ARKIVA BRITANIKE. Dështimi anglez me nacionalistët e Abaz Kupit në Luftën e Dytë Botërore
Ofensiva e Forcave Nacional Çlirimtare (FNÇ) kundër Abaz Kupit nisi më 5 korrik dhe qysh nga ai moment ai qëndroi në Lurë deri në mëngjesin e 7 korrikut, për t’u takuar me Smithin. Aty, nga mbrëmja e 7 korrikut, ai u ribashkua me trungun kryesor të forcave të tij pranë Burrelit. Në atë kohë, Forcat Nacional Çlirimtare kishin pushtuar tashmë të gjithë luginën e Shupalit, përfshirë Shtabin Qendror të Kupit dhe gjysmën e Matit, duke e privuar në këtë mënyrë atë nga pjesa më e madhe e territorit që kishte në zotërim dhe burimin e potencës së forcave të tij. Kjo situatë ishte e rëndë dhe pasi dha udhëzime për mbrojtjen e pjesës perëndimore të Matit, ai nxitoi të çante përmes kalimit të Qafështamës për të shkuar te baza e tij në Lurë, me qëllim që të mobilizonte forcat e tij të mbetura atje për mbrojtjen e rajonit të Krujës, që tashmë kërcënohej nga Forcat Nacional Çlirimtare pranë Bastarit.
Ofensiva e Forcave Nacional Çlirimtare kundër Dibrës dhe Matit, e cila kërcënonte gjithashtu edhe Mirditën, solli në fund themelimin e një aleance mes Kupit, Gjon Markagjonit, Fiqiri Dines dhe regjencës kundër forcave partizane. Ishte pikërisht kjo aleancë për të cilën kishin punuar më kot Mustafa Kruja, Mehdi Frashëri dhe bashkëpunëtorë të tjerë të gjermanëve, fill pas kapitullimit të Italisë dhe tani që pozicionimi ushtarak i Kupit ishte kritik, erdhi koha e duhur për një iniciativë politike nga kolaboracionistët e Tiranës. Si rezultat, bisedimet ka të ngjarë të jenë zhvilluar në Lurë (11 korrik) mes Kupit, Mustafa Krujës, Mark Gjonmarkajt, djalit të Gjon Markagjonit dhe përfaqësuesve të Fiqiri Dinos dhe Mehdi Frashërit.
Loja e Abaz Kupit
Asnjë akuzë për bashkëpunim me armikun nuk u ngrit ndaj Kupit gjatë periudhës përpara takimit të Lurës dhe nuk ka dyshim që pas 6 shtatorit ai ishte në konflikt të hapur me gjermanët. Si rrjedhojë, është pikërisht periudha ndërmjet 11 korrikut dhe 6 shtatorit për t’iu referuar të gjitha këtyre ndryshimeve. Është e vërtetë se rreziku i revolucionit social që kanosej nga Forcat Nacional Çlirimtare krijoi një komunitet interesash mes Kupit dhe elementeve kolaboracioniste dhe është e mundur që kontaktet që kishin ekzistuar përherë mes tyre, siç kishin ekzistuar në të vërtetë mes kolaboracionistëve dhe FNÇ-së, patën një karakter më pak informativ. Është gjithashtu e vërtetë se pas takimit të Lurës, ka të ngjarë, si rezultat i tij, Kupi siguroi 30 000 municione dhe në një rast 20 kamionë për transportimin e civilëve, gjatë të cilit ai nxitoi me forcat e tij përmes Qafështamës për t’u lehtësuar disi në rajonin e Matit. Në gjashtë javët e ardhshme, ai ndau racione buke për trupat e tij, duke i siguruar nga bukëpjekësit e Tiranës për të cilat ka të ngjarë që organizata e tij të ketë paguar. Natyrisht, qeveria ishte përgatitur të inkurajonte fushatën e Kupit kundër Frontit Nacional Çlirimtar, ndërsa gjermanëve, mendohet, se u mjaftonte fakti që të vinin re se përpjekjet e Frontit Nacional Çlirimtar drejtoheshin më shumë kundër zogistëve, sesa kundër objektivave gjermane. Gjithashtu, ka të ngjarë që Kupi të ishte në dijeni të vendimit të Fiqiri Dines për krijimin e një qeverie me simpatizantë të Zogut apo të Ballit, me synimin që ta përdornin makinerinë shtetërore kundër FNÇ-së, ndërsa Fiqiri Dine pranoi më vonë letrën për të siguruar para kesh dhe armë nga gjermanët.
