Rama: Shteti i shërben Familjes
Lushnje/ Majlinda Rama
“Shteti i shqiptarëve ka dalë nga binarët e Kushtetutës e të ligjit dhe është vënë në shërbim të familjes në pushtet”. Ky ishte thelbi i fjalimit të kryetarit socialist gjatë mitingut të protestës së opozitës në qytetin e Lushnjes. Lushnja ishte ndalesa e katërt e protestave të opozitës për hapjen e kutive, ku morën pjesë dhe kryetarë të partive aleate të majta dhe të djathta. Duke bërë një përmbledhje të ngjarjeve e skandaleve të ndodhura ditët e fundit në vend, kreu socialist Edi Rama nisi fjalën e tij në protestën e radhës, përmes të cilës kërkohet transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Përditë po shohim përmes ngjarjesh dhe faktesh rrënqethëse se pushteti e ka kthyer tërësisht shtetin e së drejtës në një shtet që nuk i shërben ligjit dhe qytetarëve shqiptare, por Sali Berishës dhe familjes së tij” theksoi Rama ndërsa konsideroi se “shteti ka dalë nga binarët e Kushtetutës dhe të ligjit dhe është vënë në binarët e familjes në pushtet”. Sipas kryesocialistit, refuzimi për hapjen e kutive të votimit është dëshmi e qartë e frikës së Kryeministrit, ndërsa theksoi se transparenca e zgjedhjeve do të “çlironte shqiptarët nga pushteti i grabitur dhe korrupsioni”. Rama përmendi rastin e fundit të protestave në Orikum, duke theksuar se pronat e shqiptarëve po gllabërohen, sipas tij nga rrjeta e merimangës e familjes në pushtet. Pronat publike e private të shqiptarëve nuk janë të sigurta, sepse janë nën kërcënimin e oreksit të pashuajtshëm të familjes që qeveris Shqipërinë. Sali Berisha nuk do që kutitë e votimit të 28 qershorit të hapen, sepse ato kuti janë fundi i pushtetit të familjes së tij, që e ka zhytur në krizë demokracinë, shtetin e së drejtës, ekonominë e familjeve shqiptare. Sali Berisha nuk do që ato kuti të hapen, sepse hapja e kutive të 28 qershorit i mbyll rrugën vjedhjeve e mashtrimeve me pronat publike e private të shqiptarëve”, u shpreh Rama. I pranishëm në mitingun e djeshëm, kryetari i PLiDr-së, Spartak Ngjela i kërkoi Kryeministrit Berisha të hapë kutitë e 28 qershorit. “65 deputetët socialistë do të rishkruajnë riformulimin e historisë. Ne do t’i hapim kutitë! Hapi kutitë, do t’i themi deri në datën 20 nëntor, nëse nuk i hap ai, do ti hapim vetë! Ne do ti themi Perëndimit dhe botës ku duam të shkojmë se personaliteti ynë nuk është më i nëpërkëmbur si para datës 20 nëntor. Arsyeja kryesore që ngulmohet për mbajtjen e një pushteti të paligjshëm është fakti se ligji i shkatërron këta njerëz, që pasi vodhën gjithë pronën private e shtetërorë, vodhën edhe votën”, u shpreh Ngjela.
Ruçi: Berisha tëmos e trashë zullumin
Deputeti socialist Gramoz Ruçi, i cili hapi protestën e djeshme, tha se qytetarët
nuk shohin ngjyrimet partiake. “Të gjithë shqiptarët kanë nevojë për lirinë e tyre, për lirinë e votës. Të gjithë janë në luftë me krimin dhe korrupsionin. Ja pse kauza që PS mbron është e gjithë shqiptarëve, të majtë dhe të djathtë”. Nga qyteti i Lushnjës, deputeti socialist i ka dërguar një mesazh Kryeministrit të vendit. “Sali Berisha, këmbanat po bien dhe duhet që nëse ka veshë t’i dëgjojë, nëse ka sytë t’i shikojë dhe nëse ka mend, sado pak, të gjykojë. Të mos e trashë më shumë zullumin. Ky është vetëm fillimi, vazhdimi do të jetë shumë i hidhur” ka deklaruar Ruçi.
Legisi: Krimi i Gërdecit në kuti
Ish përfaqësuesi i lartë i LSI-së, që i është bashkuar PS-së, Ndre Legisi kërkoi hapjen e kutive të votimit. “Vota nuk duhet të preket, njerëzit të votojnë të lirë dhe jo të dhunuar nga bandat kriminale të Berishës. Do të bashkohemi sepse kur u ndamë e bëmë me vendimin për të korrigjuar të majtën dhe jo për të mbajtur në pushtet Berishën. “Ai heziton të hapë kutitë sepse aty është krimi i Gërdecit, sepse aty janë vilat e qeveritarëve”. Ish drejtuesi i LSI është shprehur se Berisha nuk pranon të hapë kutitë se aty janë trojet dhe tokat që u janë marrë shqiptarëve, dhe ku janë bërë pronarë zyrtarët e Berishës.
Gjinushi: Do ta fitojmë betejën
Kreu i PSD-së Skënder Gjinushi tha se shqiptarët votuan më 28 qershor për largimin e Sali Berishës. “Jemi këtu për të mbrojtur votën e lirë që fshihet në kutitë e votimit dhe këtë betejë do ta fitojmë së bashku. Edhe ata që votuan LSI, votuan që LSI bashkë me ne të hiqnim Berishën dhe jo që Berisha me mercenarët e LSI t’u hiqte nga puna ju, t’u rrëmbente ju dhe fëmijëve tuaj të ardhmen”, tha Gjinushi. Sipas tij, shqiptarët nuk kanë votuar në 28 qershor që Berisha të mbajë peng vizat dhe lëvizjen e lirë në Evropë. Përkundrazi, ata kanë votuar kundër qeverisë më të korruptuar në botë, që vjedh nga tokat e shqiptarëve deri te fishekët e Gërdecit.
Fino: Pushteti i gangsterëve
Deputeti socialist Bashkim Fino kërkoi vazhdimin e bojkotit. “Shpresat dhe ëndrrat tuaja për të ardhmen janë të burgosura në ato kuti, aspiratat e nevojat tuaja për familjen tuaj, për qytetin e fshatin tuaj, për vetë Shqipërinë, janë të burgosura në ato kuti, mjetet e shpëtimit nga varfëria, papunësia, injoranca, dhuna e korrupsioni janë të burgosura në ato kuti. Vendi nuk meriton të qeveriset nga pushteti i gangsterëve. Disa na thonë të futemi në parlament, po kush na thotë të futemi në parlament, na thonë gazetat, televizionet, na thonë pseudo analistët, por ne nuk dëgjojmë ata, ne dëgjomë zërin tuaj. Ne do të hyjmë në parlament kur të hapen kutitë e votimit”, u shpreh Fino dje në Lushnje.