E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokumentet zyrtare, 7 deputetë duan ndryshim të procedurave

Shtatë deputetë të PS-së dhe PD-së kërkojnë ndryshimin e ligjit "Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare në Shqipëri".

 Deputetët Valentina Leskaj, Musa Ulqini, Marko Bello të PS-së, si dhe Pëllumb Xhufi i LSI-së, Besnik Mustafaj, Aldo Bumçi dhe Preç Zogaj të PD-së kanë firmosur nismën për ndryshimin e procedurave të marrjes së të drejtës së dokumenteve zyrtare. Nisma, sipas relacionit të firmosur nga shtatë deputetët synon që t'i përafrohet legjislacionit të BE-së, si një nga kushtet e vendosura dhe nga MSA-ja. Nenet e ndryshuara kanë përfshirë se të drejtën e dhënies së informacionit e kanë autoritetet publike të çdo organi të administratës shtetërore, në nivel qendror dhe lokal (vendor), personat juridikë publikë, si dhe personat juridikë në pronësi ose nën kontrollin e shtetit. Një pikë tjetër e shtuar për dhënien e informacionit janë dhe personat fizikë ose juridikë që përmbushin funksione publike ose administrojnë fonde publike, përfshirë në fushën e arsimit, shëndetin e publik dhe shërbimeve sociale. Kërkohet transparencë dhe nga personat juridikë që financohen nga shteti që operojnë në koncesione dhe në veprimtari koncensionare. Ndërsa në nenin 3 të ndryshohet theksohet se, "çdo person ka të drejtën të njihet me përmbajtjen e dokumenteve zyrtare, si dhe të marrë kopje të tyre, pa qenë i detyruar të japë motivet". Autoriteti publik mund të refuzojë kërkesat për dokumentet zyrtare vetëm në rastet kur dhënia e tyre cenon: Sigurinë kombëtare, marrëdhëniet ndërkombëtare, apo politikat monetare të shtetit, parandalimin e hetimin dhe ndjekjen e veprave penale të dhënat personale të mbrojtura me ligj. Gjithashtu, ndalohet dhe marrja e të dhënave, që cenojnë shkëmbimin e mendimeve midis nëpunësve të autoritete publike në procesin e vendimmarrjes. Por, pavarësisht këtyre kushtëzimeve autoriteti publik është detyruar të përmbushë kërkesën e tij për informim, kur vlerëson se bërja publike e informacionit i shërben një interesi publik më të lartë. Kur Autoriteti nuk pranon kërkesën, atëherë personi që kërkon informim publik mund të ankohet tek Avokati i Popullit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›