Elektra shqiptare i flet kohës në Butrintit
Festivali ndërkombëtar teatror Butrinti 2000 startoi dje në mbrëmje, për të përcjellë gjatë netëve të zhvillimit të tij vepra të cilat mbajnë firmën e autorëve të njohur botërorë, që priten të sjellin emocione të veçanta tek publiku. I cilësuar si një prej
festivaleve më të rëndësishme teatrore që zhvillohen në vendin tonë, por që tashmë ai ka dhe një famë ndërkombëtare për disa net me radhë nga data 17-22 në skenën e tij priten të ngjiten me qindra aktorë të njohur shqiptarë dhe botërorë. Emra të njohur të regjisë që i takojnë skenës teatrore shqiptare dhe asaj të huaj gjatë këtyre netëve, sipas organizatorëve të festivalit do të prezantojnë kryevepra të dramaturgjisë botërore. Në edicionin e tij të 11-të, festivali ndërkombëtar i Butrintit ngriti siparin me kryeveprën e komedisë botërore Ëndrra e një nate vere e Uilliam Shekspir. Kjo pjesë vjen si prodhim i teatrit shtetëror të Saint Pertërsburgut, nën regjine e regjisorit bullgar Aleksandër Morfov. Teatri Kombëtar shqiptar do të prezantohet me Elektrën e Sofokliut, nën regjinë e Adonis Filipit. Publiku do të ketë mundësinë të ndjekë dy prodhime teatrore, që mbajnë të njëjtin titull Elektra, pasi do të jetë dhe trupa rumune që do të prezantohet me të njëjtën pjesë. Do të jetë Elektra e teatrit Radu Stanca të Rumanisë, me regji të Mihal Miniutiut, një tekst i ndërtuar mes Sofokliut dhe Euripidit, ndërsa Elektra shqiptare do të vijë para publikut në datën 22 korrik, që është dhe nata e mbylljes së festivalit. Ndërkaq që me një financim të ri të MTKRS, prodhimi i parë mbarëshqiptar me regji të Slobodan Unkovskit, do të ngjitet si premierë në amfiteatrin e Butrintit. Ky produksioni teatral, i cili është realizuar nga teatri i dramës shqipe të Shkupit ka kushtuar 100 mijë euro. Në këtë shfaqje janë përfshirë 8 aktorë nga Kosova, 11 nga Shkupi dhe Yllka Mujo nga Shqipëria. Pas premierës që "Peer Gynt" pati në Teatrin e Dramës Shqipe të Shkupit, tashmë regjisori Slobodan Unkovski e sjell edhe në Butrint. Festivali këtë vit ka 2 evenimente të rëndësishme. Në Kalanë e Lëkursit, do të jetë një rikujtesë, duke sjellë dhe 200 vjetorin e lindjes së Shopenit, i cili është shpallur nga UNSCO si Viti i Shopenit. Përmes natës shopeniane, i cili vjen nga vendlindja e tij nga Polonia, krijimtarinë e tij do të vijë tek publiku nëpërmjet një spektakli me aktrim dhe pantomim. Po ashtu për herë të parë në Festivalin e Butrintit do të kemi një spektakël shumë të madh, ku janë 70 artistë që do të marrin pjesë në muzikalin Romeo dhe Zhuljeta.
Elektra e Sofokliut, me aktorë shqiptarë në skenën antike
Regjisori Adonis Filipi pohon se Elektra shqiptare vjen ndryshe nga ajo rumune. Vepra Elektra, e cila ishte dhe premierë në skenën Teatrit Kombëtar do të ngjitet në skenën e Butrintit, ku gjithashtu në netët e tij do të jetë dhe Elektra që do të vijë nga trupa rumune, e cila këtë vepër e sjell me subjekt të Sofokliut dhe Euripidit, por e bazuar në folk. Mendoj se përballja e këtyre dy veprave e pasuron këtë festival teatror. Elektra shqiptare i flet kohës dhe do të kemi një prezantim dinjitoz në skenën e Butrintit. Elektra nuk është thjesht një personazh, është fenomen dhe ndaj vihet në skenë që ngjarje të tilla të mos ndodhin më. Ajo vjen si një thirrje për një moral të shëndoshë të familjes, pohon regjisori i veprës Adonis Filipi. Tragjedia e Sofokliut Elektra ka qenë një tjetër sukses i Teatrit Kombëtar. Trupa e përzgjedhur së bashku me protagonisten kryesore në vepër Luiza Xhuvani kanë rrëmbyer duartrokitjen e publikut. Në rreth një orë e 30 minuta në një skenografi të realizuar nga Fatbardh Marku, që jepte idenë e një tempulli u luajt tragjedia e shpagimit të bijve të Agamemnonit. Në skenë erdhi një Elektër e interpretuar bukur nga Luiza Xhuvani. E mbytur nga dhimbja për humbjen e të atit, por plot urrejtje për dorën vrasëse nënën e saj Klitemnestra, e cila ktheu në skenë aktoren Roza Anangnosti, ndërkaq Oresti ka qenë për aktorin Laert Vasili. Stafit të aktorëve të Elektrës i bashkëngjiten dhe emra të tjerë të njohur si Bujar Asqeriu, Vasjan Lami, Ahmet Pasham, Elida Janushi, Monika Lubonja, Violeta Trebicka, Ermela Teli, Klea Konomi etj.