E Diel, 1 Nëntor 2026

UNMIK-u, Prishtina u bën thirrje shteteve: Tërhiqni personelin!

Kuçi: “Kosova ka nevojë vetëm për mbrojtëse të bashkësisë ndërkombëtare”. Largimi i UNMIK-ut kundërshtohet nga sekretari i KS-së, Ban Ki Mun

Blerina Olldashi

Pas deklaratës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së autoritetet kosovare po përpiqen të vënë në zbatim faktin se roli i UNMIK-ut në Kosovë duhet të marrë fund sa më parë. Me këtë rast, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, u bëri thirrje shteteve të botës të tërheqin personelin e tyre nga administrata e UNMIK-ut në Kosovë. Për kërkesën e saj Prishtina mori në OKB mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Britania e Madhe, por raporti i sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun për Kosovën thotë qartë se UNMIK-u do të vazhdojë të qëndrojë me një staf të kufizuar në Kosovë, kryesisht në Mitrovicë, ku ka më shumë probleme me rendin. Ndërkohë edhe autoritetet serbe janë shprehur se roli i UNMIK-ut nuk është shumë i nevojshëm dhe misioni mund të largohet nga Kosova, por e rëndësishme është të mos shuhet Rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit. Sipas serbëve, këtë rezolutë mund ta zbatojnë misionet e tjera në Kosovë, si EULEX-i apo zyra e Piter Feithit, ICO. Për shqiptarët e Kosovës, Rezoluta 12 44 lidhet ngushtë me UNMIK-un dhe me largimin e këtij misioni nga Kosova zhduket fuqia e Rezolutës. Zëvendëskryeministri Kuçi në deklaratën e tij komentoi edhe kërkesën e Britanisë për të reduktuar praninë në EULEX-it, duke thënë se në Kosovë nuk ka nevojë për numër zyrtarësh të huaj, por thjesht për politikën mbrojtëse të bashkësisë ndërkombëtare.
Largimin e UNMIK-ut e ka kërkuar edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, i cili ka konsideruar që këtij misioni po i vjen fundi. Në një intervistë televizive, shefi i diplomacisë kosovare tha se UNMIK-u rrezikon të komprometohet në rast se nuk i jep fund menjëherë pranisë së tij. “Shpresoj se Këshilli i Sigurimit do të gjejë një mënyrë për përfundimin e misionit të UNMIK-ut, nëse do që ai të mbajë epitetin mision i suksesshëm”,- tha Hyseni.
Në takimin e tij në Nju Jork Hyseni ka vazhduar lobimin për njohjen e shtetit, duke zhvilluar një numër të konsideruar takimesh me ambasadorët e vendeve të ndryshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sipas tij, janë dhënë sinjale pozitive nga Shën Luçia dhe Uganda, se Kosovën do ta njohin së shpejti. Përfaqësuesit e këtyre dy vendeve kanë theksuar si fakt tepër të rëndësishëm njohjen e Kosovës nga pjesa dërrmuese e vendeve anëtare të BE-së, si dhe nga fqinjët.

27 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›