E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” pushtohet nga lodhja dhe ankthi

Një ditë mes grevistëve që i shtyjnë minutat me libra dhe domino

Eneida Jaçaj

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi i dikurshëm i paradave dhe festave, orët e fundit ka nisur të pushtohet nga ankthi teksa brenda çadrave qëndrojnë të ngujuar 19 deputetët e PS-së dhe mbi 180 mbështetësit e tyre. Distanca me godinën përballë, ku punon kryeministri Berisha, është e “murosur” me forca policie që duken të rraskapitur nga orët e gjata të shërbimit dhe vapa përvëluese. Greva e urisë maratonë dje shënoi ditën e katërt të saj dhe në radhët e grevistëve që kanë filluar ta ndiejnë drobitjen në trup u shënua rasti i parë i urgjencës. Deputetja e PS-së, Klodiana Spahiu, u shtrua në spital. Por të ngujuarit nuk tërhiqen në kërkesën e tyre për të bërë transparencën e votës së lirë, betejë kjo e nisur të paktën 8 muaj më parë.

Mjedisi
Dita dhe nata në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë njësoj për rreth 200 të ngujuarit në çadrat përballë godinës së Kryeministrisë. Që me nisjen e grevës së urisë janë marrë të gjitha masat: janë shtruar rreth 200 krevate portative, të kompletuara me çarçafë e jastëkë. Gjithashtu janë marrë të gjitha masat edhe për një natë të ftohtë. Kështu, janë sjellë jorganë dhe mund të ndizen edhe sobat me gaz për ngrohje në rast se nata është shumë e ftohtë. Pranë çadrës së madhe, në pjesën e jashtme të saj, afër Piramidës, janë vendosur disa tualete portative për burra dhe gra, ndërsa një depozitë e madhe u lejon atyre të mos u mungojë uji për t’u larë. Grevistët meshkuj mbajnë të veshura bluza të kuqe me simbolin kombëtar, shqiponjën, ndërsa femrat kanë preferuar të mbajnë bluza të errëta. Që në nisje të grevës i është kushtuar vëmendje shërbimit mjekësor për grevistët. Pranë çadrave qëndron një autoambulancë me një ekip prej dy mjekësh dhe një infermiere, të cilët ndjekin vazhdimisht ecurinë shëndetësore të grevistëve. Ekipi mjekësor kujdeset në mënyrë periodike, ku çdo tri orë kryhen vizitat e nevojshme.

Koha
Përveç bisedave shkëmbyese që kanë të bëjnë me hapjen e kutive, lojërat me letra, me domino, libra etj., janë ato që ndihmojnë 19 grevistët, së bashku me rreth 200 mbështetësit, të kalojnë kohën pa e ndjerë. Stafi mbështetës i ndihmon deputetët që t'u sjellin gazetat e ditës, ku të mund të njihen me ato çka shkruajnë gazetat. Gjatë gjithë ditës ata konsumojnë vetëm ujë. Me dhjetëra e qindra qytetarë të thjeshtë, të afërm dhe familjarë të të ngujuarve, rrinë pranë vend-fushimit, duke ofruar kurajë për grevistët. Gjatë ditës ata vizitohen edhe nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili bisedon me ta dhe vihet në dijeni për gjendjen e tyre shëndetësore.

