E Diel, 1 Nëntor 2026

Makinat e përdorura, si taksohen në Doganë kur hyjnë nga importi



Ervin KOÇI

Të gjitha shtetasit shqiptar që blejnë nga vendet e BE-së apo shtete të tjera një automjet të përdorur, janë të detyruar që të paguajnë disa taksa specifike ndaj shtetit shqiptar, shuma e të cilave shpesh e kalon dhe vlerën e blerjes së automjetit. Këto taksa të gjithë qytetarët i quajnë rëndom, “pagesa e doganës për makinën” ose shkurt “dogana”. Por në fakt askush nuk është i informuar mbi llogaritjen e kësaj takse sipas ligjit në fuqi, e për më tepër që ajo që konsiderohet si një taksë e vetme në vetvete është e përbërë nga dy lloj pagesash. Kështu, taksa që paguhet për importimin e makinave që njihet si "doganë", në fakt përbëhet nga taksa e ndotjes dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Bashkimi i këtyre dy detyrimeve në një shumë të vetme dhe mos sqarimi i blerësve të mjeteve, bën që pagesa që shteti merr të jetë e konsiderueshme duke rritur dyfish çmimin e automjetit. Agjencitë doganore, të cilat kryejnë llogaritjet për praktikën e importit përkundrejt një pagese që varion nga 5- 10 mijë lekë, llogarisin fillimisht taksën e ndotjes, e mbledhin taksën e ndotjes me vlerën e makinës dhe i shtojnë 20 për qind TVSH. Taksa e ndotjes dhe TVSH-ja totale përbëjnë edhe detyrimin fiskal që shqiptarët zakonisht e quajnë thjesht si "dogana e makinës".

Llogaritja e taksës

Për një makinë me naftë me motor 1900 centimetër kub, (një motor shumë popullor për një gamë të gjerë makinash me naftë të shtresës së mesme), fillimisht shumëzohet madhësia e motorit 1900 me 25,000, e cila është taksa bazë për naftën. Totali shumëzohet me koeficientin e vjetërsisë. Për një makinë më shumë se dhjetëvjeçare, taksa e ndotjes është gjithsej 228 mijë lekë. Importimi i një makine me vlerë 1 mijë euro, shoqërohet me detyrime doganore me vlerë 2 apo 3 mijë euro. Statistikat tregojnë se ndonëse numri i makinave të importuara ka rënë nga viti në vit, numri i makinave në qarkullim në Shqipëri ka vijuar të rritet.

Llogaritja e TVSH-së

Një llogaritje e thjeshtë e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar konsiston në mbledhjen e çmimit të blerjes së makinës (konvertuar me kursin e këmbimit të ditës së zhdoganimit), me taksën e ndotjes. Mbi shumën totale, nxirret TVSH 20 për qind. Në rastin e Golfit të shembullit tonë, vlera e makinës është 150 mijë lekë dhe totali mbi të cilin llogaritet TVSH është 378 mijë lekë. Në fund, TVSH detyrim është 75600 lekë. Totali i detyrimit ndaj doganave në rastin konkret është TVSH plus taksë ndotjeje ose pak më shumë se 300 mijë lekë.

Vlera e makinës

Doganat pranojnë kontratën e blerjes së makinës vetëm në rast se vlera e saj është më e lartë sesa çmimet referencë të përdorura nga administrata doganore. Për makinat deri në 10 vjet, çmimet referencë të zbatuara nga doganat merren nga revista italiane “Quattroruote”. Çmimeve të “Quattroruote” u zbritet 30 për qind e vlerës. Për disa lloje makinash, qëllon që vlera reale të jetë më e lartë sesa çmimi i referencës. Për makinat mbi 10 vjet, doganat kanë përcaktuar çmime reference sipas cilindratës. Në total, sa më të vogël ta ketë cilindratën një makinë, aq më e ulët është edhe detyrimi fiskal që paguhet në dogana. Llogaritë e komplikuara të kostos së taksave doganore ndoshta nuk do të jenë të nevojshme në të ardhmen, për shkak se Bashkimi Europian i ka kërkuar qeverisë shqiptare të heqë taksën e ndotjes. Në rast se kjo taksë hiqet, atëherë detyrimi i vetëm fiskal i qytetarëve do të jetë pagimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në masën 20 për qind të vlerës së makinës së importuar.

Brukseli kërkon heqjen e taksës së ndotjes për makinat e vjetra të importuara

Komisioni Europian e konsideron taksën e ndotjes që shqiptarët paguajnë për makinat e përdorura të importuara si shkelje e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe ka kërkuar heqjen e kësaj takse, por qeveria shqiptare ka më se një vit që reziston. Në raportin e progresit të Shqipërisë në BE, thuhet në mënyrë eksplicite se "taksa e ndotjes për makinat e importuara nuk është në përputhje me MSA-në". Shqipëria nënshkroi një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në si pjesa më e rëndësishme e MSA-së, e cila hyri në fuqi më 1 prill të vitit 2008. Sipas kësaj marrëveshjeje, “diskriminime të tilla të importuesve të makinave të përdorura janë të paligjshme”. Si rregull, komisioni nuk shqetësohet për masën e taksimit të një malli, por konsideron si shkelje të marrëveshjes kur i njëjti mall taksohet me standarde të ndryshme. Logjika është se një makinë e importuar e re në vitin 2004 në Shqipëri, sot është pesëvjeçare dhe mund të shitet e blihet në tregun e brendshëm pa paguar kurrfarë takse, ndërkohë që një makinë e importuar sot nga Gjermania dhe që ka të njëjtën moshë, duhet të paguajë një taksë të rëndë ndotjeje. Në terma tregtarë, ky është një diskriminim i papranueshëm për tregtarët e makinave të vjetra. Një makinë e sapoimportuar nga BE-ja, ka shumë gjasa të jetë më pak ndotëse sesa një makinë e përdorur në Shqipëri për shumë vjet.

Taksa e ndotjes, qeveria e rriti për të favorizuar makinat e reja

Në vitin 2004, një lobing kompanish importuese të makinave të reja propozoi në Parlament përmes disa deputetëve të opozitës vendosjen e një takse të posaçme për makinat e vjetra të importuara në Shqipëri, nën justifikimin se makinat e vjetra ndotin ambientin, ndërkohë që synimi kryesor qe shitja e makinave të reja. Deputetët e mazhorancës së majtë e votuan pa shumë debate taksën e re. Në vitin 2007, qeveria e djathtë e rriti taksën e ndotjes në masë të konsiderueshme me qëllim që të kompensonte humbjet që buxheti i shtetit pësoi nga vendosja e taksës së sheshtë dhe ulja e tatimfitimit për korporatat në 10 për qind. Në atë vit, qeveria e hoqi taksën doganore prej 15 për qind për të gjitha makinat e importuara pasi doli në konkluzionin se nuk qe në gjendje të verifikonte certifikatat e origjinës që paraqiteshin në doganë nga importuesit e makinave nga vendet e BE-së. Por kjo heqje e taksës doganore nuk ia lehtësoi xhepin qytetarëve. Taksa e ndotjes ia dyfishoi koston makinave të vjetra dhe në shumë raste, shqiptarët u detyruan të paguajnë më shumë vlerë takash sesa vlerë makine. Formula e taksës favorizoi më shumë makinat me dhomë djegieje motorike të vogël kundrejt makinave me motorë të mëdhenj dhe favorizoi makinat me benzinë përkundrejt atyre me naftë.

27 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›