E Diel, 1 Nëntor 2026

“ANDREA CHENIER”, revolucionet vrasin nga xhelozia

Zhani Ciko: “Opera e famshme, edhe si homazh për intelektualët që janë vrarë nga diktatura jo për shkak të idealeve, por për xhelozi dhe interesa të ngushta personale”

Petrika GROSI
Ndërsa kanë filluar përgatitjet në TKOB për premierën më të re, operan me 4 akte “Andrea Chenier”, maestro Zhani Ciko tregon për gazetën “Albania” se vënia e një pjese të tillë nuk është krejt rastësore... Kjo për faktin se vepra në fjalë, së bashku me operan tjetër “Fedora”, janë dy pjesët më të famshme të muzikuara nga Giordano, i cili konsiderohet si një nga themeluesit e verizmit muzikor, rrymë që mbërriti kulminacionin e saj me Puçinin. Edhe mesazhi që jep kjo opera, sipas Zhani Cikos, është historik. Në fakt, mesazhi ka të bëjë me dhunën që shoqëron shpesh momentet e ndryshimeve të mëdha historike. Në periudha të tilla ka shumë intelektualë e artistë, të cilët bien viktima jo për shkak të bindjeve dhe ideve të tyre, por edhe për interesa të ngushta njerëzore që lidhen me ndjenja e xhelozi personale apo mungesa të paplotësuara dhe trajtime të tjera psikoanalitike. “Pra, shpesh fatin e personazheve e vendosin motive që mund të kthehen në tragjedi të vetë personave. Revolucionarët që i vrasin intelektualët e bëjnë këtë për interesa epshore të tyre apo për dobësi ndjenjash”, – thotë Ciko. Ai vijon më tej: “Ideja është që kjo periudhë, së cilës i adresohet vepra, pra Revolucioni Francez dhe dërgimi para gijotinës i poetit Andrea Chenier dhe Madalenës, nuk bëhet për shkak të pikëpamjeve që ka poeti, por prej xhelozisë së kapitenit. Shumë intelektualë u përndoqën edhe gjatë ndërrimit të sistemit te ne gjatë viteve të diktaturës. Mjaft prej këtyre u vranë jo nga pikëpamjet, por për inate e mllefe, xhelozi të ndryshme. Mund të përmendim këtu përndjekjet e poetëve, Leka dhe Blloshmi, Jusuf Vrionit etj.”, – përfundon Ciko. Sa i takon premierës, muzikanti nga Foxhia e kompozoi këtë opera, që zuri një hapësirë të pazëvendësueshme në historinë e melodramës, në një moment kyç e të lumtur të aktivitetit të tij artistik. I mrekulluar nga një histori franceze e shkruar nga Luigi Illica, Umberto Giordano përfundon operan në fillimin e vitit 1896 dhe e vë me një sukses të madh në skenën e teatrit “La Scala” të Milanos, më 28 mars të të njëjtit vit, me protagonist tenorin e njohur asokohe, Giuseppe Borgatti. Subjekti i muzikuar nga Giordano merr shtysë nga vitet e fundit të jetës së André Chénier, poet francez, vargjet e të cilit frymëzoheshin nga poezia klasike dhe ideali elenistik, që gjatë periudhës së terrorit u gijotinua pasi denoncoi me guxim shfrenimet e Revolucionit, megjithëse ndante të njëjtat parime dhe ideale. E gjithë opera rrotullohet mbi gjendjen shpirtërore dhe sjelljen e protagonistit kryesor, që në fakt, siç e ka dhënë autori, mund të konsiderohet jo Chenier, por Gérard. Te Carlo Gerard, spektatori “lexon” tronditjen e një shpirti të drejtë e të ndershëm, të errësuar nga dëshira për hakmarrje, i detyruar nga vetë kushtet e rënda që të jetë “i pamëshirshëm” meqenëse kërkon të arrijë qëllimet e tij.

Opera me 4 akte “Andrea Chenier” vjen si premierë në skenën e TKOB-it me muzikë të Umberto Giordanos dhe libret të Luigi Illicas. Skenografia përgatitet nga Alfredo Troisi, dirigjent kori Dritan Lumshi, regjisor Antonio Petris, dirigjent Edmond Doko dhe mjeshtër koncertues Vito Klemente. Gjithashtu, interpretojnë, veç solistëve të TOB-it, Orkestra Simfonike e TKOB-it dhe studentë të Akademisë së Arteve. Opera do të shfaqet për publikun në datat 4, 6, 8, 10 dhe 12 prill ’09.

