E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta antifashiste dhe të vërtetat e Edi Ramës

DRITAN PRIFTI

Rilexova sot librin e Edi Ramës dhe Adrian Klosit “Refleksione”, të botuar në kohën kur Edi Rama ishte në krah të Berishës dhe kërkonte që opozita antikomuniste që krijoi Berisha në vitin 1991 të ishte shumë më e egër se aq.  Edi Rama në shkrimin e tij: “Kundër ngushtimit të nocionit opozitë”, në faqen 179 të librit “Refleksione” analizon opozitën që bën Berisha me Partinë Demokratike dhe thotë se, “nuk e gjen veten në atë opozitë, sepse nuk arrin të identifikohet me atë”.  Shumëkush mund të mendojë se Edi Rama në këtë mënyrë nuk ishte dakord me opozitën destruktive, të shkatërrimit dhe persekutimit, që filloi të bënte Berisha që në 1991 dhe më pas. E vërteta është krejt e kundërt. Edi Rama mendonte se Sali Berisha dhe Partia Demokratike duhet të ishin më tepër antikomunistë, shumë më të egër me ish-komunistët, duke hapur dosjet dhe duke goditur pa mëshirë gjithë ata që kishin qenë komunistë apo kishin punuar në atë sistem. Edi Rama donte të ishte shumë me ekstremist i djathtë se Berisha. Ata që janë socialistë të vërtetë dhe nuk e kanë lexuar këtë “xhevahir” të Edi Ramës, nuk e besojnë që Edi i ka urryer kaq shumë ata, origjinën dhe historinë e tyre.
Në faqen 180, paragrafi tretë i këtij libri, Edi Rama shkruan: “Duhet pranuar më në fund, hapur, që lufta kundër okupatorit degjeneroi në një luftë të përgjakshme civile..... Prandaj nuk sjell ndonjë fryt të madh pajtimi midis Partisë Demokratike me atë Socialiste ose Ekologjike, por në radhë të parë pajtimi midis ish-palëve pjesëmarrëse në Luftën Civile (dhe trashëgimive të tyre), shkaktare e së cilës ishte Partia Komuniste Shqiptare e drejtuar nga emisarët jugosllavë. Historia e luftës për pushtet që kishte projektuar gjenerali Enver Hoxha dhe marrja e pushtetit me dhunë që ka qenë thelbi politik i çdo lëvizje komuniste, është shkaku i vetëm që ajo luftë e nisur kundër okupatorit, degjeneroi në lufte civile... Prandaj nuk kanë asnjë kuptim thirrjet për harresë dhe për mbyllje dosjesh, kur nuk janë zgjidhur probleme kardinale si Lufta Civile.....”
Kurse në faqen 182, Edi Rama godet pa asnjë hezitim Partinë Socialiste në origjinën dhe historinë e saj. Ai shkruan: “Denoncimi pa kompromis i veprimtarisë kriminale të PPSH-së deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit është i vetmi shteg nga duhet të kalojë PSSH-ja për të fituar të drejtën e qytetarisë në shoqërinë e ardhshme shqiptare ...  Për sa kohë PS-ja nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe historisë së saj, ajo s’mund të ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme.”
Në këtë shkrim Edi Rama denoncon faktin që Sali Berisha nuk e nxjerr jashtë ligjin e Partinë Socialiste. Ai i kërkon Berishës që të detyrojë Partinë Socialiste të mohojë origjinën dhe historinë e vet, të mohojë kështu Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, luftën që i dha Shqipërisë fitoren ndaj fashizmit, dhe lirinë e shumëpritur. Për ironi të fatit Edi Rama sot është në krye të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ai me imoralitetin e vet, me një politikë shtirjeje dhe mashtrimi kërkon të mbajë brenda partisë së tij, që ka tradhtuar socialistët e vërtetë, veteranët, familjet dhe pasardhësit e dëshmorëve.
