Bronkopneumonia, sa ndikon i ftohti në shfaqjen e sëmundjes
Ulja e ndjeshme e temperaturave, por edhe luhatja e tyre, është një nga faktorët kryesorë që ndikon në shfaqjen e problemeve të bronkopneumonisë. Sipas mjekëve, më të rrezikuar nga kjo sëmundje janë fëmijët, por pas nuk mbeten edhe moshat e treta si dhe personat që vuajnë nga një sëmundje tjetër kronike. Mjekët japin të gjitha këshillat që këta persona duhet të kenë parasysh gjatë ditëve të ftohta të dimrit, periudhë në të cilën shfaqen më së shumti infeksionet respiratore. Këto të fundit mjekët i ndajnë në dy lloje: në infeksione respiratore të traktit të sipërm dhe të poshtëm pulmonar. Zakonisht në këtë periudhë janë të pranishme gjendjet virale, të cilat po të trajtohen mirë që në hapat e parë nuk kalojnë në komplikacione. Problemet me të shpeshta janë laringitet, infeksionet e bajameve, si dhe gjendjet virale me një temperaturë të lart. E vetmja mënyrë efikase për të kaluar këto lloj sëmundjesh është vitaminoterapia dhe lëngjet.
Kolla
Stina e dimrit rikthen atë që në popull njihet si “kolla e mirë” ose “kolla e bardhë”. Pertusis është një sëmundje infektive, që prek kryesisht fëmijët e vegjël, e cila mund të shfaqet më tepër gjatë stinës së ftohtë. Ndërlikimet më të shpeshta prekin aparatin e frymëmarrjes, prandaj sëmundja duhet trajtuar në kohë. Sipas mjekëve, kolla e bardhë ose siç njihet në gjuhën shkencore pertusis, është sëmundje ngjitëse serioze, që mund të jetë e pranishme gjatë gjithë vitit, por gjatë dimrit është më e shpeshtë. Kjo është arsyeja që gjatë kësaj stine duhet treguar një kujdes maksimal për të penguar shfaqjen dhe transmetimin e kësaj sëmundjeje. Burimi i infektimit është njeriu i sëmurë dhe i vaksinuari që kalon faza të lehta të sëmundjes. Karakteristikë e kësaj sëmundjeje është se, gati të gjitha sëmundjet infektive mund të transmetohen në mënyrë aerogene, pra nëpërmjet spërkave të pështymës. Pacienti është kontaminues (ngjitës i sëmundjes) 3 javë pas fillimit të kollës. Transmetimi i sëmundjes nuk ndodh nëpërmjet përdorimit të të njëjtave sende apo objekte, sepse bacili që e shkakton reziston shumë pak në ambiente të jashtme. Pra, duke mos arritur të mbijetojë, nuk mund të zhvendoset tek personi i shëndoshë.
Parandalimi
Mënyra më e mirë për parandalimin e sëmundjes është imunizimi, pra vaksinimi. Kjo është një vaksinë që është në tre doza, pasi është kundër: pertusit, tetanusit dhe difterisë (DTP). Vaksina fillohet të bëhet te bebet, kur mbushin 3 muaj. Më pas bëhen tre doza të tjera kur fëmija bën: 1, 3 dhe 6 vjeç. Gjithsesi, rekomandohet që i sëmuri të izolohet disi, në mënyrë që të mos shërbejë si burim infektimi për të tjerët. Mbi të gjitha, rekomandohet që sapo shfaqen shenjat e para, rasti të konsultohet tek mjeku specialist, në mënyrë që të mos të parandalohen ndërlikimet dhe sëmundja të kalojë pa shumë probleme. Ndërlikimet më të shpeshta janë ato të aparatit të frymëmarrjes, që nga rinofaringitet, bronkopneumonia, emfizema (zgjerimi i mushkërive). Megjithatë mund të shfaqen ndërlikimet nervore, megjithëse këto janë të rralla. Ndër to komplikacioni më i rëndësishëm është encefalopati, që vjen si pasojë e veprimit të toksinës mbi kapilarët e trurit. Trajtimi i “kollës së bardhë” është specifik dhe simptomatik, në varësi të gjendjes së sëmundjes. Mjekimi bëhet në varësi dhe të pranisë ose jo të komplikacioneve. Mund të përdoren antibiotikë të ndryshëm, por gjithsesi është vetëm mjeku ai që e përcakton kuadrin klinik.
