E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceremonia olimpike Greqia nuk heq dore

Komiteti Olimpik i Greqisë konfirmoi se ceremonia e Flakës Olimpike dhe stafeta e pishtarit drejt Lojërave në Londër do të vijojë si normalisht, pavarësisht krizës ekonomike në të cilën është zhytur vendi. Këtë e ka konfirmuar presidenti i Komitetit Olimpik Grek, Spiros Kapralos.
“Pavarësisht vështirësive të mëdha financiare që po kalon vendi ynë, e natyrshëm edhe Komiteti Olimpik Grek, në përfundim kemi vendosur që të mos heqim dorë nga ceremonia e dorëzimit të pishtarit. Siç e shikoni nga harta, flaka olimpike do të shëtisë në të gjithë vendin, në një tentativë për ti kujtuar të gjithëve rëndësinë e Lojërave Olimpike, faktin që gjithçka nisi në Greqi. Vendosëm që kjo ishte diçka e rëndësishme dhe do të shfrytëzojmë fondet që sponsorët tanë kanë akorduar me shumë bujari”, tha ai.
Organizatorët konfirmuan gjithashtu se do të ketë masa të rrepta sigurie, për të evituar që protestat e mundshme të ndërpresin udhëtimin e flakës olimpike, pasi që prej fillesës së krizës, Greqia është pushtuar nga grumbullimet ditore të njerëzve të pakënaqur.
Flaka do të ndizet më 10 maj në Olimpia-n e lashtë, e cila është vendlindja e Lojërave. Për një javë, ajo do të udhëtojë nëpër Greqi, ku sipas itenerarit do të përshkruajë 43 qytete, për një total prej 3 mijë kilometrash. Pishtari do të mbahet nga afro 500 persona, përpara se të nisë udhëtimin nga Athina drejt Londrës më 17 mars. Flaka do të mbërrijë në Londër për Olimpiadën 2012 më 18 maj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›