E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjalori Enciklopedik, të metat dhe harresat e mëdha

Një shqyrtim i hollësishëm i Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botim i ASH-së

Skifter Këlliçi (Boston, SHBA) - Së pari, si qytetar shqiptar i mërguar në SHBA në vitin 1999, uroj Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Këshillin Botues të përbërë nga akademik Ylli Popa, Prof. Arqle Berxholi, akademik Jorgo Bulo, Prof. Emil Lafe, akademik Luan Omari, akademik Kristaq Prifti, akademik Eduard Starova si dhe redaksitë përkatëse, që pas një pune këmbëngulëse disavjeçare arritën të përfundojnë dhe të botojnë “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (botimi ri).

Ndryshe nga botimi i parë i tij, i paraprirë nga kërkesat dogmatike të diktaturës komuniste, ku të vërtetat cungoheshin ose, për më keq, edhe mënjanoheshin, ky botim është përpjekje shumë serioze dhe për t’u çmuar, sepse arrin të pasqyrojë me objektivitet zhvillimet historike, shoqërore, ekonomike dhe politike të Shqipërisë, nga gjeneza e popullit tonë të lashtë gjatë tërë periudhave historiko-shoqërore, duke përfshirë edhe periudhën e diktaturës komuniste, të shembjes së saj dhe periudhën demokratike që po kalojmë.

Sidoqoftë, pa pretenduar se kam studiuar zërat e disa fushave të FESH, me të cilat më ka lidhur puna ime si gazetar, publicist e shkrimtar, që nga viti 1959, po rendis disa mendime dhe vërejtje që kam hasur gjatë leximit të tij.

Veprimtarë të shquar shqiptarë në SHBA

Duket qartë se redaksitë përkatëse për hartimin e FESH-it nuk kanë pasur parasysh librin madhor të publicistit të shquar, Vehbi Bajrami, sot botues i gazetës “Illyria”, me titull “Shqiptarët e Amerikës”, botuar në vitin 2003 në Nju Jork dhe pajisur me një parathënie të shkëlqyer të shkrimtarit tonë të mirënjohur Ismail Kadare.
Ky libër ndodhet prej vitit 2005 në dy kopje në Bibliotekën Kombëtare. Kopje të tjera ndodhen në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Jashtme dhe në RTVSH.
Për mendimi tim, ky është nga librat më të rëndësishëm në fondin e artë të publicistikës shqiptare.
Duke i hedhur një vështrim këtij libri, arrij në përfundimin se në FESH mund të ishin përfshirë disa nga këta emra personalitetesh të botës shqiptaro-amerikane:
Joseph Dioguardi, ish-kongresist amerikan dhe kryetar i Ligës Qytetare shqiptaro-amerikane, me origjinë shqiptare.

Kristo Kirka, atdhetar i njohur, bashkëpunëtor i Nolit, Konicës, Pecit dhe veprimtarëve të tjerë të Rilindjes që punuan në atdhe, Europë, Amerikë, i kthyer në Shqipëri në vitin 1933, nacionalist i burgosur nga regjimi komunist, ku gjeti vdekjen në vitin 1946 në burgun e Burrelit.

Skënder Xhilaga, i njohur në SHBA si specialist për projekte inxhinierike nga inxhinierët më të suksesshëm shqiptaro-amerikanë.

Prof. Nikola Cako (Nikolas Chako), specialist në fushën e fizikës, matematikës, që ka punuar në disa universitete amerikane.

Isuf Luzaj, profesor në fushën e filozofisë në disa universitete amerikane, me titullin “Profesor i Amerikës”, titull të cilin ia ka dorëzuar në vitin 1977 në një ceremoni të posaçme të ish-presidentit amerikan, Regan.

Nikolla Pano, profesor i historisë në shumë universitete amerikane.

Artur Lika, specializuar në artet e lira, pronar i kompanisë “Lika Assoiciates Inc”.

Fadil Berisha, fotograf me famë botërore. Ka fotografuar personalitete të njohura të Amerikës në fusha të ndryshme.

Nevruz Mehmeti, fotomodel, simbol i bukurisë në Amerikë.

Loreta Cekani (Loreta Chase), shkrimtare, e cila ka botuar disa romane në SHBA.

