E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhen zgjedhjet për postin e kryetarit të Degës së PD-së së Tiranës



Vonesat në përfundimin e zgjedhjeve në seksionet e Partisë Demokratike në Tiranë kanë bërë që të shtyhet mbajtja e zgjedhjeve edhe për postin e kryetarit të Degës së PD-së së Kryeqytetit. Burime nga kandidatët e propozuar nga baza për këtë post kanë bërë të ditur për gazetën, se udhëzimi i lëshuar prej kohësh nga kryesia e Partisë Demokratike kishte parashikuar datën 20 janar si datën në të cilën duhej të përfundonte faza e parë e procesit zgjedhor. Faza e parë e procesit zgjedhor në PD përfshin zhvillimin e zgjedhjeve për drejtuesit e seksioneve dhe të grupseksioneve në Degën e PD-së së Tiranës, por dhe në ato të rretheve të tjera të vendit. Burimet kanë bërë të ditur se faza e parë e zgjedhjeve nuk ka përfunduar ende. Madje në kryeqytet numërohen me dhjetëra seksione që nuk i kanë realizuar zgjedhjet. Megjithëse nuk ka ndonjë udhëzim të dytë nga kryesia e partisë, burimet mendojnë se do të ketë shtyrje të mbajtjes së zgjedhjeve për postin e kryetarit të Degës së
PD-së së Tiranës. Pritet të zhvillohet një mbledhje e kryesisë së kësaj partie, që të japë udhëzimet e reja për strukturat e partisë dhe për të vendosur një afat të dytë për fillimin e fushatës për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës. Ndërkohë që seksionet në Tiranë kanë depozituar me dhjetëra kandidatura për postin e kryetarit të degës. Në statutin e partisë përcaktohet se kandidaturat për kryetarë degësh propozohen nga anëtarësia e seksioneve të partisë, të cilat i dërgohen kryesisë qendrore. Është pikërisht kryesia qendrore struktura më e lartë vendimmarrëse, e cila shqyrton propozimet e bazës dhe bën seleksionimin e emrave të propozuar. Më pas mblidhet kuvendi i degës, në të cilën zhvillohen zgjedhjet. Në kuvend marrin pjesë delegatët e seksioneve, të cilët votojnë për kandidatët për kryetarë dege.

10 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›