Hiqej si agjent i SHISH-it, arrestohet mashtruesi në Elbasan
Deri para pak ditësh, një person që është paraqitur si agjent i shërbimit sekret, ka arritur të bëjë biznes me mashtrime, duke u marrë para njerëzve me premtimin se do t’i fusë në punë si mësues. Por, një denoncim i bërë nga qytetarët, ka bërë që ai të përfundojë në pranga. Burimet zyrtare të Policisë së Elbasanit bëjnë të ditur se mbrëmjen e së premtes së kaluar, rreth orës 19:00, agjentët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar bënë ndalimin e shtetasit Fatmir Engjëll Gjinollari, 31 vjeç, lindur e banues në lagjen “Qemal Stafa”, pasi ishte shpallur në kërkim. Sipas tyre, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan kishte lëshuar një urdhër-ndalimi për të, pasi ky shtetas dyshohet që me anë të mashtrimit, duke u prezantuar si punonjës i SHISH-it, u premtonte shtetasve sistemimin në punë në arsim e në institucione të tjera, kundrejt një shpërblimi të kërkuar më parë.
Arrestimi
“Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjendën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një palë pranga, një kartë krediti të Alfa Bank, si dhe një kartë krediti e Bankës Credins. Ndaj tij kanë nisur hetimet nga organi i akuzës për veprën penale të mashtrimit”, - njoftonte dje policia. Autoritetet policore të Elbasanit janë duke investiguar edhe mbi raste të tjera mashtrimi të këtij personi.
Precedenti
Vetëm një javë më parë, burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Lezhës bënë të ditur se kishin arrestuar shtetasin Gjin Ndrecaj, lindur dhe banues në Spiten të komunës së Sejmenit. Për prangosjen e 51-vjeçarit është organizuar operacioni i koduar me emrin “Grepi”. “Jam Gjon Marko, polic i Interpolit dhe do t’ju ndihmoj për të gjetur eshtrat e familjarëve tuaj që janë mbytur në Otranto”. Kjo ishte fraza që u thoshte të afërmve të viktimave të tragjedisë së 9 janarit Gjin Ndrecaj. Njerëzit e stresuar dhe pa shpresa se një ditë familjarët e tyre, të mbytur në Otranto, do të kenë një varr, besonin. Disa prej tyre janë thyer para policit të rremë duke dhënë para. Por, efektivi i Interpolit zhdukej më pas bashkë me paratë, ndërsa të mashtruarit zgjasnin dhimbjen. Për t’i dhënë fund këtij mashtrimi, disa prej “viktimave” të policit Gjon kanë bërë kallëzim në policinë e Lezhës. Të dhënat e para për policin e rremë të Interpolit kanë nxitur efektivat e Lezhës që ta marrin seriozisht këtë rast. Ata kanë identifikuar autorin e mashtrimeve dhe më pas janë vënë në ndjekje të tij. Burimet zyrtare pohojnë se për kapjen e tij është organizuar një operacion i koduar me emrin “Grepi”. Siç duket, “Gjon Marku” është nisur të shtunën për të bërë mashtrimin e radhës. Brenda në çantë kishte disa dokumente identiteti të fatkëqijve.
Bllokohen dy kamionë me pajisje elektronike në Doganën e Durrësit
Dështon përpjekja për të futur një sasi të madhe pajisjesh elektronike kontrabandë në Portin e Durrësit. Dy trajlera të ngarkuara me aparate celularësh dhe I-fon nuk kanë arritur dot të kapërcejnë traun e doganës. Burimet zyrtare në portin më të madh të vendit bëjnë të ditur se mbrëmjen e së dielës kanë ndaluar dy trajlera dhe një kontejner, të cilët po transportonin mall kontrabandë nga Italia. Drejtori i Doganës, Arben Ibro, thotë se produktet kanë hyrë në pajisjen e skanerit në dalje të portit, prej nga ku ka rezultuar se ato nuk ishin deklaruar dhe se nuk kishin dokumentet e blerjes sipas rregullave fiskale. Në mjete ndodheshin 820 celularë, 30 aparate celular I-fon, 200 kg tel saldimi, 3 mijë palë këpucë sportive dhe mallra të tjera të pazhdoganuara, të cilat ndodheshin në automjete, së bashku me pjesën tjetër të mallrave të deklaruara. Vlera e mallrave dhe penaliteteve doganore arrin në 6.6 milionë lekë gjithsej. Malli vinte nga Porti i Barit në Itali dhe kishte destinacion Tiranën. Policia ndaloi dy drejtuesit e kamionëve dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Bien në pranga dy të mitur, ishin autorët e disa vjedhjeve
Dy të mitur janë ndaluar nga forcat e policisë së Komisariatit Nr. 5 në kryeqytet, pasi akuzohen për disa vjedhje të kryera në kryeqytetit gjatë 3 muajve të fundit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Tiranës bëjnë të ditur se janë arrestuar në flagrancë shtetasit E. M., 16 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Allias dhe O. H., 17 vjeç, lindur në Bulqizë dhe banues në Allias. Sipas tyre, arrestimi i dy adoleshentëve është bërë pasi dy ditë më parë, në Babrru, dyshohet se kanë vjedhur me thyerje banesën në pronësi të një shtetasi, ku kanë arritur të marrin shumën e parave prej 2 200 lekësh. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 700 lekë dhe telefoni i vjedhur. Nga hetimet e kryera mbi këta shtetas të mitur rezultoi se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se janë edhe autorë të disa vjedhjeve të banesave. “Më datë 25 gusht 2009, në Babrru dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e banesës në pronësi të një shtetasi. Më datë 20 tetor 2009, në Paskuqan, dyshohet se kanë tentuar të vjedhin banesën e një shtetasi. Më datë 21 tetor 2009, në Babrru, dyshohet se kanë vjedhur banesën në pronësi të një shtetasi. Po ashtu, nga hetimet e kryera mbi këta shtetas u bë dokumentimi ligjor i disa vjedhjeve të tjera, të realizuara në rrugën “Besa” në Tiranë. U kryen veprimet procedurale, materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të vjedhjes, e kryer në bashkëpunim”, - thonë burimet policore të Tiranës.
Vetëhelmohet 41-vjeçarja në kushtet e depresionit
Një 41-vjeçare, në gjendje të rëndë mendore, ka tentuar që t’i japë fund jetës duke pirë ilaç kundër insekteve, por ndërhyrja në kohë ka bërë që t’i shpëtojë vdekjes. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Korçës bëjnë të ditur se tri ditë më parë, rreth orës 20:00, është paraqitur në Spitalin civil të Korçës një shtetase, lindur në Vithkuq dhe banuese në Lagjen Nr. 10 në qytetin juglindor. Sipas tyre, gruaja, e martuar, kishte pirë ilaç sprait që përdoret kundër insekteve. “Nga veprimet hetimore dhe deklarime të familjarëve rezulton se këtë veprim ajo e ka kryer në banesën e saj, pasi vuan nga ana probleme mendore dhe këtë veprim e ka kryer edhe më parë”, - thotë zëdhënësi i Policisë së qarkut. Burimet shtojnë se kjo shtetase ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën dhe kanë nisur veprimet procedurale për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes, të mbetur në tentativë”.
27 Tetor 2009