Mou flet per te evituar gjoben

Madrilenët paraqiten në këtë sfidë pas një ecurie të dobët në La Liga dhe kontestimeve për gjyqtarët, ndërsa tekniku portugez ka zgjedhur heshtjen për shtyp në Spanjë. Por, për ndeshjen në Qipro, ai është shfaqur në konferencën për shtyp i detyruar nga rregullat e UEFA-s, që detyrojnë trajnerin dhe një lojtar të skuadrës të dalin përpara mediave, një ditë para ndeshjes dhe menjëherë pas saj.
Ndëshkimet dhe gjobat janë mjaft të larta, e në këtë mënyrë, pas bojkotit të tre konferencave në La Liga, Mou doli përpara gazetarëve, ku mbetet gjithmonë i zakonshmi. Ai deklaroi se nuk duhet të justifikohet për asgjë, pasi vendimi nuk ishte i tiji, ndërsa hodhi poshtë zërat për një tjetër përçarje në radhët e skuadrës, me lojtarët që nuk kanë pranuar të japin deklarata kundër gjyqtarëve. Më tej Murinjo foli edhe për ndeshjen me Apoelin, ku Reali paraqitet me skuadrën më të mirë, ndërsa mungesa e vetme është Ksabi Alonso.
“Natyrisht që ne jemi favoritë në këtë sfidë dhe këtë nuk mund ta mohojmë. Në letër jemi skuadra më e fort, nëse krahasojmë historinë e dy klubeve por edhe potencialin ekonomik. Gjithsesi, Apoeli po përjeton një ëndërr europiane dhe do të luajë me shpirt për të fituar. Për mendimin tim, na pret një ndeshje e vështirë, ndërsa kualifikimi do të vendoset në takimin e kthimit në ‘Santiago Bernabeu’”, u shpreh Mou.