“Kryeministri Berisha po hakmerret politikisht ndaj gazetës “Tema”
“Kryeministri Sali Berisha ka urdhëruar sot ndalimin e botimit të gazetës “Tema”. Dy kordonë të përforcuar policie bllokuan hyrjen e redaksisë, duke e bërë të pamundur botimin e gazetës. Gazetarët pritën me orë të tëra para kordonit të policisë, por ata nuk u lejuan të hynin edhe pse kishin në dorë vendimin e Gjykatës së Tiranës, të datës 6 maj 2009, i cili pezullonte çdo veprim administrativ kundër kontratës 20-vjeçare që gazeta ka me Ministrinë e Ekonomisë. Policia kishte marrë nga Ministria e Brendshme një listë të punonjësve që lejoheshin të hynin në atë territor, që u përket tri kompanive të tjera, ndërsa kishte hequr nga lista vetëm ekipin e gazetës “Tema”. Dhjetëra gazetarë të mediave të tjera iu bashkuan përpjekjeve për të bindur policinë që të zbatonte ligjin, por ata nuk pranuan të zbatonin vendimin e gjykatës. Në këto kushte, gazeta “Tema” nuk mund të botohet. Gazetarët nuk kanë më asnjë kontakt fizik me redaksinë ku kanë mjetet e punës dhe shtypshkronjën ku shtypet gazeta. Redaksia e gazetës “Tema” i bën thirrje drejtësisë shqiptare të vendosë në vend autoritetin e vet duke penalizuar ata që shkelin brutalisht ligjin për hakmarrje politike. Gazeta i bën thirrje Presidentit të Republikës të inkurajojë drejtësinë që të bëjë detyrën e vet dhe t’i çojë në bankën e të akuzuarve ata zyrtarë që janë vënë në shërbim të urdhrave të verbër politikë dhe jo ligjit. Gazeta falënderon të gjithë gazetarët shqiptarë dhe qindra mijëra qytetarë shqiptarë që po e mbështesin gazetën në këto momente të vështira të saj. Gazeta falënderon përfaqësuesit e trupit diplomatik në Tiranë për interesimin e tyre rreth këtij skandali dhe veçanërisht ndihet e mbështetur nga reagimi i shpejtë dhe parimor i Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë. Gazeta “Tema” do të përdorë të gjitha rrugët ligjore për të çuar përpara drejtësisë ata që po përpiqen ta ndalojnë përmes urdhrave politikë botimin e saj. Ne e dimë se ndëshkimi që kryeministri Sali Berisha ka urdhëruar ndaj nesh pason botimin prej nesh të dosjes kriminale të tragjedisë së Gërdecit dhe lobimin e djalit të tij për këtë kontratë kriminale; pason historinë e sekserit serbo-boshnjak të familjes Berisha, Damir Fazlliç; pason historitë e abuzimeve në rrugën Rrëshen-Kalimash si dhe skandalin e privatizimit të kompanisë ARMO. Ky nuk është shantazhi i parë me të cilin po ndeshet gazeta vitin e fundit. Ky shantazh pason sulme personale dhe familjare deri dhe në kërcënim fizik të pronës ndaj botuesit të gazetës “Tema”, Mero Baze. Gazeta “Tema” nuk do të botohet dot sot. Ndoshta kryeministri Sali Berisha mund ta ndalojë atë të botohet edhe një ose dy ditë më shumë, por nuk do të mundet ta ndalojë përgjithmonë. Gazeta do të jetë sërish në treg, sa më shpejt të jetë e mundur, ndërsa policët politikë të Sali Berishës dhe vetë ai do të kenë punë me drejtësinë, shtetin ligjor dhe opinionin publik.
---------------
* Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Forumi Shqiptar për Mediat e Lira
10 Janar 2009