Ngjela: ”Kryeprokurorja të ndjekë penalisht kryebashkiakun e Himarës, Bollano”
Deputeti Spartak Ngjela ka reaguar ditën e djeshme në Kuvend mbi ngjarjet e ndodhura në Himarë gjatë vizitës së zëvendësministrit të Jashtëm grek. Ngjela ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, si një bandit që po tallet me simbolet kombëtare shqiptare. Deputeti Ngjela ka kërkuar nga kryeprokurorja Ina Rama që të hapë një proces penal ndaj Vasil Bollanos, pasi sipas tij, ai ka thyer ligjet e shtetit shqiptar. Sipas Ngjelës, në këtë histori duhet të ndërhyjë presidenti i vendit, Bamir Topi. “I kërkoj presidentit që të vendosë nderin në vend”, - tha Ngjela. Më tej Spartak Ngjela ka akuzuar kryetarin e Bashkisë, Bollano, si një provokator. “Nuk lejojnë asnjë investim në Himarë. E kam investiguar vetë. Në sajtin e tyre shprehen shqiptarët jashtë Himarës. Kjo domethënë shqiptarët jashtë Shqipërisë”, - tha Ngjela. Akuzat e deputetit kanë vazhduar më tej. Ai i ka cilësuar këto përpjekje si antikombëtare dhe që po thyejnë kombin në tërësi. “Është përhapur ideja sikur ortodoksët janë grekë. Kjo nuk është e vërtetë dhe është turp. Ortodoksët shqiptarë kanë qenë shpirti i Rilindjes”, - vazhdoi më tej Ngjela. Akuzat e deputetit Spartak Ngjela kanë vazhduar edhe më tej ndaj kësaj ngjarjeje, që sipas tij përsëritet shpesh në Shqipëri. Në fund të fjalës së tij deputeti Ngjela u duartrokit nga deputetët e pranishëm në sallën e Kuvendit. Pak ditë më parë Himara u vizitua nga zëvendësministri i Jashtëm grek, ku në një takim të zhvilluar me banorët e Himarës u hodhën parulla antishqiptare dhe për autonomi. Ndërkohë, Ministria e Jashtme Greke ka bërë disa deklarata jokorrekte lidhur me shtrirjen e minoritetit grek në Jugun e Shqipërisë. Pas vizitës së zëvendësministrit grek, Theodhoros Kasimis në Shqipëri, Ministria e Jashtme Greke bëri një deklaratë ku thuhet se zyrtari i lartë grek zhvilloi një vizitë zyrtare në fshatrat minoritare greke të Shqipërisë së Jugut, duke renditur si të tilla Nartën, Himarën, Sarandën, Livadhjanë, Mesopotamin, Gjirokastrën, Derviçanin dhe Korçën. Sipas Ministrisë së Jashtme Greke, në këtë vizite Kasimis ftoi minoritarët të jenë të bashkuar dhe të fillojnë kthimin strategjik të të rinjve në tokat e tyre të lashta, pasi ky do të jetë aksi kryesor për një të ardhme të mirë të grekëve në këto territore. Ai ftoi anëtarët e OMONIA-s të kenë një zë të bashkuar në komunitetin vendas. Ministria e Jashtme citon zëvendësministrin të ketë kërkuar “një prani të madhe dhe të fuqishme këtu dhe jo disa grupe të vogla të shpërndara”. Kasimis premtoi zgjidhjen e disa prej shqetësimeve të minoritarëve grekë në këto zona, si shtimi i mësuesve në shkollat greke të minoritetit, sigurimet shëndetësore dhe dhënia e pensioneve për këta banorë. Po sipas deklaratës së Ministrisë greke, Kasimis falënderoi kryeministrin shqiptar Sali Berisha, i cili lejoi pajisjen e shkollave greke në Shqipëri me tekste të shtypura në Greqi.
15 Prill 2008