E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri i Vasilit: “Për gjendjen e të sëmurëve do të flasë vetëm mjeku kurues”



Jonida Tashi

Duke filluar që nga dita e sotme, për gjendjen shëndetësore të pacientëve të shtruar në spitale do të flasë vetëm mjeku kurues, ose në mungesë të tij, shefi i shërbimit. Ky është urdhri i ri, që ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, u ka dërguar drejtorive të institucioneve spitalore në të gjithë vendin, për komunikimin me të sëmurin që mjekohet në spital. “Kjo është një masë e rëndësishme që i intereson të gjithëve pa përjashtim. Komunikimet tona për sëmundjet janë konfidenciale dhe nuk mund të jenë objekt i diskutimit të askujt tjetër, përveç atyre që janë të interesuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Njëkohësisht kjo është dhe një normë europiane dhe kështu ndodh në çdo spital të Europës dhe përfundimisht ndahemi nga disa praktika primitive”,- u shpreh Vasili. Urdhri “Për komunikimin me të sëmurin që mjekohet në spital”, është publikuar dje nga Ministria e Shëndetësisë. Mbështetur në pikën 4, të nenin 102, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjin nr.10107, datë 30.03.2009 “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në zbatim të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë, ministri Vasili urdhëron që komunikimi me të sëmurin që mjekohet në spital apo familjarët e tij, në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore, të bëhet vetëm nga mjeku kurues apo shefi i shërbimit. “Gjithë personeli tjetër mjekësor, për probleme që lidhen me gjendjen shëndetësore të të sëmurit, do të komunikojë vetëm me mjekun kurues, shefin e shërbimit ose në mbledhjen e stafit”,- shkruhet në urdhër. Ndërkaq, ministri Vasili ka parashikuar edhe masat administrative që do të merren për mos zbatimin e këtij urdhri, të cilat do të arrijnë deri në pushim nga puna.
Recetat
Në të njëjtën ditë me urdhrin e ri “Për komunikimin me të sëmurin që mjekohet në spital”, Drejtoria e Përgjithshme e Politikave dhe Planifikimit në Ministrinë e Shëndetësisë, që drejtohet nga infeksionisti Pëllumb Pipero, ka nxjerrë një shkresë të posaçme, nëpërmjet të cilës, u tërheq vëmendjen spitaleve, për lëshimin e recetave për medikamente që nuk janë pjesë e listës së barnave të aprovuara për përdorim spitalor. Në urdhrin e ministrit të Shëndetësisë nr.177, datë 02.04.2010 “Për lëshimin e recetave kur sugjerohen medikamente që nuk janë pjesë e listës së barnave të aprovuara për përdorim spitalor”, përcaktohet se për personat e shtruar në spital, ndalohet lëshimi i recetës për të blerë medikamente në rrjetin e hapur farmaceutik, pa firmën e shefit të shërbimit, receta do të lëshohet vetëm për raste që kanë indikacion absolut për mjekimin e pacientit, duke përshkruar principin aktiv të medikamentit, si dhe ndalohet orientimi drejt farmacive të selektuara, për blerje të medikamenteve. “Duke marrë shkas nga monitorimi i zbatimit të urdhrit, ku rezulton se shihen raste të mos zbatimit të tij, tërheqim vëmendjen për zbatimin me rigorozitet të urdhrit. Për mos zbatim të urdhrit, për personat përgjegjës, drejtoritë e spitaleve, të ndërmarrin masa administrative, siç parashikohen në aktet ligjore”,- thuhet në shkresën që mban firmën e Pëllumb Piperos.
Ilaçet
Pak kohë më parë, ministri i Shëndetësisë vendosi që pacientët t’i marrin barnat në spital, dhe jo më në farmacitë përreth tyre. Sipas urdhrit të firmosur prej tij, mjekët duhet t’i lëshojnë recetat për medikamente jashtë spitalit, vetëm kur këto të fundit nuk gjenden në listën e barnave të aprovuara për përdorim spitalor. Aktualisht janë mbi 300 barna të cilat jepen në spitale për pacientët, dhe që do të vazhdojnë të jepen për ata vetëm me një recetë të firmosur, nga shefat e shërbimeve. Sipas urdhrit të ministrit të Shëndetësisë, në raste të domosdoshme të sugjerimit për blerje të medikamenteve që nuk janë pjesë e listës së barnave të aprovuara për përdorim spitalor, për personat e shtruar në spital, ndalohet lëshimi i recetës për të blerë medikamente në rrjetin e hapur farmaceutik, pa firmën e shefit të shërbimit. “Receta për blerjen e medikamenteve jashtë listës së barnave të aprovuar për përdorim spitalor, do të lëshohet vetëm për raste që kanë indikacion absolut për mjekimin e pacientit. Receta do të lëshohet duke përshkruar principin aktiv të medikamentit”,- thuhet në urdhrin e nxjerrë nga kreu i Shëndetësisë. Në rast se shefat nuk do të firmosin, apo do të konstatohen receta pa firmën e tyre, ministri Vasili premton masa administrative, deri në largim nga puna. Sipas urdhrit, për personelin mjekësor, ndalohet orientimi drejt farmacive të selektuara, për blerje të medikamenteve.

Bashkëpunimi me Italinë për shëndetësinë, përfitimet e palës shqiptare

Përveç bashkëpunimit kulturor që vendi ynë po realizon me Italinë, kjo e fundit do t’i ofrojë Shqipërisë mbështetje për shëndetësinë. Ditën e djeshme, kryeministri Berisha pati një takim me delegacionin e rajonit të Friuli-Venecia-Guilias (FVG), të kryesuar nga drejtori i Departamentit për Shëndetësinë dhe Politikat Sociale. Në këtë takim, kryeministri shprehu mirënjohje në radhë të parë për ndihmesën në trajtimin e pacientëve shqiptarë si dhe theksoi se bashkëpunimi i tyre ofrohet në një moment shumë të rëndësishëm për shëndetësinë dhe reformën e saj. Kryeministri u shpreh se vetëm pak ditë më parë kërkoi që të punohet për kalimin e Shërbimit të Onkologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) në Institutin Onkologjik dhe se bashkëpunimi me qendrat më të mira të fushës në rajonin e FVG-së do t’i shërbejë jo vetëm diagnostifikimit e trajtimit më të mirë të sëmurëve, por dhe përmirësimit të aktivitetit shkencor. Duke vlerësuar përparësitë që ka ky rajon, kryeministri Berisha u shpreh se çështja e personave me aftësi të kufizuar është trajtuar me kujdes nga qeveria dhe për këtë kategori janë bërë investime të mëdha, megjithatë është shumë e mirëpritur ndihmesa e tyre. Përfaqësuesi i delegacionit, Vladimir Kosic, u shpreh se ndër prioritetet që ata kanë në politikat e tyre shëndetësore janë fusha e Onkologjisë, çështjet e personave me aftësi të kufizuar, kujdesi për nënën dhe fëmijën, teknologjia e avancuar biomjekësore, menaxhimi i sistemeve shëndetësore etj. Që prej vitit 1992 në Spitalin Burlo Garofolo janë trajtuar pacientë nga Shqipëria, por është i mirëpritur normalizimi i bashkëpunimeve në fusha të ndryshme me Ministrinë e Shëndetësisë.

4 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›