Alek Arnanuti, pronar i studios më të vjetër të filmave vizatimorë në Amerikë.

Zoi Shyti, piktor i njohur në Amerikë, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare.

Eric Margolis, gazetar me origjinë shqiptare. Ka bashkëpunuar me gazeta të mëdha amerikane, si “The New York Times”, “International Herald Tribune, “Toronto Sun”.

Rose Dosti, gazetare e njohur, ka punuar për 35 vjet në gazetën “Los Anxhelos Times”, autore e 12 librave për ushqimin dhe dietat.

Ekrem Bardha, personalitet i shquar politik shqiptaro-amerikan, botues i gazetës “Illyria”, (1998-2006).

Sami Repishti, veprimtar dhe publicist i shquar shqiptaro-amerikan.

Vëllezërit Rusi, biznesmenë të njohur në Amerikë.
Riçard Lukaj, biznesmen dhe veprimtar i njohur në botën e biznesit amerikan dhe pjesëtar në Këshillin Shqiptaro-Amerikan.

Tomas Pochari, (Poçari), gjeneral i njohur i aviacionit amerikan.

Kim Filbi, (Philby), bashkëpunëtor i dyfishtë që raportonte KGB-në për veprimtarinë e trupave që hidheshin nga shërbimet e fshehta anglo-amerikane në Shqipëri.

Mes tyre janë edhe tre shqiptarë që vdiqën më 11 shtator 2001: Bardhyl Quku, biznesmen i njohur; Bardhyl Tirana, avokat që reformoi Mbrojtjen Civile në SHBA; Urhan Tirana, bankier i njohur; Cafo Boga, bankier i njohur që ka fituar çmimin prestigjioz në Amerikë, “Financier i Certifikuar Publik”.

Mes personave të lënë në harresë janë edhe Zydi Karagjozi, biznesmen i njohur.
Van Christo, veprimtar i shquar shqiptaro-amerikan; Harri Bajraktari, themeluesi i gazetës “Illyria”, në vitin 1991, veprimtar i shquar shqiptaro-amerikan;
Uashington Gjebre, gazetar shqiptaro-amerikan, i diplomuar në Universitetin e Pitsburgut për gazetari. Ai ka bashkëpunuar me gazeta të njohura amerikane, midis të cilave për 15 vjet në ”Tribune Review”;
Genc Korça, ish - president i Shoqatës amerikane të Higjienës Industriale, sot anëtar nderi i kësaj shoqate;
Prenk Gruda, veprimtar dhe publicist i njohur shqiptaro-amerikan, autori i librit “Ditari i një zemre të lënduar”, botuar në Shqipëri dhe në SHBA (anglisht);
Eliza Dushku, aktore kinematografike e njohur shqiptaro-amerikane, me baba shqiptar dhe nënë daneze;
Elez Biberaj, ish-drejtori i “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe, autor i librit “Nga
Enver Hoxha te Ramiz Alia”, botuar në Amerikë, sot drejtor i Departamentit të “Zërit të Amerikës” për Europën Qendrore;
Gjekë Marinaj, poet, publicist i njohur, profesor i letërsisë amerikane në një universitet të Teksasit. Në parathënien e vëllimit të fundit të këtij poeti, me titull “Lutje në ditën e tetë të javës”, shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, midis të tjerash, shkruan: “Gjeke Marinaj dallohet ndër poetët më të mirë shqiptarë të kohës. Kjo do të thotë se ai zë vend midis poetëve më të mirë evropiane”. Vlerësime për të bën edhe Wole Soyinka, fitues i çmimit “Nobel” në letërsi, në vitin 1986 etj.
Nuk di nëse në vëllimin 3 të Fjalorit Enciklopedik Shqiptar figuron si zë i veçantë Kolec Traboini, shqiptaro-amerikani me banim në Boston, dokumentarist i shquar i Kinostudios “Shqipëria e Re”, sot, për mendimin tim, ndër poetët e njohur shqiptarë.

Prof. Agron Fico, fitues i çmimit të Republikës, studiues i mirënjohur në fushën e krijimtarisë popullore, krijues i katedrës së gjuhës shqipe në Pekin dhe Detroit. Veç të tjerash ai është autor i disa librave publicistikë, si “Profesor në tri kontinente”, “Diaspora e rilindur”, “Rilindja e Shqipërisë etnike”, si dhe artikuj publicistikë.

