Izraelitët, plan rregullues për Korçën e tre qytete të tjera
KORÇE - Studioja izraelite “Nerman Arkitekturë”, e cila ka fituar tenderin për hartimin e planit rregullues të Korçës, Beratit, Lushnjës dhe Gjirokastrës, ka nisur një tur studimor. Një grup ekspertësh izraelitë dje kanë vizituar qytetin e Korçës. Ata janë njohur me vizionin e bashkisë dhe studimet e projektet pjesore të hartuara prej saj, me qëllim që të kihen parasysh gjatë hartimit të planit rregullues të qytetit. Njëherësh studiuesit dhe ekspertët izraelitë zhvilluan takime me arkitektë e ekspertë urbanistë korçarë, me të cilët shkëmbyen mendime e madje kërkuan prej tyre të mësojnë nga trashëgimia urbanistike e këtij qyteti. Në pjesën e dytë të ditës ata shëtitën nëpër qytet për ta njohur konkretisht atë. Takimi i parë konsultativ dhe teknik u zhvillua me drejtues të bashkisë, specialistë të drejtorive të ekzekutivit, përfaqësues e aktorë të tjerë vendorë. Kryetari i Bashkisë Niko Peleshi prezantoi para grupit izraelit vizionin e bashkisë për Korçën. “Ne aspirojmë jo një qytet që sa vjen e tkurret, por një qytet që ka perspektiva rritjeje. Paraqitja grafike e Korçës së vitit 2020 do të jetë pasqyrimi i një pune të gjatë të studios së huaj me punonjësit e Bashkisë dhe të inteligjencës së qytetit” u shpreh Peleshi. Në këtë takim Peleshi, duke pasur parasysh perspektivën e qytetit, kërkoi që në planin rregullues të përfshihen edhe studimet pjesore të kryera nga Bashkia dhe masterplanin e qendrës së qytetit. Realizimi i planeve rregulluese të katër qyteteve përfshin një vlerë prej 2 milionë dollarë, financim ky i Bankës Botërore. j.gj