ARMO; Buxhetit i shtohen 128 milionë euro
Konsorciumi që ka blerë kompaninë shtetërore të naftës, ARMO, ka derdhur dje në arkën e shtetit 128 milionë euro, shuma me të cilën u privatizua kjo ndërmarrje. Burime pranë ARMO-s bënë me dije se tashmë është bërë derdhja e këtij fondi në llogari të buxhetit. Janë 128 milionë euro që i shtohen buxhetit të shtetit të vitit 2008, por ende nuk dihet nëse këto para do të përdoren për këtë vit apo do t’i bashkëngjiten buxhetit të vitit 2009. Por nga ana tjetër, dihet se gjysma e këtyre parave do të shkojë për uljen e borxhit dhe pjesa tjetër për investime
Buxheti të shtetit i janë shtuar 128 milionë euro të tjera. Paratë për blerjen e kompanisë shtetërore ARMO janë derdhur dje në llogari të buxhetit të shtetit. Burime pranë konsurciumit që ka blerë kompaninë ARMO thanë dje se paratë janë depozituar për llogari të qeverisë shqiptare. Janë 128 milionë euro që i shtohen buxhetit të shtetit të vitit 2008, por ende nuk dihet nëse këto para do të përdoren për këtë vit apo do t’i bashkëngjiten buxhetit të vitit 2009. Por nga ana tjetër, dihet se gjysma e këtyre parave do të shkojë për uljen e borxhit dhe pjesa tjetër për investime. Fitues në tenderin për blerjen e kompanisë shtetërore të naftës doli konsorciumi “Refinery Associates Of Texas”, i cili ofroi rreth 128 milionë euro për blerjen e kësaj shoqërie. Konsorciumi bleu kështu 85 për qind të aksioneve të ARMO-s. Negociata me konsorciumin amerikano-zviceran "Refinery Associates of Texas, Anica Enterprises&Mercuria Energy Group", fituese për blerjen e 85% të aksioneve të kompanisë ARMO janë kryer gjatë muajit korrik bashkë me kompaninë konsulente të privatizimit të ARMO-s, "Pattom Boggs”. Më 18 qershor, Këshilli i Ministrave shpalli fitues konsorciumin amerikano-zviceran "Refinery Associates of Texas, Anica Enterprises&Mercuria Energy Group", për blerjen e paketës kryesore të kompanisë ARMO, në bazë të vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në METE, si dhe ngarkoi Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës për negocimet dhe nënshkrimin e marrëveshjes me "Refinery Associates of Texas, Anica Enterprises & Mercuria Energy Group".
Ndërkohë, për vitin që vjen, qeveria nuk ka parashikuar në buxhet të ardhurat që do të sigurohen nga privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore. Ministri i Financave ka deklaruar se pritet që të ardhurat nga privatizimi në vitin 2009 të jenë rreth 150 milionë dollarë. Sipas Bodes, këto të ardhura nuk janë përfshirë në buxhetin 2009, por do të përdoren si fonde për investimet publike. Ndërkohë që një tjetër destinacion i tyre mund të jetë edhe përballimi i efekteve të krizës financiare globale, në rast se ajo do të prekë edhe ekonominë tonë. Qeveria ka mbyllur deri tani procesin e privatizimit të kompanisë së përpunimit të naftës, ARMO, ndërkohë që kanë nisur negociatat për kontratën e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes me kompaninë çeke, CEZ, fituese në tenderin ndërkombëtar. Ajo ofroi një shumë prej 102 milionë eurosh për blerjen e 76 për qind të aksioneve të OSSH-së. Gjithashtu, është parashikuar që deri në fund të vitit të mbyllet edhe privatizimi i kompanisë shtetërore të sigurimeve, INSIG, si dhe paketa shtetërore e aksioneve në kompaninë celulare, AMC.