazhdohet të prodhohet në këto kuota, pasi prurjet duket se do të kenë të njëjtin nivel. Sipas meteorologëve, temperaturat në këto ditë do të vazhdojnë të jenë në të ulëta, çka do të thotë se edhe nëse ka reshje dëbore në zonat rreth ujëmbledhësve të HEC-eve, ato nuk do të mund të shkrijnë këto kohë, duke mos rritur kështu nivelin e prurjeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›