Shenjat
Sëmundja nis si infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes me kollë të lehtë, sekrecione nga hunda, ndërsa temperatura ose mungon ose është shumë e lehtë. Kolla në fillim është e thatë dhe shfaqet vetëm natën, por me kalimin e ditëve bëhet më e fortë. Pas disa ditësh shfaqen krizat, me kollë të fortë, që mund të shoqërohet me të vjella, me nxirrje në fytyrë. Pas disa javësh kolla qetësohet në intensitet dhe frekuencë. Shenjat kryesore janë rrjedhjet e sekrecioneve nga pjesa e hundës, temperaturë e brendshme që shkon nga 37 deri në 38. Kurse në rastet që bëhet laringit, është kolla e thatë dhe e fortë dhe kjo më e theksuar gjatë orëve të natës. Shpeshherë kjo kollë është aq e fuqishme sa ngjan me të lehurën e qenit dhe shoqërohet me shtim të sasisë së gëlbazës, e cila trashet dhe nxirret me vështirësi. Marrja e frymës rëndohet, frymëmarrja bëhet e sipërfaqshme dhe shpeshtohet, duke u shoqëruar me interesim të muskujve të kraharorit. Kjo është arsyeja që shpesh pacientët ankohen edhe për dhimbje gjoksi e shpatullash. Të sëmurët janë në ankth, kanë ndjenjën sikur po mbyten. Në fytyrë, sidomos në buzë shfaqet mavijosja, që vjen si pasojë e anomalisë së shkëmbimit të gazrave, me pakësim të oksigjenit në gjak dhe shtim të gazit karbonik. Si pasojë e ajrimit të ulur, të sëmurët janë të lodhur, të përgjumur, ankohen për dhimbje koke, por herë-herë janë të shqetësuar dhe shfaqin turbullime të vetëdijes.
Si mund të lehtësohen shqetësimet
Përsa i përket kollës, rekomandohet bërja e avullit, si dhe mjekim sa më i shpejtë që në momentin e shfaqjes së problemeve. Rekomandimet e mjekut dhe marrja e mjekimit arrin që të lokalizojë dhe të trajtojë sëmundjen. Kur gjendja imunitare e organizmit është jo e mirë, domethënë që ka një rënie të imunitetit kalojnë në komplikacione të gripit. Këto kalojnë në bronkite akute, bronkopneumoni pastaj fillojnë të japin shqetësime të tjera. Këto shkojnë deri në infeksione urinare, të veshit etj. Por, ajo që mjekët theksojnë është se infeksionet pulmonare shkojnë në bronkite dhe në bronkopneumoni.
Çfarë komplikacionesh mund të shfaqen
Komplikacionet janë të ndryshme, që nga bronkopneumonia e deri tek infeksionet në rrugët urinare, por dhe të veshit. Bronkopneumonitë ndodhin si pasojë e humbjes së elasticitetit të muskujve të bronkeve, për shkak të vetë moshës dhe mbylljes së bronkeve, si pasojë e grumbullimit të gëlbazës në to, duke favorizuar infeksionin.
Cilët janë personat më të prekur
Moshat më të favorizuara dhe që japin më shumë komplikacione janë moshat e treta dhe moshat pediatrike apo fëmijët. Kryesisht rekomandohet që të bëhet vaksina e gripit te fëmijët e vegjël deri pa mbushur 3 vjeç edhe te të moshuarit. Po kështu, kjo këshillë do të ishte e vlefshme edhe për personat që, pavarësisht se nuk janë moshë e rritur, por që kanë probleme kardiake, sëmundje kronike, rekomandohet si vaksinim për të mbrojtur organizmin.
Masat që duhen marrë në këto raste
Ajo që duhet të kihet parasysh është se, nëse një person gjatë tri ditëve të para nuk ka një përmirësim dhe kur fillon një temperaturë mbi 38 gradë dhe nuk mund të ulet. Po kështu, kur fillon ajo kolla e fortë me gëlbazë, sidomos natën, por edhe gjatë ditës. Po kështu, kur ka edhe dhimbje të gjoksit edhe vështirësi në frymëmarrje, atëherë këto janë shenja të cilat na bëjnë që të mendojmë se duhet të kemi një kontakt sa më të shpejtë me mjekun. Pas vizitës është e nevojshme trajtimi me antibiotikë. Vetëm në këto raste kur vendos mjeku se ka kaluar në bronkopneumoni, ose ka kaluar në komplikacion gripi, është e nevojshme fillimi i anabiotikëve. Në raste të tjera jo, megjithëse mund të pish antibiotikë është gjendje virale që nuk ndikohet në përmirësim dhe medikamentet krijojnë rezistenca bakteriale. Këto të fundit për personat që kanë nevojë për të marrë antibiotik krijojnë ato rezistenca, ku mikrobi fiton imunitet.
Simptomat
Rrjedhje të sekrecioneve nga pjesa e hundës
Temperaturë subfebrile që shkon nga 37 deri në 38
Kolla e thatë dhe e fortë e theksuar gjatë orëve të natës
Marrja e frymës rëndohet
Frymëmarrja bëhet e sipërfaqshme dhe shpeshtohet
Dhimbje të muskujve të kraharorit
Pacientët ankohen edhe për dhimbje gjoksi e shpatullash
Të sëmurët janë në ankth, kanë ndjenjën sikur po mbyten
Këshillat
Vizitë te mjeku pas shfaqjes së simptomave
Trajtim me antibiotikë kur e vendos mjeku
Mospërdorim të medikamenteve pa recetë mjeku
Pirje të lëngjeve në sasi të mëdha
Konsumim të ushqimeve me proteina
Përdorimi i supave të ndryshme
Vaktet të përmbajnë mish edhe vezë
Konsumimi i mjaltit i kombinuar me lëng limoni
27 Tetor 2009