E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli “emëron” 4 prokurorë

 

Trazhgim Sokolaj

Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme zhvilloi dje mbledhjen e radhës në të cilën propozoi emërimin në detyrën e prokurorit të 4 kandidatëve, nga 17 kandidatura të paraqitura. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se në mbledhjen e djeshme, me shumicë votash, Këshilli propozoi emërimin e prokurorit Altin Dumani në Prokurorinë e Apelit. Për këtë emërim ishin paraqitur në Këshill pesë kandidatura, nga të cilat bazuar në kriteret profesionale është votuar në shumicë prokurori Altin Dumani. Më parë ai ka ushtruar detyrën e zv.drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa nga viti 2007 drejton Njësinë Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës. Më pas Këshilli ka marrë në shqyrtim kandidaturat e oficerëve të policisë gjyqësore, të paraqitura për t’u emëruar si prokurorë. Sipas burimeve zyrtare nga Këshilli i Prokurorisë, me shumicë votash është vendosur emërimi si prokuror i oficerëve Artur Cara, Afrim Shehu dhe Gentian Sota. Nga 12 kandidatura të paraqitura, Këshilli ka vendosur t’i propozojë kryeprokurores Ina Rama, emërimin e oficerit Artur Cara si prokuror në prokurorinë e rrethit të Fierit, oficerit Afrim Shehu si prokuror në Prokurorinë e Durrësit dhe oficerit Gentian Sota si prokuror në Prokurorinë e Korçës. Të gjitha emërimet e votuara dje në Këshillin e Prokurorisë së Përgjithshme kanë kaluar kështu fazën e parë, ndërsa procedura parashikon se emrat do të kalojnë në Zyrën e Prokurores së Përgjithshme. Kjo e fundit ka të drejtën e miratimit të propozimeve të Këshillit të Prokurorisë. Nëse Kryeprokurorja i miraton vendimet e marra dje në Këshill, atëherë emrat dërgohen në Presidencë për dekretim nga kreu i shtetit Bamir Topi. Në mbledhjen e djeshme janë futur në axhendën e Këshillit edhe katër masa disiplinore për prokurorët e Durrësit, pas shkeljeve të gjetura në kontrollin e fundit mbi veprimtarinë 2-vjeçare të institucionit.  

Vendimet e Këshillit

1.Altin DUMANI, prokuror
Propozohet për emërim në Prokurorinë e Apelit, Tiranë
2.Artur Cara, oficer
Propozohet për emërim në Prokurorinë e Fierit
3.Afrim Shehu, oficer
Propozohet për emërim në Prokurorinë e Durrësit
4.Gentian Sota, oficer
Propozohet për emërim në Prokurorinë e Korçës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›