Vehbi Bajrami, publicist, ish - kryeredaktor i gazetës “Illyria”, sot botues i saj, autor i librit “Shqiptarët e Amerikës”, me 1100 faqe të formatit të madh dhe me mbi 1000 foto, që është nga veprat më të rëndësishme të publicistikës shqiptare të të gjitha kohëve. Fatkeqësisht, për zvarritje burokratike shtetërore, njihet shumë pak në Shqipëri.
(Ndoshta disa nga figurat e mësipërme janë përfshirë në zërin e mundshëm
“Shqiptarët e Amerikës”, vëll. 3). Edhe organizata të tilla me siguri nuk janë të listuar në këtë fjalor, të tilla si:

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, institut i njohur për veprimtarinë e tij, sidomos për çështjen e pavarësisë së Kosovës.

Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e krijuar në vitin 2001, me veprimtari të gjerë në tërë Amerikën.

Lotaria Amerikane duhet të trajtohet si zë i veçantë, sepse që nga vitit 1993, kur filloi të zbatohej edhe në Shqipëri, prej saj kanë përfituar mijëra e mijëra bashkatdhetarë, sot qytetarë shqiptaro-amerikanë, të integruar në jetën amerikane. Duhet të nënvizohet numri i përafërt i shqiptarëve që kanë përfituar nga kjo lotari.

Mes të tjerash është edhe revista e përmuajshme “Kuvendi” që botohet në Miçigan që prej vitit 2003.

Vërejtje të tjera të Fjalorit

Në kapitullin 10, “Shtypi dhe radiotelevizionet në Kosovë”, shkruhet se gazeta “Bota Sot” botohet në Zvicër, në një kohë që duhet nënvizuar se botohet edhe në SHBA.
Për mendimin tim, zëri “Diaspora” është shumë i përciptë. Po ashtu, edhe zëri “Emigrimi”. Duhet të ketë të dhëna më të plota të shqiptarëve të mërguar, sipas vendeve ku ata jetojnë, punojnë dhe zhvillojnë veprimtari në shumë fusha të jetës, pra në Greqi, Itali, Gjermani, Zvicër, Suedi, në Amerikë, Kanada,(veçanërisht pas vitit 1990), Australi, Zelandën e Re.

Në zërin “KOSOVA” nuk më zuri syri kapitullin kushtuar historisë së emigrimit të shqiptarëve të Kosovës. (Ndoshta, përfshihen në vëllimin 3).
Aty shkruhet: “Gjendja e popullsisë shqiptare në Kosovë u vështirësua edhe më shumë pas vitit 1948. Nga fillimi i viteve ’50 deri në gjysmën e dytë të viteve ’60 u riaktivizua, (më mirë hyri përsëri në veprim, S. K.), konventa turko-jugosllave e vitit 1938, me të cilën…” (faqe 1990 e vëllimit 1)... Por ky zë duhej të thellohej me të dhëna të tjera, lidhur me veprimtaritë e tyre…

Mangësitë në zërin për mediat

Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar mendoj se duhej të figuronin folësit e parë të Radio Tiranës: Kaliopi Plasari, e cila ka nisur të lexojë që më 28 nëntor të vitit 1938, ditën kur u themelua Radio Tirana, deri me 1964-n. Ka lexuar edhe në emisionet e Radio Tiranës në gjuhën frënge.
Haki Beleri, krijuesi i shkollës së leximit të buletineve informative në Radio, violinë e parë në Orkestrën Simfonike të TOB-it, përkthyes libretesh të disa operave nga italishtja.
Vera Zheji, krijuese e shkollës së leximit artistik, e cila punoi në Radio Tirana në vitet 1948-1978, pedagoge e të folurit skenik në Institutin e Lartë të Arteve, aktore në disa filma dhe pjesë teatrore. Sikur të kishte punuar në Teatrin Popullor (sot Kombëtar), do të kishte merituar të paktën titullin “Artiste e merituar”.