Sot, më 5 Maj, Edi Rama do shkojë në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të vendosë atje kurorën e tradhtisë ndaj dëshmorëve dhe gjakut të tyre. Ai do shkojë te varrezat e dëshmorëve të bëjë detyrën që i ka dhënë Sali Berisha: të gënjejë socialistët se gjoja respekton origjinën dhe historinë e tyre, dhe kështu me dredhi t’i mbajë ata sa më gjatë nën ombrellën e partisë, që me atë në krye, ka tradhtuar çdo socialist të vërtetë dhe të ndershëm. Edi Rama nuk është socialist. Edi Rama ka qenë dhe mbetet ekstremist politik. Edi Rama është një ekstremist i djathtë, i cili ka marrë me dredhi kreun e Partisë Socialiste. Kështu ka qenë në 1991-1992, kur ka shkruar dhe botuar librin “Refleksione”, kështu mbetet dhe sot.
Shikoni çfarë ka shkruar Edi Rama për referendumin popullor për formën e regjimit, në faqen 182 dhe 183 të këtij libri: “Ata që mund të kenë harruar historinë e Shqipërisë, kujtojmë se në Konferencën e Pezës është vendosur që çështja e formës së shtetit shqiptar do të zgjidhej me një referendum pas lufte. Kurse Kongresi i Përmetit, me fitimin e Luftës Civile nga komunistët, ia mohoi popullit shqiptar me dhunë këtë të drejtë politike.... Mendojmë se referendumi nuk e cenon spektrin e demokracisë, por përkundrazi prezumon në vetvete rritjen e spektrit të demokracisë, sepse demokraci do të thotë që secila shtresë sociale, çdo grup individësh, bile dhe çdo individ i veçantë duhet të ketë të drejtë për të gjetur tek fryma demokratike mendësinë e tij.”
 Çfarë ka ndodhur me Edi Ramën që mendimet që ka botuar në këtë libër, sot t’i ketë ndryshuar? Edi Rama dhe Sali Berisha para disa ditësh kanë ndryshuar thelbin e shtetit shqiptar duke ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë, dhe këta dy lider diktatorial nuk lejojnë deputetet e partive të tyre të firmosin që Kushtetutën e pazarit të tyre, ta votojë populli me referendum. Pse ka ndryshuar Edi Rama konceptin e vet për demokracinë dhe referendumin? Ai ka ndryshuar mendje, sepse tani nuk është i pavarur në vendimet e tij. Ai është shërbëtor i Sali Berishës dhe vendos nën ndikimin e tij. Me ndryshimet kushtetuese të votuara nga PS-ja dhe PD-ja, Sali Berisha bëhet i plotfuqishëm. Berisha merr në dorë të tij të gjitha pushtetet e vendit. Berisha ka në dorë Parlamentin dhe mund ta shpërndajë kur të ketë dëshirë. Berisha bëhet Kryeministër që nuk mund të rrezohet as me mocion besimi dhe as mosbesimi. Berisha me votat e partisë së tij zgjedh dhe shkarkon tani dhe Presidentin, duke e nënshtruar atë dhe gjithë sistemin e drejtësisë që varet prej tij. Askush tjetër nuk mund t’i bënte Sali Berishës një dhuratë të tillë në Kushtetutë, por vetëm ndonjë socialist i shitur apo ndonjë i djathtë ekstremist si Edi Rama.
 Edi Rama ka përdorur në librin “Refleksione” një shprehje të Faik Konicës që thotë: “Ideja e pushtetit të shqiptarit nuk i ka tejkaluar ndonjëherë caqet dhe mezhdat e qytetit apo të malit te tij. Sa herë që në të kaluarën është nënshtruar Shqipëria, kjo ka qenë pasojë e mungesës së rezistencës së përbashkët”. Me këtë shprehje të Konicës, unë po i jap një përgjigje tradhtisë së Edi Ramës dhe shitjes tek Berisha. I them Edit me bindje: “Z. Rama, ti je dorëzuar përpara Sali Berishës, por socialistët nuk janë dorëzuar akoma. Socialistët do të ngrëne një koalicion të ri politik e zgjedhor, pa të shiturit që të shërbejnë akoma ty Edi, dhe nuk do të nënshtrohen përpara Berishës. Ne do të fitojmë në 2009. Do të fitojmë dhe për të mos lejuar ty apo seren tënde që të tallet me Luftën Çlirimtare të partizanëve dhe dëshmorëve tanë. Do të fitojmë që në krye të socialistëve mos të jenë kurrë njerëz si Berisha apo më të djathtë se ai.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›