Inzko merr detyrën si përfaqësues ndërkombëtar në Bosnjë
Diplomati austriak, Valentin Inzko, ka marrë zyrtarisht detyrën si përfaqësues i lartë i OKB-së në Bosnjë-Hercegovinë, duke zëvendësuar kështu Miroslav Lajçak. Inzko ka premtuar se do ta ndihmojë këtë vend ballkanik, që ka qenë arenë lufte në vitet ‘92-’95, gjatë së cilës 100 mijë veta gjetën vdekjen. “Kam qenë në Bosnjë pas luftës në ‘95-’96-n dhe kam respekt të madh për përpjekjet që ju keni bërë për të rindërtuar vendin tuaj. Unë besoj te partneriteti. Sidoqoftë, nuk do të hezitoj të përdor autoritetin tim të plotë nëse e kërkon nevoja”, - ka thënë Inzko. Gjatë dorëzimit të detyrës, ish-përfaqësuesi Lajçak u shpreh: “Situata politike është kjo që është. Kam bërë të pamundurën për ta përmirësuar. Mund të kisha bërë më shumë, këtë do ta tregojë e ardhmja”. Sipas marrëveshjes së paqes së Dejtonit më 1995-n, një diplomat i huaj duhet ta mbikëqyrë këtë proces. Ai ka autoritet të zgjedhë zyrtarët e të kthejë ligjet që bien në kundërshtim me marrëveshjen e paqes. Miliarda dollarë janë dhuruar për këtë vend që të hyjë në rrjedhën europiane, por tensionet mes serbëve të Bosnjës dhe pjesës tjetër myslimanëve e kroatëve janë ende të mëdha. Inzko do të jetë përfaqësues si i OKB-së dhe i BE-së në Bosnjë.
Serbia i merr hua FMN-së tre miliardë euro
FMN-ja në Beograd bëri të ditur dje se qeveria serbe arriti të nënshkruajë një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për një hua prej rreth tre miliardë eurosh (4 miliardë dollarë).
“Marrëveshja parashikon një hua rreth tre miliardë euro për një periudhë prej 27 muajsh, ose deri në mes të prillit 2011”, - thuhej në një komunikatë të FMN-së, shpërndarë për gazetarët. “Misioni i FMN-së dhe Serbia arritën një marrëveshje që duhet të miratohet nga udhëheqja e Fondit”, - saktësohej në komunikatë. Drejtuesit serbë deklaruan përpara fillimit të negociatave me FMN-në se Beogradi do të kërkonte një hua prej dy miliardë dollarësh (1,5 miliardë eurosh) për të mbështetur veçanërisht monedhën vendase, dinarin që humbi më shumë se 25 për qind të vlerës që prej vjeshtës, datë në të cilën kriza ekonomike botërore bëri të ndiheshin efektet e saj në Serbi.
27 Mars 2009