E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhi: Shqiptarët ushqehen më pak

Rritja e vazhdueshme e çmimeve ka ndikuar ndjeshëm në buxhetin familjar të çdo konsumatori.

Fabiola Çela

 Shumë prej tyre janë detyruar që të heqin dorë nga përdorimi i zarzavateve, pasi çmimi i këtyre të fundit sa vjen dhe rritet edhe më shumë. Por edhe pse të ardhurat janë pakësuar, shqiptarët nuk arrijnë të heqin dorë nga kafenetë. Një anketim i “Qendrës së Kërkimeve Monitor”, i kryer me intervista direkte gjatë muajit mars 2008, me 500 individë të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme ka zbuluar reagimin në sjelljen e tyre ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimeve të muajve të fundit.  
Anketimi
Konsumatorët janë të gjithë në një mendje në perceptimin e tyre për rritjen e çmimeve. Gati 99.4% e të anketuarve, kanë vënë re rritje të çmimeve gjatë muajve të fundit në të paktën një produkt. Pjesa më e madhe e tyre kanë fajësuar qeverinë për këtë krizë çmimesh dhe një pjesë e vogël e të anketuarave mendojnë se kjo rritje çmimesh ka ardhur si pasojë e krizës botërore të çmimeve. Shtrenjtimi i produkteve ushqimore kanë rënduar ndjeshëm në xhepat e qytetarëve dhe shumë prej tyre kanë pohuar se, tani nuk janë në gjendje që me të ardhurat që kanë të kursejnë para.
Çmimet e ushqimeve rriten çdo ditë e më shumë. Gati 70% e të anketuarve deklarojnë se, rritja e çmimeve ka ndikuar shumë tek ata. Por kjo krizë çmimesh ka ndikuar ndjeshëm në portofolin e çdo familje. Gati 51% e të anketuarve shprehen se, në krahasim me një vit më parë nuk arrijnë të kursejnë. Rritja e vazhdueshme e çmimeve të zarzavateve po i shtyn konsumatorët të heqin dorë nga konsumi i zarzavateve dhe të shtojnë në dietën e tyre më shumë brumëra. Gati 47% e atyre që kanë ndryshuar dietën ushqimore pohojnë se, konsumojnë më pak zarzavate. Ndërkohë që zarzavatet, lëndët djegëse, ushqimet e gatshme, transporti janë katër grupet kryesore ku konsumatorët kanë vërë re rritje çmimesh gjatë muajve të fundit. Shumë prej të anketuarve kanë fajësuar qeverinë si shkaktare për këtë rritje çmimesh. Politikat qeveritare perceptohen nga 39% e të anketuarve si shkaktari kryesor për rritjen e çmimeve. Si shkaku i dytë renditen spekulimet në tregun vendas, të cilat i bëjnë fajtore 36% e të anketuarve. Pyetjes “Si ka ndikuar rritja e çmimeve në sjelljen tuaj”, vetëm 15% e të anketuarve i janë përgjigjur që “Nuk ka ndryshuar, blej njëlloj”. Pjesa tjetër prej 85%, në një farë mënyre apo tjetrën i është përgjigjur që ka ndryshuar sjellje, duke blerë më pak nga të gjitha, gjëra më të lira, apo duke shpenzuar më pak për argëtim. Interesant është fakti që vetëm 3% e atyre që janë ndikuar nga rritja e çmimeve pohojnë se, shpenzojnë më pak kafe nëpër lokale.

rezultatet e sondazhit

Si ka ndikuar rritja e çmimeve në sjelljen tuaj?
15 për qind
nuk ka ndryshuar, blej njësoj
39.6 për qind
blej më pak nga të gjitha
21.4 për qind   
blej gjëra më të lira
9.8 për qind
blej, më pak për veshje
10.6 për qind   
blej, më pak për argëtim
3 për qind
shpenzoj më pak lekë për kafe

Cili është shkaku i rritjes së çmimeve?
39.2 për qind
politikat qeveria
36.2 për qind
spekulimet në tregun vendas
18.9 për qind
lëvizjet në tregjet ndërkombëtare
5.4 për qind
nuk e di

Sa ka ndikuar rritja e cmimeve në buxhetin tuaj si individ?
26.2 për qind    
pak
71.6 për qind   
shumë
1.41 për qind
aspak
0.8 për qind
nuk e di

Buxheti krahasuar me një vit me parë?
28 për qind
kursej më pak
12.8 për qind
kursej njëlloj
3.4 për qind
kursej më shumë
51.8 për qind
nuk arrij të kursej
4.0 për qind
nuk e kam vënë re

Si ka ndryshuar dieta në familjen gjatë tre muajve të fundit?
46.7 për qind
konsumoj më pak zarzavate
16.4 për qind
konsumoj më pak bukë
6.9 për qind
konsumoj njësoj bukë
24.2 për qind
konsumoj më shumë brumëra
0.4 për qind
konsumoj më pak në përgjithësi
4.3 për qind
konsumoj më pak fruta

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›