Dokumente të tilla, që ranë në dorë të gjermanëve, të lënë përshtypjen se letra e konsideronte Kupin si agjent britanik dhe, në përgjithësi, qoftë në sferën ushtarake, ashtu edhe në sferën politike, ne nuk qemë kurrë në gjendje të kuptonim se ndonjë bashkëpunim me pushtuesit nga ana e Kupit do të kishte qenë i palogjikshëm. Ai e dinte mjaft mirë se pozicioni i tij politik, përveç faktit se bazohej në një influencë territoriale lokale rridhte plotësisht nga zotërimi i tij i mirë i anglishtes dhe fakti se ai përfaqësonte mbretin Zog, i cili ndodhej në Angli. Duke bashkëpunuar me gjermanët, disfata e të cilëve ishte, në çdo rast, e sigurt në atë periudhë, ai do ta kishte humbur menjëherë reputacionin e tij dhe do të kishte qenë asgjë më shumë sesa një prej bashkëpunëtorëve të shumtë të pushtuesit dhe një analfabet në këtë aspekt.
Beteja finale e nacionalistëve
Pozicioni i nacionalistëve u përkeqësua gradualisht aty nga muaji gusht. Kupi nuk kishte siguruar furnizime nga britanikët dhe influenca e tij kufizohej tashmë në Krujë dhe në Shijak, ndërsa Fiqiri Dine nuk arriti të siguronte as para kesh dhe as furnizime nga gjermanët, të cilët, duke qenë mosbesues ndaj shqiptarëve, iu kundërvunë edhe ballistëve, duke ekzekutuar Skënder Muçon me dyshimin se kontaktonte me anglezët dhe dëbuan disa ballistë nga Vlora drejt kampit të përqendrimit në Zemun. Sidoqoftë, natyra e propozimeve të Smithit, pavarësisht nga dështimi në pamje të parë, fakti se një mision britanik vazhdonte të kishte besim te Kupi dhe shembujt e revolucioneve rumune e bullgare, ku figura të tilla borgjeze dhe pjesëmarrëse aktive si Maniu dhe Giorgiefi ishin pjesë e qeverive të reja, i nxitën ata të besonin se britanikët nuk kishin për qëllim të lejonin që Fronti Nacional Çlirimtar të siguronte monopolin e pushtetit të pasluftës.
Rrjedha e ngjarjeve
Më 18 gusht, Fiqiri Dine dhe gjenerali Prenk Previsi, shef i Shtabit të Ushtrisë shqiptare, u takua me Kupin në Lurë për të kërkuar këshillën e tij lidhur me politikën që duhet të ndiqnin. Kupi propozoi që, së bashku me Gjon Markagjonin dhe ballistët, duhet të largoheshin nga Tirana me të gjitha forcat që kishin në dispozicion dhe të bashkoheshin me të në male kundër gjermanëve. Fiqiri Dine dhe Prenk Previsi duket se i joshi ky propozim, por vendosën që më parë të kërkonin mbështetje nga anglezët. Në përputhje me rrethanat, Kupi na informoi lidhur me këto negociata, të cilave ne iu referuam si Forca 399, duke qenë të pasigurt nëse një plan i tillë do të pajtohej me politikën ndaj Shqipërisë që ne e dinim se ishte në diskutim e sipër.
Më 24 gusht, një tjetër takim u zhvillua në Tiranë me pjesëmarrjen e Fiqiri Dines, Shefqet Vërlacit, Qemal Vrionit, Nuredin Vlorës, Mithat Frashërit dhe Ali Këlcyrës, ku u vendos të pranoheshin propozimet e Kupit për Fiqiri Dinen në rast se do të vinin ndihma nga anglezët.
