E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titujt e pagat, rregullat e reja për mësuesit

Shkallën maksimale të karrierës, mësuesit do të kenë mundësi ta arrijnë 9 vite më herët se tani.

zirina llambro

Veç kësaj, kategoritë sipas viteve të punës nuk do të jenë më me numra, por me tituj shkencorë. Nga kalimi prej njërit titull tek tjetri, do të përfitohet edhe shtesa përkatëse në pagë. Këto janë pikat kyçe të draftit "Reforma e Sistemit të Zhvillimit Profesional të Mësuesve", i cili pritet të përfundojë shumë shpejt nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Me vënien në praktikë të tij do të ndryshojë plotësisht skema e vlerësimit profesional të arsimtarëve. "Mësues fillestar", "mësues i licencuar", "mësues specialist" dhe "mësues mjeshtër", janë titujt që  përcaktohen në këtë draft. Ndërkaq, mësuesit fillestarë, ata që sapo kanë marrë një diplomë universitare, kanë të drejtë të aplikojnë për titullin "mësues", të paktën pas një viti të ushtrimit të profesionit në mësuesi dhe të shumtën pas katër vitesh. Intervali minimal kohor ndërmjet titujve "mësues" dhe "mësues specialist" është 5 vjet, ndërsa midis "mësues specialist" dhe "mësues mjeshtër" është 10 vjet. Mësuesi do të vendosë vetë nëse do të aplikojë për një titull karriere dhe kur.
Shkallët e karrierës
"Në këtë mënyrë, mësuesi ka mundësi të arrijë shkallën më të lartë të karrierës më herët se tani, nga 25 vjet, në të paktën 16 vjet. Ky ndryshim i përshtatet standardeve ndërkombëtare duke çuar në një zhvillim më të shpejtë profesional", sqarojnë specialistët e ministrisë. Sipas tyre, rritja në karrierë sipas viteve të punës, nga periudha 24 deri në 49 vjeç që është tani shkon në 24-40 vjeç, ku për rrjedhojë pjekuria profesionale e mësuesit zgjat më shumë. Kalimi nga një titull karriere në atë pasues, do të shoqërohet me një shtesë korresponduese page, e bazuar në meritat profesionale. Këto merita përkthehen në pjesëmarrje, në trajnime, sigurim kreditesh. Numri i pikëve do të fitohet nga njohuritë teorike, aftësitë praktike për të dhënë mësim dhe arritjet e nxënësve. Për të ngjitur secilën nga shkallët, mësuesit do të plotësojnë një sërë standardesh. Ato po përpunohen nga specialistët e ministrisë. Por nga sa është përcaktuar paraprakisht, titulli i karrierës do të jetë për një lëndë dhe për një grupmoshë të nxënësve. Një mësues mund të aplikojë për titull karriere për më shumë së një lëndë, ose për më shumë se një grupmoshë nxënësish (që mund të jenë të arsimit të mesëm, të ulët dhe për atë të mesëm të lartë), ose për specializime të posaçme. Sipas specialistëve, dokumenti strategjik që po hartohet nga MASH, do të kthejë një faqe të re në reformimin e sistemit arsimor parauniversitar. "Zhvillimi profesional i mësuesve është pikënisja e kësaj reforme, hallka kyçe që do t'i afrojë standardet e vendit tonë me ato të vendeve të Bashkimit Evropian", nënvizuan specialistë të MASH.

Reforma

Nga 24 deri në 49 vjeç  mosha për shkallët e karrierës shkon në 24-40 vjeç

Titujt

• "Mësues fillestar",

• "Mësues i licencuar"

• "Mësues specialist"

•  "Mësues mjeshtër"

Shkallët e karrierës

• Mësuesit fillestarë, aplikojnë për titullin "mësues", të paktën pas një viti pune

• Intervali minimal kohor ndërmjet titujve "mësues" dhe "mësues specialist" është 5 vjet,

• Intervali "mësues specialist" dhe "mësues mjeshtër" është 10 vjet.

• Mësuesi do të vendosë vetë nëse do të aplikojë për një titull karriere dhe kur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›