Kordoni i policisë bllokon gazetën “Tema”, qeveria nëpërkëmb vendimin gjyqësor
Dje, në prani të kamerave, dhjetëra gazetarë dhe botues kërkuan respektimin e vendimit gjyqësor. Policët: Ju lutemi, çojani këtë vendim gjykate eprorëve tanë, sepse ata na kanë urdhëruar verbalisht
Habjon Hasani
Tiranë - Dy kordonë me forca policore ndaluan mesditën e djeshme gazetarët e gazetës “Tema” të hyjnë në ambientet e brendshme të redaksisë, pasi objekti ku ndodhet gazeta quhet objekt strategjik. Është quajtur kështu, pasi, sipas qeverisë, në këto ambiente do të prodhohen kartat e identitetit dhe për këtë shkak policia duhet të garantojë sigurinë e procesit të saponisur. Drejtori i gazetës “Tema”, Mero Baze, si dhe stafi i kësaj gazete, kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë dhe e kanë cilësuar atë si një vendim politik dhe një hakmarrje e kryeministrit Berisha ndaj gazetës, e cila ka qenë shumë kritike ndaj tij. Protesta e stafit të gazetës “Tema” është mbështetur dje edhe nga dhjetëra gazetarë të tjerë të medias së shkruar dhe vizive, të cilët kanë vlerësuar se pas këtij akti është qëndrimi hakmarrës i kryeministrit Sali Berisha. “Zotëri, të lutem shikoje këtë vendim gjykate! Mua Kushtetuta më garanton të punoj i qetë në pronën time, pasi Gjykata ma ka njohur këtë të drejtë. As ju, as eprorët tuaj, nuk mundeni të dilni mbi gjykatat”, - i është shprehur Baze përfaqësuesit të forcave policore pranë redaksisë. Nga ana e tij, përfaqësuesi i togës policore ka deklaruar se duhej që këtë vendim gjykate ta paraqiste te eprorët e tij pasi ai vetë kishte urdhër të prerë për të mos lejuar hyrjen e stafit të gazetës në objekt. Me policinë kanë debatuar edhe përfaqësuesit e tri shoqatave të gazetarëve, të cilët gjithashtu kanë shprehur qëndrimin e tyre për dhunimin e hapur të ligjit. Ylli Rakipi, Aleksandër Çipa, Andi Bushati e Andrea Stefani kanë debatuar dje për rreth 40 minuta me përfaqësuesit policorë.
Arsyet
Mero Baze, drejtori dhe pronari i gazetës “Tema”, është shprehur dje gjatë protestës para kordonit policor se redaksia e tij me ndërtesën ku do të prodhohen kartat e identitetit janë në distancë me njëra-tjetrën. Sipas tij, ky është thjesht një justifikim i qeverisë për të marrë këto masa, që ndër të tjera është edhe prishja e një marrëveshjeje mes kompanisë së tij mediatike dhe qeverisë për ta marrë këtë ambient me qira për disa vite. Në mbështetje të gazetës “Tema” reagoi mbrëmjen e së enjtes edhe Ambasada Amerikanë në Tiranë. Në reagimin e saj, kjo Ambasadë theksoi se ka një vendim gjykate, e cila lejon vazhdimin e punës në këtë redaksi. Rreth katër orë më vonë, Baze ka treguar për “Zërin e Amerikës” arsyet që, sipas tij, kanë çuar në këtë sfidim të hapur që qeveria dhe policia po u bën vendimeve të drejtësisë. “Berisha ka urdhëruar të mos zbatohet vendimi i gjykatës. Ne nuk kemi hyrë ilegalisht në atë ndërtesë, por kemi nënshkruar një kontratë 20-vjeçare, prandaj mendojmë se kjo është dora e qeverisë. Është një hakmarrje ndaj gazetës “Tema””, - ka deklaruar Baze. Sipas tij, redaksia e “Tema”-s ka hyrë në ndërtesë para se qeveria ta shpallte atë si të rëndësisë së veçantë dhe bllokimi i saj nuk ka të bëjë fare me projektin e kartave të identitetit.
Baze
“Qeveria e mori vendimin për ta shpallur objekt të rëndësisë së veçantë një vit pasi ne kishim hyrë në ambientet e ndërtesës. Kjo nuk ka të bëjë fare me prodhimin e kartave të identitetit, pasi në atë zonë punojnë edhe firma të tjera dhe policët ndaluan vetëm gazetarët e gazetës “Tema””, - ka pohuar Baze. Ai ka shtuar më tej se me këtë bllokim, gazeta rrezikon të mos publikohet normalisht pasi në ndërtesë ndodhen kompjuterat e faqosjes dhe shtypshkronja.
10 Janar 2009