E Diel, 1 Nëntor 2026

I sëmuri lyhet me benzinë, tenton të djegë veten brenda në shtëpi

 

TIRANE - Një i sëmurë mendor ka tentuar të djegë veten dhe shtëpinë e tij duke u lyer me benzinë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në lagjen “Ali Demi” të Tiranës. Pas tentativa të dështuara të familjarëve, për ta bindur që të mos ndizte shkrepësen, pasi kishte spërkatur të gjitha mobiljet me benzinë, gjithashtu edhe veten, ata janë detyruar që të lajmërojnë policinë. Mbërritja në kohë e efektivave të Komisariatit nr.1, ka shmangur një tragjedi në familje, pasi 40-vjeçari me iniciale A.K. pasi kishte lyer me benzinë shtëpinë, i kishte mbyllur brenda nënën dhe vëllain e tij. Ky i fundit pa pasur asnjë rrugëzgjidhje tjetër, i ka telefonuar policisë, të cilët kanë shoqëruar 40-vjeçarin për ta shtruar në spitalin psikiatrik, pasi sipas familjarëve ai vuante prej vitesh nga probleme të rënda mendore. Burime nga policia thanë se ka qenë vëllai i të sëmurit, A.K, i cili ka lajmëruar policinë për ngjarjen. Mësohet se i sëmuri ka marrë një shishe benzinë dhe ka spërkatur me të të gjitha mobiliet e banesës së tij, që ndodhet në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, dhe më pas ka lyer edhe veten. Familjarët e tmerruar janë përpjekur të ndalojnë veprimin fatal që po tentonte të ndërmerrte i sëmuri, por në pamundësi për ta ndaluar atë, kërkuan ndihmën e policisë. Forca të shumta policie shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes për të neutralizuar veprimet e të sëmurit mendor, i cili për pak mund të kishte shkaktuar një tragjedi në familjen e tij. Ai u transportua menjëherë nga forcat e policisë në spital. Ndërsa pas shoqërimit të tij, policia mundi të nxjerrë nga banesa edhe nënën dhe vëllain e autorit, të cilët ai i kishte mbyllur brenda në banesë me qëllim që t’ua vinte flakën. Burime nga policia sqaruan se A.K. në momentin e ndalimit kishte një shkrepëse me dorë, gati për ta ndezur, por është bllokuar në momentin e fundit. Mësohet se ai nuk ka folur asnjë fjalë për oficerët e policisë, ndërsa familjarët e tij, kanë thënë që edhe më parë kishin pasur shqetësime nga ai, duke qenë se ishte i sëmurë mendor, por asnjëherë të kësaj shkalle, sa ai t’u rrezikonte jetën atyre dhe vetes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›