Adriatik Coli implikon Dajtin dhe Shullazin për tentativë vrasje
Laureta Rryçi
Adriatik Coli, i penduari i bandës së Durrësit, implikoi dje Dritan Dajtin dhe Emiljano Shullazin për tentativë ekzekutimi të Lulzim Berishës. Në momentet e fundit të dëshmisë së pendesës Coli nuk kurseu dhe emrat e Dajtit dhe Shullazit, pavarësish se bëhej fjalë thjesht për një çështje që ishte diskutuar mes tij dhe anëtarëve të bandës që drejtonte Indrit Dokle. Burime pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda pohuan dje se Coli ka ripërmendur edhe një herë emrin e ish-kreut të PDK-së në Malësinë e Madhe, Aleksandër Keka. Më tej seanca ka vijuar me kërkesën e avokatëve. Këta të fundit i kanë kërkuar disa ditë kohë gjykatës që fillimisht të njihen me procesverbalet dhe më pas të përpilojnë pyetjet që do t’i bëjnë të penduarit.
Seanca
Avokatët që ishin prezent në këtë proces pohuan se i penduari ka rrëfyer para trupit gjykues me dyer të mbyllura dhe me masa të larta sigurie se në 2005-n, ish-kreu i PDK-së së Malësisë së Madhe, Aleksandër Keka, ekzekutuar pak muaj më parë, e ka përcjellë drejt Jugosllavisë dhe i tha se Indrid Dokle është takuar me Dritan Dajtin, dhe i ka ofruar 200 mijë euro për të vrarë Lulzim Berishën. Dajti i kishte kërkuar parapagim 50 mijë, por nuk u ra dakord për këtë shumë. Mësohet se seanca e djeshme, e cila nisi në orën 9:00, vazhdoi për disa orë dhe është shoqëruar me debate të ashpra. Sipas avokatëve, i penduari Coli nuk i ka përmendur këto fakte në dëshminë e pendesës, çka do të thotë se gjykata, sipas tyre, nuk duhet t’i marrë parasysh. Coli i dha fund dje dëshmisë së tij duke treguar fill e për pe mbi vrasjet dhe trafiqet e realizuara gjatë këtyre viteve jo vetëm në qytetin e Durrësit. Tanimë ai do të përballet me pyetjet e avokatëve, të cilët, sigurisht, do të kujdesen për imazhin e klientëve të tyre.
I penduari
Adriatik Coli, për tri seanca më radhë, zbuloi para gjykatësve, pas një maratone të gjatë pyetjesh, dhjetëra krime, zanafillën dhe zbatimin e tyre. Ai ka shpjeguar në detaje si u njoh me Lul Berishën dhe si u përça banda e Durrësit. Në rrëfimin e tij përfshihen vrasje të bujshme, pazare të prishura të drogës mes anëtarëve të bandës.
Gjyqi ndaj 16 të akuzuarve për krime të rënda ka nisur që prej 17 qershorit të vitit 2007, ndërkohë që prokuroria ka thirrur rreth 105 dëshmitarë. Të akuzuarit janë arrestuar këto katër vitet e fundit në operacione të ndryshme policore, si brenda, ashtu dhe jashtë Shqipërisë. Të pandehurit dyshohen se janë autorë të një sërë ngjarjesh kriminale si disa vrasje e trafiqe ilegale të ndodhura para disa vitesh në Shqipëri.
Boc
Procesi për dhjetëra vrasje
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën për anëtarët e bandës së Durrësit për një sërë vrasjesh. Prokuroria për Krime të Rënda, më datë 03.04.2005, ka regjistruar procedimin penal nr. 35 për veprat penale të “vrasjes me paramendim, në bashkëpunim”, në ngarkim të shtetasit Klodjan Saliu, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda” dhe “grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 78 – 25, 278/4 dhe 333/a të Kodit Penal. Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, më datë 09.03.2006, pasi ka rifilluar hetimet dhe ka regjistruar procedimin penal nr. 34 në lidhje me ngjarjen e datës 17.10.1998, ku ka mbetur i vrarë shtetasi Dritan Sallaku dhe janë plagosur Ilir Nela dhe Agim Rexhepi dhe ky procedim penal i është bashkuar dosjes për të cilën po gjykohen banda e Durrësit. Prokuroria e rrethit Gjyqësor Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 506 në lidhje me ngjarjen e datës 29.10.1998 në lidhje me vrasjen e shtetasve Viron Curri, Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, si dhe procedimin penal nr. 274 në lidhje me ngjarjen e datës 10.07.2000 në lidhje me vrasjen e shtetasit Dritan Disha. Zinxhiri i vrasjeve për të cilat akuzohet kjo bandë shkon edhe më tej.
Të pandehurit
Lulzim Berisha
Plaurent Dervishaj
Indrit Taullai
Endrit Dokle
Kujtim Buna
Altin Olloni
Elvin Hoxhosmani
Alban Neli
Selman Heti
Spartak Kalthi
Altin Nikolla
Kristian Begu
Bujar Gashi
Dritan (Adriatik) Coli
Ahmet Ajetis
Osman Karpuzi
Sardian Sulejmani
Prokuroria mbyll hetimet
Dërgohet në Gjykatë dosja për vrasjen e pronarit të hekurit
Prokuroria përfundon hetimet për vrasjen në Farkë, ndodhur disa muaj më parë. Sipas institucionit të akuzës, Shaban Allaraj ka vrarë pronarin e një pike grumbullimi skrapi vetëm pse i kishte rrahur të birin dhe tashmë do të japë llogari para Drejtësisë për krimin e kryer. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar për gjykim dosjen penale ndaj të pandehurit Allaraj. Mbi këtë të fundit është ngritur akuza e “vrasjes me dashje”, ngjarje e ndodhur më 29 korrik të këtij viti në komunën e Farkës. Pas shortit elektronik është përcaktuar si kryesues gjyqtari Kreshnik Omari, që do ta gjykojë këtë dosje së bashku me dy gjyqtarë të tjerë. Sipas versionit përfundimtar të Prokurorisë, i pandehuri Shaban Allaraj ka vrarë me thikë, për motive të dobëta, Ylli Tafanin, pronar i pikës së grumbullimit të skrapit. Burime nga Prokuroria sqaruan se i pandehuri Allaraj ka shpjeguar para hetuesve të gjithë ngjarjen e rëndë për të cilën tashmë do të japë llogari edhe para gjykatës. Ai ka deklaruar se ditën e ngjarjes, rreth orës 17:00, ka lënë punën dhe ka shkuar në shtëpi. Pas pesë minutash, te shtëpia kishte shkuar djali i tij, Mirjan Allaraj, 14 vjeç, i cili ishte i gjakosur në pjesën e parakrahut. Kur e ka pyetur se çfarë i kishte ndodhur, djali i ka treguar se e kishte rrahur pronari i hekurit dhe se i kishte thënë të vijë babai yt e të merret vesh. Mirëpo kur ka shkuar të bisedojë se përse i ka goditur të birin, ai i është vërsulur me një shufër hekuri. Po sipas dëshmisë së Allarajt, i është dashur të mbrohet pasi Tafani e kishte ndarë mendjen për ta goditur dhe atë si të birin. Ndërkohë, nga akti i ekspertimit psikiatrik-ligjor, për të pandehurin ka dalë si konkluzion se ky shtetas, në momentin e kryerjes së veprës penale, ka qenë në gjendje të mirë psikike, është i përgjegjshëm para ligjit.
27 Tetor 2009