Më 29 gusht, sipas udhëzimeve të Forcës 399, ne e informuam Kupin që t'ua transmetonte nacionalistëve të Tiranës se do të përgatiteshim për të marrë në konsideratë qëndrimin tonë ndaj tyre në rast se ata do të paraqisnin propozimet e tyre.
Po më 29 gusht Kupi na informoi se kishte vendosur të rifillonte operacionet kundër gjermanëve dhe t'i sulmonte në Durrës. (Një plan për të cilin ne ia kthyem mendjen pasi majori Smiley (Smajli) e njihte mirë kapacitetin mbrojtës të këtij qyteti).
Më 31 gusht, Fiqiri Dine dhe qeveria e tij dha dorëheqjen. Më 2 shtator, me kërkesën tonë, Kupi u zhvendos në zonën e Prezës për të ndihmuar në shkatërrimin e trupave të Turkestanit që gjendeshin mes Durrës dhe lumit Ishëm (Për hollësira shih shtesën B).
Më 5 shtator, u morën udhëzime nga Forca 399 "për të bërë ç'është e mundur që Kupi të hidhej në luftë".
Më 6 shtator, një çetë zogiste nën drejtimin e djalit të madh të Kupit, Petritit, së bashku me një skuadër ushtarake të Turkestanit, sulmoi dhe mori në kontroll shtabin e një baterie gjermane duke vrarë 10 gjermanë dhe duke sekuestruar materiale luftarake. Operacione të mëtejshme nga ana e forcave zogiste u kryen më 9, 10, 11, 12, 14, 20, 21 dhe 24 shtator (hollësirat jepen në shtesën A).
Më 6 shtator, si rezultat i garancive që na u dhanë, liderët e Ballit; Mithat Frashëri, Ali Këlcyra, Hasan Dosti, Koço Muço dhe Vasil Andoni u larguan nga Tirana për tu bashkuar me Kupin, duke sjellë me vete rreth 600 forca nën drejtimin e Abaz Ermenjit, të cilat u vunë nën komandën e Kupit. Të njëjtën ditë, Fiqire Dine, Prenk Previsi dhe Hysni Dema u larguan gjithashtu nga Tirana për t’u bashkuar me Kupin.
Më 9 shtator (4 ditë pasi ne ishim udhëzuar të bënim ç'është e mundur që Kupi të hidhej në luftë) dhe tri ditë pas fillimit të operacioneve, u morën udhëzime nga Forca 399 që urdhëronin kolonel-lejtënant McLean, majorin Smiley dhe rreshterët Jones dhe Jenkins të ktheheshin në Itali për të raportuar.
Zhgënjimi
Udhëzimet bënin të ditur më tej se nuk do të dërgohej asnjë furnizim për nacionalistët dhe se kapiteni WMERY, i cili ishte shefi i përkohshëm i misionit, duhet të vepronte si vëzhgues i paanshëm dhe të mos e inkurajonte Kupin për të luftuar. Këto udhëzime u konfirmuan dy herë në telegramet që pasuan, veçanërisht në fillim të luftës civile dhe më vonë kur dështimi i misionit të Smithit u bë evident, pikërisht atëherë kur ne mund t'i kishim braktisur nacionalistët me një lloj konsistence në dukje. Sidoqoftë, për ta bërë këtë në momentin më oportun kur vareshim nga udhëzimet dhe garancitë që na jepte autoriteti i Forcës 399, ata sërish kishin fituar terren ndaj gjermanëve, ne e gjetëm veten të ekspozuar ndaj akuzave të rënda për mungesë mbështetjeje dhe prerje në besë që nuk do të fshihen kurrë nga kujtesa.
Vijon në numrin pasardhës
Materiali është marrë nga kujtimet e majorëve britanikë që morën pjesë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare në Shqipëri gjatë viteve 1942-1944
27 Tetor 2009