E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli: “Nafta D2 do të vazhdojë të tregtohet edhe gjatë vitit 2009”



Nafta e cilësisë së dorës së dytë “D2”, e cila prodhohet nga rafineritë shqiptare, do të lejohet të tregtohet edhe gjatë vitit 2009. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, sqaroi dje vendimin e qeverisë lidhur me këtë lloj nafte, ku sipas tij, një gjë e tillë bëhet që kompanisë që ka privatizuar “ARMO”-n t'i lihet kohë që të kryejë investimet e duhura në mënyrë që standardet e karburantit që do të prodhohen t'i afrohen atyre europiane dhe ta dëmtojnë sa më pak mjedisin. “Kjo masë ka një qëllim të vetëm, atë ambiental, për të përmirësuar cilësinë e ambientit dhe të ajrit në Shqipëri, duke ditur që kjo lloj nafte ka një përmbajtje të lartë squfuri”, - tha ministri Ruli. Sipas tij, me vendimin e qeverisë, të marrë në mes të vitit 2008, për këtë vit (2009) lejohet të përdoret nafta “D2” e prodhuar nga nafta e vendit. “Pra ajo pjesë e naftës, që nxirret nga vendburime shqiptare dhe që rafinohet në rafineritë në Shqipëri, më konkretisht nga kompania ‘ARMO’”. Ruli sqaroi se “ARMO”-s i është dhënë kufizimi që të jetë prodhuesi i vetëm, por jo tregtar i vetëm i kësaj nafte. Sipas tij, “ARMO është e detyruar që produktin e saj t’ua shesë të gjitha subjekteve që janë pajisur nga kjo ministri me licencën e tregtimit me shumicë të naftës, me një çmim të orientuar nga kostot”. Mbi monopolizimin e tregut të cilësisë “Diesel” apo “D2”, ministri Ruli është shprehur se “një gjë e tillë është ekzagjeruar pasi masat që janë marrë nga qeveria dhe Autoriteti i Konkurrencës nuk e lejojnë që ARMO të jetë tregtuesi i vetëm i këtij lloji produkti dhe gjithashtu edhe çmimi që do të vendoset do të mbikëqyret nga institucionet përkatëse”. Akciza për këtë vit do të jetë e njëjtë edhe për karburantin që do të prodhohet në vend. Sipas qeverisë shqiptare, me anë të ndalimit të importit të naftës me përmbajtje të madhe squfuri synohet që të ulet sasia e konsumit në Shqipëri dhe një iniciativë e tillë ka filluar që në vitin 2007. Nga 1 janari 2009 është ndaluar përdorimi për automjete dhe gjeneratorë, i naftës “D2” në tregun shqiptar për shkak të përmbajtjes së lartë të squfurit (mbi 1500 mg/kg) me objektivin që më 1 janar 1012 në Shqipëri të mos përdoret gazoil me përmbajtje më shumë se 10mg/kg. Ky është një detyrim i MSA-së dhe i Traktatit të Komunitetit të Energjisë.

10 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›