E Shtunë, 31 Tetor 2026

ARMO, Ruli letër amerikanëve



Firmat që kanë shpallur interes për privatizimin e ARMO-s, do të kalojnë nën sitën e amerikanëve. Interesi i madh për privatizimin e gjigandit shqiptar të naftës, ka sjellë me vete edhe riskun e një shitje "në duar të gabuara". Pas reagimit të amerikanëve, për një vëmendje më të madhe nga qeveria në zgjedhjet e blerësit të rafinerisë së naftës, gazeta zbulon reagimin e ministrit Genc Ruli. Në një letër, ministri i kërkon ambasadës amerikane, që të hetojë të gjithë firmat që kanë shpallur interes për privatizimin e gjigandit shqiptar. Qeveria e ka shpallur ARMO-n, si një ndërmarrje strategjike. Në vendimin e qeverisë, thuhet qartë që privatizuesi duhet të jetë strategjik. Që në këtë moment, privatizimi i saj, duhet të bëhet mbi interesa strategjike kombëtare. Nafta përbën aktualisht interesin më të madh të superfuqive të botës. Këtë radhë përplasja mes tyre, edhe pse krahasimisht shumë e vogël, bëhet në Shqipëri. Lajmet për zotërimin e tregut evropiano-lindor nga Rusia dhe kërcënimet e kësaj të fundit për rritje çmimesh, apo kërkesa të tjera në këmbim të arit të zi dhe gazit, e bëjnë këtë çështje të kalojë interesat "e çmimit" të privatizimit për Shqipërinë. Përhapja ruse në tregjet e Ballkanit, naftësjellësit rus që pritet të përshkojnë në disa drejtime gadishullin, sigurisht që nuk krijojnë klimë të mirë për interesat e amerikanëve në Ballkan. Problemi i amerikanëve është furnizimi i Evropës. Rusia, edhe pse jo zyrtarisht, nuk hyn në partnerët strategjikë të Shqipërisë. Shitja e gabuar e "thesarit të naftës", nuk do të linte një shije të mirë te partnerët tanë kryesore. Në fakt deri tani, në 12 firmat që kanë shprehur interes dhe kanë blerë dokumentet për të qenë pjeswmarrës në tender, nuk ka asnjë me kombësi ruse. Por interesi i tyre për rafinerinë shqiptare ka qenë prezent në disa raste. Problemi është te bashkëpunimi, në këtë rast konsorciumet, që bëjnë firmat për të "zaptuar" territore. Sot, kur çmimi i naftës është mbi 111 dollarë, dhe lufta për të po bëhet gjithmonë e më e ashpër, edhe metodat për të përfituar burime të tjera janë më të sofistikuara. Mundësia që ky treg të kapet nga shtete jo aleate të Shqipërisë në këtë rast është evidente. Kjo është arsyeja që ministri i ekonomisë, Ruli, i është drejtuar pikërisht amerikanëve, partnerit shqiptar zyrtarisht strategjik, për të hetuar rreth investitorëve që do të marrin pjesë në tender. Koordinimi i punës së ministrisë me ambasadën amerikane, do ta bënte më të sigurt zgjedhjen e privatizues strategjik për kompaninë ARMO. Vetë amerikanët janë të shqetësuar për përhapjen ruse në Evropën Lindore. Zgjerimi i tregut të Moskës në Evropë, lë më pak vend për politikat amerikane, aq më tepër kur bëhet fjalë për naftën dhe gazin, jetike këto për zhvillimin e një vendi, apo të krejt rajonit.
Privatizimi
Deri tani për kompaninë kanë shpallur interes 12 firma. Këto kanë tërhequr dhe paguar për dokumentacionin dhe pritet të jenë prezente më 21 maj në orën 14:00, kur do të bëhet edhe mbyllja e pranimit të ofertave. Sipas të dhënave, firmat janë amerikane, çeke, greke, etj. Shteti shqiptar shet 85 për qind të aksioneve të kompanisë, një investitori strategjik. Procesi për privatizimin e gjigandit shqiptar është përgatitur nga "Pattom Boggs", një kompani amerikane e kontraktuar si konsulente e qeverisë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›