Kiço Fotiadhi, krijuesi i leximit informativ dhe artistik, që punoi në TVSH në vitet 1960-1992. Në qoftë se redaksia e shtypit e quan të tepërt renditjen e këtyre zërave në FESH, atëherë në zërin “Radio Tirana” të shtohet nënzëri-folësit, radiokronistët. Po kështu, të veprohet në zërin “TVSH”, ku, veç tyre, të trajtohen edhe regjisorët.
Mund të përfshihej në Fjalor Alfons Gurashi, radiokronist dhe telekronist shumë i njohur në RTVSH që nga viti 1965 deri në vitin 2005, krijues i sa e sa telereportazheve me nivel të lartë profesional dhe artistik. (Çuditërisht, mungon edhe në “Fjalorin e Gazetaris녔, i cili ka të meta dhe pasaktësi në drejtim të gazetarëve të RTVSH-së).
Timo Luto, gjithashtu radio dhe telekronist që nga viti 1966, deri në vitin 2005, po i njohur. Nënvizoj se folësit dhe radio-telereporterët zënë vend te çdo fjalor, ose encilkopedi e huaj. Mjafton të përmend se në “Fjalorin e Madh Enciklopedik Rus, (Bolshoi Enciklodediceskij Ruskij Sllovar”, 1998)), për folësin e njohur Juri Borisoviç Levitan, (1904-1983, midis të tjerash, shkruhet: Folës i njohur i Radios Qendrore të Bashkimit Sovjetik nga viti 1931 deri në vitin 1980. Mban titullin “Artist i Popullit të Bashkimit Sovjetik”. Ka qenë lexues i lajmeve dhe buletineve të Luftës së Dytë Botërore, (1941-1945). (Faqe 638).
Po kështu, trajtohen në fjalorë të tjerë të huaj, figura të tilla të njohura si Majk Bonxhorno, (Mike Bongiorno), Pipo Baudo, (Pippo Baudo), prezantuese në RAI, Ruxhero Orlando (Ruggero Orlando), Bruno Vespa (Bruno Vespa), komentatorë, Llerri King, (Larry King (SHBA)…

Me të drejtë lind pyetja se përse të mos trajtohen si të tillë edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar? Mungojnë krejtësisht zërat e televizioneve të tjera që u ngritën pas vitit 1995: TV Klan, TV A, TV Koha, Vizion Plus...
Pas zërit “Koha Jonë”, gazetë, citohet zëri KOHAVIZION në Prishtinë dhe harrohet KOHA, TV në Tiranë.(?).Citohet “KLANI” ,revistë, dhe harrohet TV KLANI, (?)…
Mungon zëri TV-të në qytete të tjera. (Ndoshta, ato janë përfshirë në një zë të mundshëm, - “Televizione të tjera në Shqipëri”, ashtu siç është vepruar në zërin KOSOVA, ku radiotelevizionet zënë një kapitull më vete).

Mendoj se duhej të përfshiheshin në FESH zërat e figurave më të shquara të televizioneve të tjera, veç RTVSH-së:
Blendi Fevziu, publicist dhe autor librash publicistikë, autor dhe drejtues i emisionit të njohur “Opinion”; Bashkim Hoxha, gazetar i shquar televiziv, prozator, skenarist, dramaturg;
Ardit Gjebrea, këngëtar, kompozitor, prezantues televiziv;
Koço Devole, aktor, skenarist, regjisor në TVSH dhe sot në Top Channel;
Agron Llakaj, humorist, drejtues emisionesh artistike në Top Channel. (Nuk besoj se Zef Deda ose Tano Banushi, që përfshihen me të drejtë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, kanë dhënë më tepër se këta të dy);
Adi Krasta, prezantues televiziv… Mund të gjykohet se ata janë ende të rinj. Jo. Ata kanë filluar të duken në kran, të paktën prej 15-20 vitesh dhe janë bërë figura popullore;
Vera Grabocka, e shquar për regjinë e shfaqjeve televizive në RTVSH që nga viti 1977 dhe sot në televizione të tjera; Pali Kuke, kameraman, pastaj operator, regjisor i njohur filmash artistike dhe shfaqjesh artistike në TVSH.
Mendoj se në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar duhej të përfshiheshin emrat e inxhinierëve të njohur në Radio dhe RTVSH: Emil Plumbi, që vuri bazat teknike në Radio Tirana, sidomos në kalimin nga godina e vjetër, në godinën e re të Radio Tiranës, në vitin 1965; Rifat Kryeziu, që vuri bazat teknike në Televizion gjatë viteve ‘70–‘80.
Në FESH mungon Petro Kito, drejtori i parë i Radio Tiranës, pas Çlirimit (1944- 1961), i cili ka meritën se e çoi edhe më tutje përvojën e krijuar nga ky institucion që nga viti 1938 deri në vitin 1944, me emisione të reja, me shtimin e orëve të programeve, se mori pjesë në të gjitha konferencat ndërkombëtare nga viti 1946 - 1950 për caktimin e valëve të Radio Tiranës, problem shumë i mprehtë pas Luftës së Dytë Botërore etj., etj….
Mungon, gjithashtu, Thanas Nano, drejtori i parë i ATSH-së pas vitit 1944, deri në vitin 1958, drejtor i Përgjithshëm i Radio Tiranës (1961-1970) dhe RTVSH-së (1971-1972, 1972-1977). Në këtë periudhë të gjatë u krijua Orkestra Simfonike e Radio Tiranës, festivalet e këngës në radio (1962), u ngrit RTVSH-ja (1971).

