E Shtunë, 31 Tetor 2026

Huliganet ne Brazil vritet tifozi

Një tifoz brazilian i Palmeirasit ka humbur jetën pasi u qëllua në kokë nga një tifoz kundërshtar i Korinthiasit, në përplasjen mes dy bandave rivale huliganësh, përpara derbit në Sao Paolo. Dhuna në qytetet e mëdha, duke përfshirë këtu edhe huliganët e futbollit, janë një prej problemeve më të mëdha me të cilat Brazili po përballet, kur kanë mbetur edhe dy vjet nga zhvillimi I Kupës së Botës 2014.

Policia bëri të ditur se 500 mbështetës të Palmeirasit po udhëtonin drejt stadiumit “Pacaembu” të Korinthiasit, kur tifozët vendas u konfrontuan me armë zjarri, shufra hekuri dhe granada të prodhuara vetë. Nga dhuna u plagosën të paktën 20 veta, duke përfshirë edhe një fans 21-vjeçar, i cili humbi jetën në spital, pas plagosjes me armë zjarri. 

Pamjet amatore të regjistruara nga dëshmimtarët e rastit paraqesin skenat e betejës në rrugë dhe tifozin e gjakosur të shtrirë në tokë, në pritje të ndihmës. Ai është dërguar në spital nga forcat e policisë vetëm pasi përplasja mes dy bandave rivale kishte përfunduar. 

Vendi ku u zhvillua përleshja njihet si një zonë ku shpeshherë ndodhin konfrontime ndërmjet tifozerive rivale të klubeve të mëdha të Sao Paolos. Që prej masave të rrepta të policisë për të evituar konfliktet në stadiume, dhuna ndërmjet tifozëve është transferuar në zonat rreth impanteve. 

Në ndeshjen që Korinthiasi fitoi 2-1 me Palmeirasin, duke i dhënë fund ecurisë prej 21 ndeshjesh radhazi pa humbje të kundërshtarëve, tifozët vendas janë përplasur edhe me policinë, pasi kishin mbetur jashtë stadiumit, ndërsa forcat e rendit kanë përdorur gazin lotsjellës për ti zbrapsur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›