ANSA: “Berisha po godet gazetën që po e kritikon”
“Gazeta “Tema”, një ndër gazetat më kritike ndaj qeverisë shqiptare të Sali Berishës, nuk do të jetë nesër në treg, sepse policia ka rrethuar sot (dje) selinë e redaksisë dhe të shtypshkronjës së saj, duke i ndaluar gazetarët të hyjnë. Dhjetëra gazetarë, botues dhe përfaqësues të të përditshmeve të ndryshme, kanë protestuar në mbështetje të kolegëve të tyre, duke akuzuar kryeministrin “për një hakmarrje të turpshme ndaj medias së lirë. Përplasja mes autoriteteve dhe “Tema”-s u provokua nga vendimi i qeverisë për prishje të njëanshme të kontratës, të lidhur në vitin 2007 me gazetën, në bazë të së cilës gazetës i është dhënë me qira një pjesë e territorit të braktisur të një ndërtese në pronësi të shtetit. Sipas autoriteteve, ndërtesa është përfshirë në një zonë të shpallur të sigurisë së lartë, pasi aty pranë janë instaluar pajisjet për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave të reja. Policia sot nuk ka dashur të marrë parasysh vendimin e Gjykatës së Tiranës, që pezullon urdhrin e qeverisë deri në momentin kur do të ketë një vendim përfundimtar. “Është shumë e rëndë që një qeveri të injorojë vendimet e gjyqeve”, - ka deklaruar për ANSA-n Mero Baze, botuesi i “Tema”-s, i cili deri dy vjet më parë ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Berishës dhe aktualisht, një nga zërat më kritikë në raport më të”, - është shprehur ANSA.
“Der Spiegel”: Berisha po u rikthehet metodave brutale ndaj medias
“Me metoda brutale, krejt të papritura, qeveria shqiptare po synon që të pengojë botimin e gazetës kritike “Tema”: Makinës së kryeredaktorit Mero Baze iu vu flaka në fund të dhjetorit, klientët që mund të sillnin reklama u paralajmëruan dhe që nga e enjtja ndërtesa e redaksisë është rrethuar me policë të armatosur. Mero Baze arriti që të hyjë me forcë në zyrën e tij duke mos përfillur urdhrin e tyre gojor, ndërsa në godinë nuk u lejuan të hyjnë gjer vonë gazetarët. Ministri i Brendshëm i referohej për këtë veprim një vendimi të kryeministrit Sali Berisha dhe prishjes së njëanshme të kontratës së qirasë 20-vjeçare për godinën e redaksisë. Berisha duhet të mësojë se përmes urrejtjes së egër nuk mund të nisë një betejë me median, betejë që nuk mund ta fitojë, - tha Baze dhe lajmëroi se “Tema”, pavarësisht pengesave që po i hap qeveria, do të vazhdojë të botohet. Gazetari ka mbështetur pa kushte kryeministrin Berisha gjatë periudhës tetëvjeçare që ishte në opozitë dhe, pas fitores së tij, ishte një nga miqtë e afërt të shefit të qeverisë. Që kur ai pa kompromis nisi të botojë dhe skandale të qeverisë së re, simpatia u kthye në armiqësi. Kryeministri, me një popullaritet në rënie, po sulmon publikisht me metodat e vjetra për të cilat gjatë mandatit të parë ishte i njohur dhe i famshëm: shtypja e mediave”, - shprehet gazeta “Der Spiegel”.
Komiteti i Gazetarëve në SHBA: “Akti i qeverisë është shumë i rëndë”
Reagime të ashpra në mbështetje të gazetës “Tema” dhe gazetarëve të saj vijnë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, me seli në Nju Jork, u kërkoi autoriteteve të ndërpresin përndjekjen e gazetës “Tema” dhe të lejojnë gazetarin Mero Baze të kthehet sërish në ndërtesë duke mos penguar gazetarët të bëjnë punën e tyre. Nina Ognianova, drejtuese e Programit për Europën dhe Azinë Qendrore, i ka pohuar “Zërit të Amerikës” se mënyra si janë zhvilluar ngjarjet me gazetën “Tema” ngrenë pikëpyetje serioze dhe kërkojnë hetime të hollësishme dhe transparente. “Pothuajse menjëherë pasi zoti Baze filloi botimin e një seri artikujsh kritikë, në të cilët ngrinte akuza për korrupsion në qeverinë e kryeministrit Berisha, kryeministri i kërkoi atij të largohej nga mjediset e një ndërtese qeveritare që i ishte dhënë më parë me qira nga qeveria. Një javë pas këtij urdhri, zotit Baze i shpërthen makina, ngjarje për të cilën policia tha se ishte aksidentale dhe rezultat i një qarku të shkurtër në makinë, ndërsa tani policia ka hyrë në mjediset e gazetës, duke u përpjekur ta nxjerrë gazetarin jashtë”, - tha N. Ognianova.
Braçe: Qeveria konsumoi një krim të pastër ndaj gazetës “Tema”
Partia Socialiste ka reaguar në lidhje me ndërhyrjen e djeshme të policisë në redaksinë e gazetës “Tema”. Deputeti Erion Braçe është shprehur se me veprimet e tij kryeministri Berisha po cenon lirinë e fjalës. “Në Republikën e Shqipërisë, qeveria kryen krim të rëndë në rastet kur nxjerr policët nga kazerma për të nxjerrë me dhunë një gazetë nga zyrat e saj”, - kështu e ka konsideruar selia rozë veprimin e djeshëm. Ndër të tjera, Braçe ka thënë se ky është një kulm i ri i dhunës ndaj shtetit ligjor dhe medias së pavarur. Sipas Partisë Socialiste, qeveria ka shkelur hapur një vendim të gjykatës e si rezultat prokuroria duhet të fillojë menjëherë punën për të nisur një procedim penal për të gjithë ata që janë të përfshirë në zaptimin e gazetës “Tema”. Këto veprime janë konsideruar nga opozita, si dëshmi e përkeqësimit të marrëdhënieve mes kryeministrit Berisha dhe medias së pavarur.
Meta: “Absurd, rikthimi i historive me djegie dhe bllokim gazetash”
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka dënuar sulmet e ndërmarra nga qeveria për të bllokuar gazetën “Tema”. Meta tha se nuk është hera e parë që kryeministri Berisha shfaqet agresiv ndaj lirisë së medias. Ai e cilësoi absurd dhe të papranueshëm rikthimin e historive të Berishës për bllokimin apo djegien e gazetave. “Historia e bllokimit apo djegieve të gazetave nuk është diçka e re në CV e kryeministrit Berisha, por është krejtësisht absurde dhe e papranueshme që ngjarje të tilla, si këto të kohëve të fundit me gazetën “Tema”, rikthehen në Shqipërinë e vitit 2009, pasi kuptohet që liria e medias, liria e informacionit dhe liria për të kritikuar pushtetin dhe qeverinë, janë esenciale për thelbin dhe për vetë funksionimin e një sistemi demokratik. Unë nuk jam i zhgënjyer pse Berisha ndërmerr veprime të tilla, pasi padyshim që ai mbetet një nga inkuizitorët e mendimit të lirë në Shqipëri, por do të dëshiroja që i gjithë opinioni publik të shprehte solidaritet jo vetëm me gazetën “Tema” dhe drejtuesit e saj, të cilët dikur kanë qenë të privilegjuarit e qeverisë “Berisha”, për shkak të afërsisë politike dhe sot kthehen në të persekutuarit e qeverisë “Berisha” për shkak të kritikave që bëjnë ndaj qeverisë”, - tha Meta.
10 Janar 2009