E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballje gjigantësh

Çerekfinalja e Ligës së Kampionëve sjell përballjen e gjigantëve të futbollit evropian, Milan e Barcelona. Rossonerët pretendojnë ta ndërpresin dominimin e fundit të katalunasve në Evropë, kurse Messi me shokë synojnë t’i përsërisin përballjet e fazës së grupeve me kampionin italian. Në duelin tjetër, Bayerni në formë do të ketë punë me ekipin e papërshtatshëm Olympique Marseille.

Liga e Kampionëve vazhdon me dy ndeshjet tjera çerekfinale, të cilat zhvillohen sonte. Pa dyshim, super sfida e kësaj faze do të jetë ajo ndërmjet Milanit dhe Barcelonës.

Dy gjigantët e futbollit evropian ishin takuar në mes vete edhe në fazën e grupeve me katalunasit që ishin më të suksesshëm, duke i fituar katër pikë ndaj Rossonerëve. Milani synon ta ndërpresë dominimin e ekipit të Pep Guardiolës në futbollin evropian viteve të fundit.

“Ne do të luajmë kundër ekipit më të mirë në botë. Por, Milani do ta bëjë më të mirën, sepse është mësuar t’i menaxhojë gjërat në ndeshje si kjo”, është shprehur trajneri i kampionëve të Italisë, Massimiliano Allegri.

Në anën tjetër, trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka respekt të madh për kundërshtarin, i cili është shtatë herë kampion i Evropës. “Është nder të luash kundër Milanit, i cili është ndër skuadrat më të mira në botë. Për t’i arritur synimet tona duhet t’i mposhtim më të fortit”, ka thënë trajneri spanjoll.

Trajneri Massimiliano Allegri e ka rikuperuar Robinhon, por do të jetë i hendikepuar pa të diskualifikuarin Van Bommel dhe të lënduarit Abate, Pato e Thiago Silva. Në anën tjetër, Guardiola pritet ta vendosë në të majtë kapitenin Carles Puyol për shkak të mungesës së dyshes Abidal e Adriano, që luajnë në këtë pozitë.

Por, katalunasit e kanë në ekip një super lojtar si Lionel Messi, i cili u bë futbollisti i vetëm që shënoi pesë gola në një ndeshje, kur shënoi ndaj Bayer Leverkusenit në fitoren 7:1 në të tetën e finales. Ylli argjentinas ka shënuar 12 gola këtë sezon në këtë kompeticion, kështu që do të jetë lojtari më i rrezikshëm për mbrojtjen kundërshtare.

Në duelin tjetër, Bayerni i Munichut pasi e eliminoi Baselin e Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës, do të ketë punë me Olympique Marseillen, që në të tetën e finales e çoi në shtëpi Interin.

Përkundër faktit se po u shkojnë punët keq në Ligue 1, marsejezët po tregohen të rrezikshëm në Evropë, kështu që gjiganti bavarez nuk do të ketë punë aspak të lehtë, edhe pse po kalon nëpër një formë të shkëlqyeshme.

Por, Frank Ribery synon ta eliminojë ish skuadrën e tij, duke e furnizuar me topa golashënuesin më të mirë të këtij ekipi, si në Evropë, ashtu edhe në Bundesligë, Mario Gomez.

Liga e Kampionëve:

Çerekfinalja

E mërkurë

Marseille – Bayern 20:45

Milan – Barcelona 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›