Durrës, arrestohet pas aksidentit nipi i Klodian Saliut
DURRES - Policia e Durrësit arreston nipin e Klodian Saliut, 16-vjeçarin me inicialet E.S., për aksidentin e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në zonën e ish-Kënetës. Adoleshenti drejtonte makinën e tipit “Benz” me targë TR 4729 N, në kohën kur ndodhi përplasja e rëndë, me pasojë vdekjen e 19-vjeçarit Jurgen Zani, ndërsa u plagosën rëndë shtetasit Abedin Saliu, 74 vjeç, dhe nipi i tij 16- vjeçar me inicialet J.S. Policia e Qarkut të Durrësit bën me dije se “shtetasit E.S., shofer i makinës, iu komunikua gjendja e arrestit në orën 23:30”. Shoferi ka shpëtuar mrekullisht nga përplasja e fortë, ndonëse atij i duhet të përballet me drejtësinë për veprën “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, kjo pasi 16-vjeçari nuk zotëronte leje drejtimi për automjet për shkak të moshës. Ndërkohë specialistët e policisë kanë hetuar aksidentin tragjik të ndodhur mbrëmjen e së enjtes tek “mbikalimi i serave” në ish-Kënetë, duke dalë në konkluzion se drejtuesi E.S., pasi humbet kontrollin e mjetit nga shpejtësia del nga korsia e vet e lëvizjes, kalon mbi trafikndarësen dhe përplaset me mjetin tip “Benz” me targë DD 032BV, i drejtuar nga shtetasi Artan Ilmiu. Sipas hetuesve, ky është mekanizmi i përplasjes së fortë mes dy autoveturave me cilindratë të lartë. Të gjithë të mbijetuarit e këtij aksidenti, përfshirë edhe të arrestuarin, ndodhen akoma nën trajtim mjekësor dhe sipas bluzave të bardha të Spitalit të Durrësit gjendja e tyre po mbahet nën kontroll, ashtu si dhe të plagosurit e tjerë. o.u