E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapja e Sinanit, gruaja angleze dhe vila në fshat e kishin kthyer në “anglez shembullor”



Merr fund arratia 12-vjeçare e Sokol Sinanit, i dënuar me 20 vjet burg për vrasje në vitin 1997, i cili ishte arratisur nga burgu në vitin 1997 në Britani, ku kishte arritur që të krijonte familje atje. Ai kishte dy fëmijë në martesën që kishte bërë me një shtetase angleze dhe jetonte në një lagje të qetë në Tynesides. Para një jave, forcat policore britanike kanë trokitur në derën e shtëpisë së tij dhe më pas i kanë vënë prangat. Banorët e zonës thonë se janë të shokuar kur kanë zbuluar se fqinji i tyre ishte kërkuar për vrasje në vendin e lindjes së tij. Për pesë vjet me radhë Sokol Sinani ka jetuar lirisht me familjen e tij në Gateshead, duke përdorur emër të rremë. Por, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, oficerët e Policisë metropolitane në Britani kanë arritur të identifikojnë personin që jetonte në lagjen “Cypress Grove”, në një rrugë të qetë në Ryton dhe më pas ta arrestojnë atë. Sinani iku nga Shqipëria pas një vrasjeje të kryer vitin 1996. Fotoja e tij ishte në listën e Interpolit dhe konsiderohej ndër më të kërkuarit. Imazhi i tij ishte shpërndarë edhe në policitë e vendeve të tjera europiane nga autoritetet shqiptare. 37-vjeçari Sinani ishte prezantuar me emrin Ismail. Sokol Sinani jetonte bashkë me gruan e tij, Karol, me dy fëmijët dhe vjehrrën. Fqinjët tregojnë momentin e arrestimit gjatë javës së kaluar, kur është paraqitur një makinë e madhe me ngjyrë të zezë, e cila e ka marrë të prangosur. "Kanë qenë rreth shtatë burra në makinë, një prej tyre kishte një fotografi të madhe dhe shumë dokumente të tjera. Burimet zyrtare pohojnë se Sinani është mbajtur në mjediset e paraburgimit dhe pritet që të bëhet ekstradimi në vendin e tij, pasi është i dënuar me 20 vjet burg për veprën penale të vrasjes. Sokoli, bashkë me vëllanë e tij, Afrimin, ishin akuzuar për një krim të ndodhur më 4 janar 1996, ku dyshohet se kanë vrarë një shtetas pas një konflikti për motive të dobëta. Sokoli u dënua, por gjatë trazirave të vitit 1997 doli dhe u fsheh në Britani deri para disa ditësh dhe tani do të vuajë dënimin në vendin e tij për krimin që ka kryer.

27 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›