E Shtunë, 31 Tetor 2026

CIA: Ekonomia në ‘07 u rrit 5 për qind

Rritja ekonomike në 2007 ka qenë 5 për qind.

Shifra është publikuar në raportin më të fundit të CIA-s. Sipas këtij raporti, ekonomia shqiptare është rritur me hapa më të ngadaltë nga çka deklaruar qeveria, sipas të cilës rritja ekonomike në 2007 ishte 6 për qind. Një ndër problemet kyçe të ekonomisë së vendit gjatë këtij viti ka qenë mungesa e energjisë. Sipas raportit të agjencisë amerikane, kufizimet e energjisë kanë trembur investitorët e huaj. Duke parë vështirësitë me të cilat haset ekonomia shqiptare, ndërkombëtarët kanë rekomanduar që të merren masat e duhura për të zhvilluar prodhimin bujqësor. Në raportin e amerikanëve shumë interesant është fakti se, vetëm 3 për qind e popullsisë janë grekë, duke mohuar zërat e grupeve të caktuara mbi shifra joekzistuese popullate etnike. Në raport shkruhet se në Shqipëri, 95 për qind e popullsisë janë shqiptarë, 3 për qind grekë dhe të tjerët janë 2 për qind (vllahë, romë, serbë, maqedonas, bullgarë). Vëzhgimet e ekspertëve amerikanë sqarojnë se në vitin 1989, ka pasur të tjera vlerësime nga popullata greke. Grekët e klasifikuan veten nga 1 për qind (sipas statistikave zyrtare shqiptare) në 12 për qind, e gjitha kjo e realizuar nga një organizatë greke. Konkretisht në raportin e CIA-s shkruhet se, Shqipëria është e izoluar nga fqinjët e saj ballkanikë dhe po kalon fazën e vështirë të tranzicionit drejt një ekonomie të tregut të hapur. Qeveria ka marrë masa për të ulur krimin e dhunën dhe së fundmi ka miratuar një paketë reformash fiskale, e cila ndikon në uljen e ekonomisë gri dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Ekonomia po përkrahet nga të ardhurat vjetore nga jashtë nga 600-800 milionë dollarë, kryesisht nga shqiptarët që jetojnë në Greqi dhe Itali; kjo ndihmon në uljen e deficitit të lartë tregtar. Agrikultura, e cila llogaritet për më shumë se një të pestën e GDP-së, është frenuar për shkak të mungesës së pajisjeve moderne, paqartësive në të drejtat e pronave dhe mbipopullimin e tokave të vogla e të paefektshme. Ndërprerjet energjetike dhe infrastruktura e prapambetur dhe e papërshtatshme kontribuojnë në ambientin e varfër të biznesit shqiptar, i cili e bën të vështirë tërheqjen dhe mbështetjen e investimeve të huaja. Përfundimi i një impianti të ri energjie termale afër Vlorës dhe përmirësimi i linjës së përhapjes ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, do të ndihmojë në lehtësimin e ndërprerjeve energjetike. Gjithashtu, qeveria po ecën ngadalë në përmirësimin e rrugëve të varfra nacionale dhe rrjetit hekurudhor, një barrierë e vjetër për mbështetjen e rritjes ekonomike. Nga ana ekonomike, rritja makroekonomike ishte e fortë në periudhën 2003-‘07 dhe inflacioni është i ulët dhe i qëndrueshëm.

raporti

5 për qind, rritja ekonomike
13 për qind, shkalla e papunësisë por mund t’i kalojë 30 për qind për shkak të mbizotërimit të bujqësisë
25 për qind e popullsisë nën linjën e varfërisë
3 për qind niveli i inflacionit
23.4 për qind e GDP-së investimet
2.752 miliardë dollarë të ardhurat e buxhetit
3.129 miliardë dollarë shpenzimet e buxhetit
53.7 për qind e GDP-së borxhi publik

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›