E Shtunë, 31 Tetor 2026

ANTIMAFIA SI LIGJ APO SI SHANTAZH?

Miratimi i ligjit të ashtuquajtur "Antimafia" nga Kuvendi i Shqipërisë përkoi me një periudhë të nxehtë politike në Shqipëri. Ligji u aprovua me një shumicë të thjeshtë të deputetëve, pa shumicën e cilësuar që nënkupton dhe votat e opozitës, sikurse parashikon Kushtetuta për ligje të veçanta, që lidhen me aktivitetin e institucioneve të drejtësisë. Ekspertët që u morën me hartimin e projektligjit pretendojnë se në tërësinë e tij, ai nuk shkel apo cenon të drejtat e njeriut. Ligji parashikon nisjen e hetimeve për çdo person ndaj të cilit ka dyshime ose indice se pasuria që ka vënë ka buruar nga aktivitete kriminale ose nga aktivitete që lidhen me krimin e organizuar. Ai e shtrin fuqinë e tij edhe për çdo familjar që lidhet me personin nën hetim, i cili nuk justifikon pasurinë, në raport me të ardhurat që ka. Sipas ekspertëve të fushës, kjo pikë dhe disa nene të tjera të ligjit përbëjnë shkelje të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Nëse deri sot, doktrina e së drejtës ka në themel të saj prezumimin e pafajësisë, që do të thotë se çdo person konsiderohet i pafajshëm, deri në momentin kur për të nuk ka një vendim gjykate që e shpall fajtor, ligji "Antimafie" e shkel hapur këtë parim, duke e marrë personin apriori si të fajshëm. Kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm, pasi shumë nga organet që ligji ngarkon për hetimin e pasurisë, mund ta përdorin autoritetin që i jep ky ligj, për të shantazhuar qoftë individët e thjeshtë, qoftë ata që kanë begraund politik. Dhe shantazhi mund të shfaqet për përfitime të disallojshme. Së pari, ligji mund të kthehet në një burim fitimprurës korruptiv. Inspektorë, prokurorë apo gjyqtarë, të cilët në Shqipëri nuk janë të imunizuar nga lakmia për para, mund të hapin hetime dhe të shantazhojnë persona që gëzojnë pasuri të mëdha, që nuk i kanë si rrjedhojë e një aktiviteti kriminal, por që për rrethana subjektive nuk mund ta justifikojnë atë. Së dyti, ligji nuk do të ketë forcën e trumbetuar, sepse personat që kanë vënë pasuri të paligjshme nga aktivitete kriminale, nuk e kanë aspak problem të korruptojnë prokurorë, gjykatës ose çdokënd, për të marrë "dëftesën" e pastërtisë për pasurinë e tyre. Dhe së treti dhe çka është më e pritshmja, ligji "Antimafia" mund të përdoret për "gjueti shtrigash" ose shantazh politik, nga Kryeministri si për kundërshtarët në opozitë, por dhe për vetë deputetët apo anëtarët e mazhorancës. Dyshimi se ky ligj mund të përdoret për shantazh politik, nuk do të ekzistonte nëse në Shqipëri do të kishim një sistem të pavarur drejtësie, apo një Kryeministër që nuk i përdor dosjet e Sigurimit të Shtetit për të shantazhuar kundërshtarët politikë apo bashkëpunëtorët e tij brenda mazhorancës. Në këtë mënyrë, në periudhën dhe formën që u miratua ligji "Antimafia" mund t‘i japë një tjetër armë të fortë Berishës, për të ushtruar presion për interesa politike që lidhen me qeverisjen dhe forcimin e pushtetit të tij. Nuk ka shqiptar që s‘e di se interesat politike janë të lidhura ngushtë me ato ekonomike. Nuk ka shqiptar që s‘e di se shumë pasuri apo monopole në këtë vend kanë nga pas suportin e politikës, si në të djathtë dhe në të majtë. Paketa ligjore penale e miratuar në vitin 2004 nga Kuvendi i Shqipërisë për luftën kundër krimit të organizuar, parashikon edhe sekuestrimin e pasurive të krijuara nga aktivitete kriminale, kur fajësia provohet nga gjykata. Kjo do të thotë se ligji nuk ka munguar, por ka munguar vullneti politik për ta zbatuar atë. Shqiptarët ia dhanë votën Berishës më 2005-n, sepse kur ishte në opozitë i tha ish-Kryeministrit të qeverisë së asaj kohe, Fatos Nano publikisht në Kuvend se do të hetonte e konfiskonte çdo pasuri krimi e se do të përdorte gërshërët e ligjit për çdo pushtetar e çdokënd që ishte pasuruar abuzivisht, në kurriz të shqiptarëve. Me këtë kartë, Berisha erdhi në pushtet, por dhe sot, pas më shumë se katër vitesh, këto deklarata kanë mbetur demagogji, sepse mbi vetë Kryeministrin dhe bashkëpunëtorët e tij kanë rënë hije dyshimi për afera korruptive. Pasuria e asnjë politikani s‘është hetuar. Akuza të rënda janë lëshuar si majtas e djathtas, por vetëm kaq. Fjalë e demagogji dhe aspak transparencë e drejtësi. Këtë fat duket se do të ketë edhe ligji "Antimafia", që edhe nëse do të zbatohet, do të përdoret si një vegël shantazhuese që t‘u mbyllë gojën, ose të detyrojë eksponentët politikë t‘u binden interesave të Kryeministrit, sipas kohës e rastit e jo për të pastruar politikën dhe shoqërinë nga këmbët e krimit të organizuar mbi të cilat ndoshta qëndrojnë edhe karrige ministrash në qeveri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›