E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i DASH-it: “Pronat e komuniteteve fetare, ende të pazgjidhura”



Albert Gjoka

Departamenti Amerikan i Shtetit publikon raportin vjetor për lirinë e besimit dhe trajtimin e institucioneve të kultit nga shteti, ku edhe këtë vit nuk ka ndryshim treguesish dhe problemi i vetëm mbeten kthimi i pronave për institucionet e kultit. “Qeveria vazhdoi t’i trajtonte pretendimet nga secili prej katër grupeve tradicionale fetare lidhur me kthimin apo kompensimin e pronave të marra gjatë ish-epokës komuniste; megjithatë, shumë nga pretendimet për prona mbetën të pazgjidhura”, - thotë raporti. Sipas tij, “pas marrëveshjeve të reja dypalëshe të nënshkruara, Agjencia Kombëtare për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave u udhëzua t’u jepte përparësi pronave të zotëruara nga bashkësitë fetare”. Qeveria amerikane thotë se i nxit autoritetet shqiptare që ta përfundojnë këtë proces. Mes konstatimeve që theksojnë autoritetet amerikane janë edhe to të Kishës Ortodokse dhe Kishës Katolike, të cilat përfshijnë në pretendimet e tyre për kompensim ikona fetare dhe dorëshkrime të vyera marrë nga qeveria komuniste, të cilat mbeteshin në arkivat kombëtare.
Një tjetër konstatim është ai që ka të bëjë me afatin kohor të lejeve të qëndrimit të misionarëve të huaj, e cila, sipas DASH-it, do të ishte e udhës që të ishte 4-vjeçare dhe jo 1-vjeçare, siç aplikohet tani. Një tjetër problem mbetet ai i përdorimit të simboleve të besimit në mjediset publike, veçanërisht në shkolla. Raporti përmend tri raste, ku u ndalua veshja fetare në mjediset shkollore, por një gjë e tillë përcaktohet në rregulloret e vetë drejtorive arsimore. Treguesit e tjerë të lirisë së fesë dhe besimit vlerësohen përgjithësisht sipas standardeve.
Sipas shifrave zyrtare, bashkësitë, organizatat dhe fondacionet fetare kishin 103 shoqata e fondacione lidhur me to, ku 101 prej tyre administronin 101 institucione arsimore, nga të cilat 15 ishin shkolla me lidhje zyrtarisht fetare. “Me ligj, Ministria e Arsimit duhet t’i licencojë këto shkolla dhe programet mësimore duhet të përputhen me standardet kombëtare të arsimit”, - thuhet në raportin vjetor. “Nuk pati ndryshim në statusin e respektimit për lirinë fetare nga qeveria gjatë periudhës së raportimit. Nuk pati raportime për abuzime apo diskriminim shoqëror mbi bazë identifikimi, besimi, apo ushtrimi fetar”, - thekson dokumenti.
DASH i referohet Komitetit Shtetëror për Kultet, i cili raportoi një total prej 245 grupesh, organizatash dhe fondacionesh fetare, përpos katër grupeve tradicionale fetare. Kjo shifër përfshinte 34 organizata islamike dhe 189 organizata protestante, shumica prej tyre me lidhje me Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare (VUSH).
Qeveria nuk kërkon regjistrim apo licencim të grupeve fetare; megjithatë, Komiteti Shtetëror për Kultet mban të dhëna dhe statistika për organizatat fetare të huaja që e kontaktojnë atë për ndihmë. “Lëvizjet fetare mund të marrin status zyrtar të një personi juridik duke u regjistruar pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë sipas ligjit ‘Për Organizatat Jofitimprurëse’, i cili njeh statusin e një shoqate jofitimprurëse pavarësisht nëse organizata ka karakter kulturor, argëtues, fetar, apo humanitar”, - thotë raporti për vlerësimin e lirisë së fesë për vitin 2009. Më tej theksohet se “Regjistrimi u jep grupeve fetare të drejtën të mbajnë llogari bankare dhe të zotërojnë prona”. “Gjatë periudhës së raportimit, katër bashkësive fetare tradicionale iu akordua statusi i përjashtimit nga taksat; megjithatë, për shkak të marrëveshjeve të reja të arritura me qeverinë më 24 tetor 2008, atyre u kërkohet të riregjistrohen si bashkësi fetare për t’u kualifikuar”, - citon dokumenti. Po ashtu, theksohet se “grupe të tjera fetare, pa marrëveshje dypalëshe me qeverinë, vazhduan të kërkonin statusin e përjashtimit nga taksat”.
Në Shqipëri nuk ka në dispozicion të dhëna të besueshme mbi pjesëmarrjen apo anëtarësinë fetare; regjistrimi i fundit zyrtar i popullsisë që përfshinte të dhëna të tilla ishte kryer në vitin 1939. “Shumica e shtetasve nuk ushtrojnë ndonjë besim në mënyrë aktive; megjithatë, katër grupet fetare tradicionale janë myslimanët (sunitë), bektashinjtë (një formë e sufizmit shia), të krishterët ortodoksë (Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë), si dhe katolikët romakë”, - thotë raporti. Po ashtu, përmendet fakti se “ka edhe shifra thelbësore të feve protestante dhe grupeve të tjera fetare, përfshi Bahait, Dëshmitarët e Jehovait, si dhe anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtëve të Ditëve të Mëvonshme (mormonët)”.
Qeveria amerikane vlerëson lirinë fetare si pjesë të nxitjes dhe respektimit të standardeve për të drejat e njeriut. Çdo vit DASH publikon raportin e saj, ku skanon standardet dhe respektimin e lirisë së institucioneve të kultit në çdo vend të botës, me të cilin ka marrëdhënie diplomatike.

