E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia në Tisa, vetëdorëzohet një i dyshuar



Një person, i cili besohet të jetë i përfshirë në trafikimin e njerëzve, që mendohet se kanë humbur jetën në tragjedinë e lumit Tisë, është vetëdorëzuar në polici gjatë fundjavës, por policia jep shumë pak detaje rreth faktit pasi ajo i konsideron sekret të hetimeve. EULEX-i, i cili po drejtohen hetimet për rastin, bën të ditur se personi ka bërë një deklaratë të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes. Hetimet tregojnë se të dyshuarit i janë paguar 6000 – 8000 euro për secilin grup të familjeve. Zyrtarë të EULEX-it konfirmojnë se vetëdorëzimi është bërë të shtunën më mbrëmje. “I dyshuari i dorëzoi policisë paratë që i ishin dhënë nga viktimat si garanci e pagesës për organizimin e kalimit klandestin të tyre. Hetimet tregojnë që të dyshuarit i janë paguar prej 6 mijë deri në 8 mijë euro për secilin grup të familjeve”. Bëhet e ditur se hetimet aktualisht janë të përqendruara në identifikimin e personave jashtë vendit që ishin të lidhur me organizatorët e lartpërmendur të kontrabandimit, e të cilët ndihmonin gjatë kalimit transit të personave përtej kufijve. EULEX thekson se prokurori i këtij misioni, i cili po i udhëheq hetimet, bashkë edhe me dy zyrtarë të Policisë së Kosovës tani ndodhen në Hungari për të mbledhur informacione shtesë. Ndërkohë policia hungareze ka përfunduar të shtunën në mbrëmje kërkimet në bregun e lumit Tisa, në anën e tyre të kufirit, pa ndonjë rezultat të ri. Dy trupa të pajetë femrash që janë gjendur në anën serbe të lumit dhe një trup mashkulli në anën hungareze, janë rezultatet e vetme të një kërkimi dhjetëditësh të kryer nga policitë e dy shteteve.

27 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›