Litar këmbëve të adoleshentes, zbulohet historia e 4-t në Fier
FIER/ MAJLINDA RAMA
E sëmurë prej 17 vitesh Marjeta Mahmutaj nga Sektor-Semani i Fierit mbahet e lidhur me litar brenda shtëpisë. Vajza adoleshente nuk flet e as nuk dëgjon dhe një gjë e tillë e bën më agresive. Kjo është historia e katërt brenda më pak se 2 javësh zbuluar në vend, kur persona me probleme trajtohen në këtë mënyrë. “Jam e detyruar ta lidh vajzën me litar sepse më shkatërron çdo gjë në shtëpi. Për më tepër del lakuriq nëpër rrugët e fshatit duke ndjekur makinat”. Kështu shprehet nëna e Marjetës, Elvira Mahmutaj, e cila e lënduar pohon fatkeqësinë që i ka rënë familjes së saj. Prej 17 vjetësh Elvira endet pas së bijës duke e ndjekur kudo, nëpër rrugë e shtëpi, sepse e bija është e papërgjegjshme. “Shqyen rrobat dhe nuk pranon asnjë që t’i afrohet. Është agresive sa nuk arrij dot ta frenojë. Shumë herë më qëllon me çfarë t’i gjendet në dorë. Marjeta del nga dritarja dhe unë i shkoj nga pas nëpër shtëpitë e bahçet e të tjerëve. Nuk di si të sillem me vajzën time, më vjen keq që sa herë i tregoj litarin, që shërben për ta lidhur, trembet dhe bëhet krejtësisht e papërmbajtshme”. Të jetuarit nën ankthin e përditshëm e ka bërë Elvirën të plaket çdo ditë e më shumë. Fatkeqësinë e familjes Mahmutaj e vuan i gjithë fshati sepse ajo qëllon me gurë fëmijët dhe shtëpitë. “Hallet e mia kanë marrë jetë që me lindjen e Marjetës. Kur lindi ajo dukej fëmijë më se normal, por shumë shpejt kaloi sëmundjen për shkak të temperaturës së lartë dhe që atëherë gjendja e saj shëndetësore nuk është përmirësuar ndonjëherë. Ditët nuk kalojnë lehtë kur në shtëpi ke një fëmijë që shkatërron çdo gjë. Edhe nga njerëzit jam ndarë sepse nuk mund të shkoj për vizita me vajzën nga pas”. Sikur të mos mjaftonte sëmundja e vajzës, familja Mahmutaj jeton në një gjendje të dobët ekonomike, edhe pse ajo trajtohet me një pension mujor. Rutina e përditshme ka tërhequr nën ritmin monoton dhe mbytës edhe babanë dhe vëllezërit e Marjetës. Ata tregojnë se kanë lëvizur të gjithë gurët për ta shëruar, por mesa duket nuk është e thënë që ajo të rikthehet normale. “Kemi bërë të pamundurën, edhe pse me të ardhura minimale, që Marjetës t’i gjejmë një kurë, por mesa duket kështu e ka vendosur Zoti të ardhmen e saj”. Mes lotësh familjarët e Marjetës shprehen se kanë marrë disa medikamente, të cilat 17-vjeçarja i ka përdorur për një kohë të gjatë, por asgjë nuk ka ndryshuar në sjelljen e saj. Fillimisht, familja Mahmutaj kërkonte nga shteti dërgimin e vajzës në një qendër të specializuar, por sipas së ëmës veprimet e së bijës dhe tentativa e saj për t’u zhveshur e vështirëson vendimin për ta larguar nga shtëpia.