E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Vendimi i qeverisë për naftën D2 krijon monopol në treg”



Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkon nga qeveria që të heqë dorë nga vendimi për ndalimin e importit të naftës “D2”, duke deklaruar se një vendim i tillë nxit krijimin e monopoleve në sektorin e hidrokarbureve. Këtë deklaratë Rama e bëri pas takimit që zhvilloi me përfaqësuesit e Shoqatës së Tregtarëve të Hidrokarbureve. “Është shumë e rëndësishme të thuhet gjithashtu se krijimi i një situate monopol kërcënon pikërisht interesat e vendit, sepse kërcënon themelet e funksionimit të këtij sistemi dhe prek jo pak shqiptarë e shqiptare, që gjenden në një grackë mbytëse për shkak të mungesës së një konkurrence. Këtë ne nuk mund ta pranojmë. Askush nuk mund ta pranojë”, - tha Rama. Kreu i PS-së theksoi se e ngrinte këtë shqetësim jo si çështje për të përfituar opozita, por si një shqetësim që prek të gjithë shqiptarët. Ai i bëri thirrje qeverisë që ta shqyrtojë me maturi dhe transparencë çështjen në fjalë. “Dua ta theksoj që ky nuk është rasti dhe pa dyshim unë nuk do të bëj këtu një paradë për të nxjerrë përfitime politike nga një çështje që është delikate dhe që duhet zgjidhur. Ajo që ka rëndësi themelore është që ajo të zgjidhet, dhe jo që të përfitojë politikisht opozita. Kështu që unë dua dhe kërkoj që qeveria ta shohë këtë çështje me shumë qetësi, maturi, urtësi dhe transparencë, përpara se kjo të kthehet në një çështje eksplozive në mjedisin shqiptar. Kryeministri thotë se do të mbrojë mushkëritë e shqiptarëve. E përshëndes edhe unë, edhe ju dhe çdokush tjetër është i dëshiruar që mushkëritë e shqiptarëve të mbrohen. Por, të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se mushkëritë e shqiptarëve nuk mbrohen nga helmi i naftës ‘D2’, që vjen nga Europa, duke iu futur helmin e naftës ‘D2’, që prodhohet në vend”, - tha kreu i PS-së Edi Rama.

Dy standarde
Rama tha se ligji i hidrokarbureve synon evitimin e ndotjes së mjedisit, por sipas kreut të PS-së, qeveria po përdor dy standarde. “Bashkimi Europian, të cilit përfaqësuesit e qeverisë dhe vetë kryeministri i referohen lidhur me këtë çështje, sigurisht që ka ekzigjenca të forta, që kanë të bëjnë me ndotjen e mjedisit. Sigurisht, BE-ja kërkon prej nesh angazhime konkrete për frenimin e kësaj ndotjeje dhe pa dyshim që mirëpret edhe masat në drejtim të njërit prej burimeve më të mëdha e më të rrezikshëm të ndotjes, që është pikërisht burimi i lëndëve që djegin makinat në Shqipëri. Por, BE-ja ka mbi të gjitha një standard të standardeve. Ky është që: S'mund të ketë dy standarde. Sot ne jemi në kushtet kur qeveria po përdor dy standarde në çështjen në fjalë dhe interesat e prodhimit vendas, kur vjen fjala për naftën, që është një pasuri shumë e çmuar kombëtare e çdo vendi, janë një koncept që duhet parë dhe duhet trajtuar me shumë kujdes”, - vijoi Rama.

Takimi
Kreu i PS-së i bëri thirrje kryeministrit që të respektojë dhe të marrë mendimet e grupeve të interesit për vendimin në fjalë. Ai kërkoi nga Berisha që të takohet dhe të dëgjojë shqetësimet e shprehura nga Shoqata e Tregtarëve të Hidrokarbureve. “Nga ana tjetër, unë dua që të vë theksin te domosdoshmëria që ky të jetë një proces dëgjimi dhe respektimi i palëve. I kërkoj Sali Berishës që t'i dëgjojë këta njerëz që unë sot takova dhe që përfaqësojnë kontribute të rëndësishme në ekonominë shqiptare prej shumë e shumë vitesh dhe të cilët operojnë në një treg të hapur e të çliruar, në një proces shumë të vështirë, e ndërkohë përfaqësojnë interesa të mijëra familjeve, pa llogaritur edhe rolin e tyre në të gjithë sistemin e të ardhurave të këtij vendi dhe duke mos harruar dhe investimet shumë milionëshe të tyre në përmirësimin e sistemit”, - tha kreu i PS-së, Edi Rama.

10 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›