Është e vërtetë që ai lirua nga kjo detyrë në vitin 1972, me vendimin e Byrosë së Komitetit Qendror të PPPSH-së si konservator, dogmatik, por Enver Hoxha e riktheu në RTVSH në vitin 1973, me shënimin e mëposhtëm në listën e kandidatëve që propozoheshin nga Drejtoria e Shtypit:
”Në Radio e Televizion të kthehet Thanasi. Mangësi profesionale mund të kemi, por proçkat e Todi Lubonjës nuk do t’i bëjë”. (Marrë nga libri “Dera e prapme e shtypit”, viti 1998, me autor Marash Hajatin). Por, edhe me këto veçori, duhet të figurojë në FESH. Mirë ose keq, ai ka hyrë në histori.
Në zërin “Buban Gjergji”, midis të tjerash, shkruhet: “Ka qenë drejtor i Radio Tiranës (1938-1943)”, kur duhet shkruar: “Ka qenë drejtori i parë i Radio Tiranës, i cili, ndonëse pa përvojën e duhur në këtë fushë, u përpoq t’i jepte asaj fytyrën e një radioje me tipare kombëtare, sido që u ndodh nën trysninë e pushtuesve fashistë italianë e pastaj nazistëve gjermanë”.
Në zërin “Hajati Marash” nënvizohet se ai është autor i disa dokumentarëve televizive, kur duhej të ishte theksuar se gjatë kohës që ai drejtoi TVSH-në (1974-1980) dhe pastaj RTVSH-në (1980-1988), me ndihmesën e tij u ngrit cilësia e filmave dokumentarë, filloi prodhimi i filmave artistikë televizivë, transmetimi i spektakleve të para televizive, se TVSH-ja, në vitin 1981 filloi transmetimet e programeve me ngjyra etj.
Në zërin “Minxhozi Ymer”, ndër të tjera shkruhet: “... u emërua zëvendësdrejtor i Radio Tiranës (1958-1963)” kur duhej shtuar: ”Gjatë kësaj periudhe ndikoi në lëvrimin e mëtejshëm të radio-reportazhit dhe ngritjes cilësore të emisioneve artistiko-kulturore radiofonike, duke dhënë shembull vetjak në përgatitjen e tyre”.
Me fjalë të tjera, në këto zëra duhen vënë në dukje meritat që patën ata gjatë periudhës që drejtuan Radion ose RTVSH-në. Ndoshta, këto karakteristika janë përfshirë në zërat e veçantë “Radio Tirana”, “Televizioni Shqiptar”, apo “Radiotelevizioni Shqiptar”.

Vijon në numrin pasardhës

Në numrin e radhës do të lexoni:

Harresat në botën e televizionit, gazetave dhe mediave të huaja në gjuhën shqipe
Të harruarit nga arti skenik, fotografia dhe artet e tjera që nuk figurojnë në Fjalor

Për më shumë, na ndiqni në vijim

4 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›