Shqetësimet
Tashmë greva e urisë ka hyrë në ditën e pestë të saj dhe është e kuptueshme se gjendja shëndetësore e tyre sa vjen dhe bëhet më e komplikuar. Shqetësimet e para kanë filluar që në ditën e dytë të grevës së urisë, të cilat shfaqen me simptoma të tilla si dhimbje koke dhe marrje mendsh. Por, gjendja shëndetësore ka qenë më e vështirë për 2-3 veta, të cilët kanë probleme shëndetësore. Mes grevistëve që shfaqi shenja dobësimi është edhe deputeti Blendi Klosi. Sipas deputetëve grevistë, krijohen më shumë çrregullime gjatë momenteve të drekës, kur dhe temperatura është më e lartë, ndërsa gjatë natës situata është më e qetë për shkak të freskisë. Gjatë ditës së tretë grevistët janë vizituar nga mjeku kardiolog Sabit Brokaj, me karrierë të gjatë në PS dhe së fundi në LSI, tashmë i tërhequr nga politika. Gjatë vizitës që u ka bërë, Brokaj ka konstatuar se janë vënë re çrregullime të diabetit, të ekuilibrit, dhimbje barku dhe disa probleme të tjera. “Natyrisht, mund të ketë edhe më shumë shqetësime nga ato që paraqesin, pasi në aspektin moral ata mbahen aq mirë, aq fort, saqë edhe e maskojnë ndonjë shqetësim”, - është shprehur Brokaj. Kardiologu i njohur mbahet mend për përkujdesjen e tij dhe gjatë grevës së 10 deputetëve të LSI-së dhe PDK-së në nëntor 2008 për votën e lirë dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Deputetja
Është detyruar të largohet me urgjencë për në spital një prej deputetëve grevistë të Partisë Socialiste. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, deputetja e qarkut të Durrësit, Klodiana Spahiu, ka shfaqur simptoma të lodhjes, këputjes së trupit, marrje mendsh dhe të vjella. Grupi mjekësor, i cili ndjek hap pas hapi gjendjen e grevistëve, pasi i kanë dhënë asaj ndihmën e parë në çadrat e improvizuara para Kryeministrisë, kanë vendosur dërgimin me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak të deputetes Spahiu. Mjekët thanë se deputetja kishte komplikime në stomak, ndaj dhe kërkuan dërgimin me urgjencë për në spital. Rreth orës 03:10 të mëngjesit të së hënës, autoambulanca që ndodhej në sheshin para Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” bëri të mundur transportimin e saj në spital. Të pranishëm në ato momente pranë deputetes kanë qenë dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, si dhe deputetët Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Pandeli Majko etj. Përgjatë gjithë natës kryesocialisti Rama ka takuar deputetët dhe qytetarët grevistë në çadrat e improvizuara përpara Kryeministrisë dhe është interesuar për gjendjen e tyre shëndetësore. Por, nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë nuk po mbulon me mjekë grevistët e Partisë Socialiste, kjo pasi, sipas autoriteteve të Ministrisë, selia rozë nuk ka bërë një kërkesë zyrtare për këtë shërbim, duke preferuar mbikëqyrjen nëpërmjet mjekëve privatë. Dikasteri i bluzave të bardha ka mbuluar me shërbim mjekësor 200 grevistët e ngujuar në çadrat para Kryeministrisë vetëm gjatë 24 orëve të para të protestës.

Trafiku
Por, me protestën dhe grevën e urisë së opozitës trafiku në Tiranë vazhdon të mbetet problem. Ditën e hënë nisi me probleme ndryshimi i itinerarit të lëvizjes nëpër akset kryesore të Tiranës. Devijimi i qarkullimit të automjeteve nga punimet në sheshin "Skënderbej" që prej disa javësh, por edhe bllokimi i bulevardit kryesor "Dëshmorët e Kombit", kanë krijuar probleme më të mëdha. Një ditë më parë, drejtori i Policisë së Tiranës i ka kërkuar Edi Ramës, në postin e kryebashkiakut, që të lirojë bulevardin "Dëshmorët e Kombit" pasi bllokimi i tij sjell probleme në trafik.
Sot grevistët hyjnë në ditën e pestë të ngujimit dhe kur gjendja e tyre shëndetësore është gjithnjë e më e brishtë, askund nuk duken shenja të qarta të një afrimi politik mes palëve për t’u ulur në bisedime në lidhje me kërkesat dhe kauzën për të cilën janë futur në grevë urie deputetët dhe mbështetësit e PS-së.

4 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›