Rolet Interpretuesit

Andrea Chénier Armaldo Kllogjeri Gianluca Zampieri
Carlo Gérard Ymer Kaca
Maddalena de Coigny Irini Nikolla, Eva Golemi
Bersi Ina Gaqi, Majlinda Meçe
Kontesha di Coigny Manjola Konjari
Pietro Fléville Solen Alla, Genci Vozga
L’Abat Gilmond Myftari
The Incredible Rudi Sata, Erlind Zeraliu
Roucher Sidrit Bejleri
Schmidt Pandi Zguro, Genci Vozga
Madelon Sonila Hoshafi
Fouquier Tinville Luan Sula
Mathieu Sokol Hidersha, Sokol Tomorri
Maestro di Casa Bledi Hoxha, Jani Çekixhi
Dumas Bledi Hoxha

SUBJEKTI

Një histori tragjike dashurie

Akti I
Ngjarja zhvillohet në serën e Kështjellës Coigny. Revolucioni francez është tashmë shumë afër, por fisnikëria franceze vazhdon të bëjë një jetë të shkujdesur. Kontesha di Coigny jep një festë në kështjellën e saj. Shërbëtori i ri Gerard ka për detyrë të zbukurojë serën për festën e afërt dhe brenda vetes bluan urrejtjen për padronët e tij. Vetëm një pjesëtar i familjes i ka shpëtuar urrejtjes së tij: kontesha e vogël Madalena, me të cilën është dashuruar fshehtaz. Në festë vjen poeti Andrea Chénier, të cilin Madalena e kritikon që nuk shkruan poezi të kohës. I riu mbron me guxim idealet e tij ndaj veseve të korruptuara të kohës, që, sipas tij, janë duke e çuar shoqërinë në shkatërrim. Ndërkohë i kërkon Madalenës, që e ka goditur në zemër me rininë e saj, të ketë më në vëmendje ndjenjën e pastër të dashurisë, e cila prej kohësh është zhvlerësuar nga shoqëria. Madalenës i bëjnë përshtypje fjalët e djalit dhe i kërkon të falur atij. Fillon festa, e cila ndërpritet nga hyrja e një grupi lypësash të udhëhequr nga Gerard. Kontesha e kritikon shërbëtorin e saj, i cili i indinjuar heq veshjen e shërbëtorit dhe largohet me miqtë e tij të varfër. Festa rinis përsëri.

Akti II
Në Paris, në rrethinat e urës Peronnet. Jemi në periudhën e regjimit të terrorit dhe Robesperit. Chénier, që ka rënë në shigjetat e qeverisë revolucionare, në mënyrë të vazhdueshme ndiqet këmba – këmbës nga "Informatori" që ka rënë në gjurmë nga Gerard, tashmë udhëheqës i revolucionit. Një grua e panjohur i shkruan prej kohësh poetit dhe i kërkon mbrojtje. Bëhet fjalë për Madalena di Coigny, së cilës revolucionarët i kanë vrarë nënën dhe ajo është detyruar të jetojë e fshehur, në një varfëri të plotë. Shërbëtorja mulate për ta ndihmuar atë dhe veten prostituohet. Chénier ftohet nga miku i tij Roucher të nisen për të shmangur kështu kapjen nga revolucionarët, por i riu poet më parë kërkon të mësojë se kush është kjo grua e re që i shkruan letra. Një natë, afër urës, dy të rinjtë u takuan dhe Chénier rinjohu menjëherë Madalenën. Vajza e festës tashmë ishte transformuar. Mes dy të rinjve lind menjëherë dashuria, por dy të rinjtë kapen nga Gerard, i cili është akoma i dashuruar me Madalenën dhe lajmërohet nga "Informatori". Mes Gerardit dhe Chénier zhvillohet një duel, ndërsa Madalena largohet me të shpejtë. Chénier plagos rëndë rivalin e tij, por ky i fundit e këshillon Chenier-in që për hir të dashurisë së Madalenës të largohen të dy së bashku, për më tepër që është i kërkuar nga revolucionarët. Popullit që e gjen të plagosur ai i thotë që nuk e njihte personin që e plagosi.

Akti III
Në gjyqin revolucionar. Franca ka nevojë për ushtarë dhe para. Gerard, tashmë i shëruar, përpiqet të bindë turmën që të japë për kauzën e barazisë tek e cila beson në mënyrë të padiskutueshme. Një plakë e verbër nga populli, Madelon, i ofron atdheut të saj nipin e vetëm 15-vjeçar, ndërsa "Informatori" kur mbetet vetëm me Gerardin e detyron atë të akuzojë Chénier, ndërkohë të arrestuar për plagosjen. Gerard heziton, por xhelozia për Madalenën e bind të denoncojë rivalin. Madalena e shqetësuar i ofrohet ish-shërbëtorit të saj me qëllim që të shpëtojë jetën e Chénier. Gerard i prekur përpiqet të bëjë gjithçka për të shpëtuar poetin. Gjatë procesit, poeti mbrohet nga çdo akuzë e Gerard. I penduar që kishte gënjyer me qëllim që të hakmerrej me rivalin, tërheq padinë. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme dhe Chénier dënohet me vdekje. Madalena e dëshpëruar qan me lot hidhërimi.

Akti IV
Oborri i burgut. Andrea Chénier, në prani të mikut të tij Roucher, përgatitet të vdesë dhe shkruan vargjet e tij të fundit. Gerard është përpjekur ta shpëtojë, por Robespierre nuk ka pranuar ta takojë. E ndihmuar nga Gerardi i penduar, Madalena arrin të ketë një takim me Chenier. Në agim, kur ushtarët vijnë të marrin të dënuarit, Madalena zëvendëson një të burgosur, Idia Legrey, së cilës i jep lejeqarkullimin e saj. Kështu, hipën në karrocë në krah të të dashurit. Dy të dashuruarit nisen të qetë drejt vdekjes, të rrëmbyer nga zjarri i dashurisë së tyre. Gerard qan me lot hidhërimi...

27 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›