“ARMO”, Klosi: Berisha ka shkelur Kushtetutën
Partia Socialiste akuzoi dje Kryeministrin Berisha se ka shkelur Kushtetutën e vendit lidhur me kontratat e kompanisë ‘Armo’, që ka të bëjë me monopolin e tregut të karburanteve. Sipas deputetit socialist Blendi Klosi, Gjykata Kushtetuese ka dalë me një vendim të posaçëm që e kundërshton këtë. “Gjykata Kushtetuese vlerëson se vendimi i Këshillit të Ministrave për t’i falur ARMO-s të drejtën e monopolit në tregtimin e naftës D2 është në kundërshti me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, konkretisht nenet 33 dhe 42 të saj. Pra është Gjykata Kushtetuese e këtij vendi aspirues për Bashkimin Evropian, e cila vlerëson se ky vendim duhet shfuqizuar, si një shkelje e pastër e barazisë dhe si një monopol i pastër financiar i oligarkisë qeverisëse. Edhe pse Gjykata Kushtetuese thotë se ARMO nuk mund të ketë monopolin e naftës D2, qeveria e Berishës nuk bindet, pasi kjo qeveri i bindet vetëm interesave të familjes. Për hir të interesave të familjes, Berisha”, tha Klosi. Deputeti socialist e lidhi akuzën e tij dhe me rezultatit zgjedhor të 28 qershorit. Klosi akuzoi qeverinë dhe Kryeministrin Berisha se po kontrollon çdo gjë në vend. “Korrupsioni i Qeverisë së votave të vjedhura, ka arritur kulmin. Dy ditë më parë familja kryeministrore urdhëroi policinë e shtetit për të bllokuar dhe për t’iu kundërvënë policisë tatimore, në aksionin të ligjshëm të saj kundër kompanisë ARMO, kompani e cila rezulton debitore ndaj shtetit shqiptar. Por interesat e familjes nuk ndalen me kaq. Interesat e familjes dalin edhe mbi kushtetutën e vendit”, tha Klosi. Pak ditë më parë, organi i tatim-taksave bllokoi daljen e rafinerisë dhe depozitave të kompanisë ‘Armo’ në Ballsh, për shkak të mos likuidimit të detyrimeve ndaj shtetit, gjë që është hedhur poshtë nga përfaqësuesit e kompanisë.