Rrjeti i akademikëve dhe studiuesve shqiptarë: Të publikohet harta detare me Greqinë

Instituti “Alb-Shkenca”: Të dalin emrat e negociatorëve të Marrëveshjes

“Alb-Shkenca”, rrjeti i shkencëtarëve studiuesve nga Shqipëria, trojet dhe diaspora, më së fundi janë përfshirë në debatin për ndarjen e vijës detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku kanë kërkuar zyrtarisht, publikimin e hartës dhe emrat e negociatorëve shqiptarë. Përmes një deklarate të shpërndarë disa ditë më parë, kjo organizatë ka vlerësuar hapin e ndërmarrë nga opozita për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese dhe shtyrjen e procesit të ratifikimit në Kuvend,
“Së pari, instituti ‘Alb-Shkenca’ dëshiron të vërë në dukje se Konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit e vitit 1982 është ndër tekstet juridike më të ndërlikuara, sikurse e vërteton edhe praktika”, - thuhet në deklaratë. Sipas saj, IASH shpreh habinë që deri më sot harta e detajuar e Marrëveshjes nuk është bërë publike për opinionin e gjerë shqiptar, i cili është direkt i prekur nga kjo marrëveshje dhe pasojat e saj”.
“IASH vlerëson përfshirjen e Gjykatës Kushtetuese dhe është i bindur se kjo gjykatë do të shqyrtojë dhe vendosë mbi këtë çështje në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe interesat e vendit”, - thuhet në reagimin e saj. Alb-Shkenca vlerëson vullnetin e mirë të shfaqur nga të gjitha palët për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe sqarimin e publikut si dhe debatin e civilizuar dhe të respektueshëm që po zhvillohet.
Kjo organizatë, në përbërje të së cilës ka shkencëtarë, ekspertë dhe studiues të të gjitha fushave, ushtron aktivitetin e saj prej disa vitesh dhe ofron sugjerime për çështje të caktuara që kanë të bëjnë me zhvillimet ekonomike, politike, sociale dhe kulturore në vendin tonë.

Europol: Shqipëria, portë për drogën në BE

Europol-i ka publikuar dje raportin e vitit 2009 mbi krimin e organizuar, në të cilin Shqipëria konsiderohet si vend burim i organizatave kriminale. Ky raport thekson se trafiku i kokainës është në rritje duke cilësuar se transporti i kokainës drejt vendeve të BE-së kalon nëpërmjet Shqipërisë. Policia Europiane, në raportin e saj, përmend grupet etnike shqiptare si të përfshira në këto trafiqe. Madje, raporti thotë se grupet kriminale shqiptare sfidojnë organizatat europiane, si për shembull ato italiane, që janë mjaft aktive në trafikun e drogës. Sipas raportit, trafiku i drogës kontrollohet nga shqiptarët, të cilët i sigurojnë bazat e drogës në Europën Juglindore. Gjithashtu, në dokument thuhet se lidhjet mes Shqipërisë dhe Italisë për trafikun e qenieve njerëzore mbeten ende të fuqishme. Shqipëria konsiderohet gjithashtu qendër për transportin e heroinës, ndërsa gjithë rajoni i Ballkanit si zonë origjine dhe transiti për falsifikimin e parave dhe trafikun e armëve.

Miliband: “Integrimi në BE i Ballkanit, një çmim i madh”

LONDËR– Sekretari i Jashtëm Britanik, David Miliband, deklaroi dje se anëtarësimi në Bashkimin Europian të Ballkanit Perëndimor, është i vetmi çmim për të arritur një kompromis. Sipas zyrës së shtypit të Ambasadës Britanike në Tiranë, Miliband foli për këtë çështje në një fjalim mbajtur ditën e hënë në Londër, në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) mbi prioritetet europiane dhe britanike. "...Gjeografikisht, përgjegjësia jonë kryesore është ndaj Ballkanit Perëndimor. Anëtarësimi europian është i vetmi çmim i madh për të siguruar kompromis dhe reforma ndaj rivalëve historikë me interesa personale dhe pikëpamje te pandryshueshme”, - deklaroi Miliband. Ai shtoi më tej se ”pa dyshim, ne i pamë në 1990-n rreziqet e neglizhimit. Hapja sot (dje, - shën. red.) e gjyqit të Karaxhiçit në Hagë na e kujton këtë”. “Të gjitha vendet anëtare të BE-së e kanë bërë të qartë se anëtarësimi në BE është e ardhmja për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, kur ato të jenë gati”, - përfundoi sekretari britanik për Çështjet e Jashtme.

27 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›