Koloneli i arrestuar ishte shkarkuar për “Gërdecin”
Trazhgim Sokolaj
Ushtaraku i arrestuar të shtunën për korrupsion me dhënien e licencave të firmave për tregtim dhe magazinim eksplozivësh, është shkarkuar nga detyra dhjetë ditë më parë, duke u konsideruar përgjegjës për abuzime lidhur me ngjarjen e Gërdecit. Koloneli Kadri Suli, ish-komandant i Brigadës së Furnizimit pranë Komandës Mbështetëse të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ishte ndëshkuar administrativisht me largim nga puna, pas tragjedisë së ndodhur në Gërdec. Masa ndëshkimore administrative me shkarkim, është firmosur nga ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, më 17 prill 2008, pas një analize të bërë nga ky dikaster për ngjarjen e ndodhur në Gërdec mesditën e 15 marsit 2008. Sipas kësaj analize, koloneli Kadri Suli, është cilësuar përgjegjës për ngjarjen e Gërdecit nisur nga përgjegjësia që ai ka pasur si Komandant i Brigadës së Furnizimit pranë Forcave të Armatosura. Në këtë detyrë, koloneli i arrestuar tashmë për një tjetër abuzim, ishte përgjegjës për çështje që kanë të bëjnë me objektet ushtarake siç ishte reparti i Gërdecit ku u ngrit fabrika e çmontimit, apo armatimin dhe municionet, të cilat transportoheshin matanë Vorës për llogari të kompanisë “Albademil”, në pronësi të Mihal Delijorgjit. Para se të shkarkonte kolonelin Kadri Suli, ministri i Mbrojtjes Oketa kishte larguar nga detyra edhe tre ushtarakë të tjerë, të cilët gjithashtu ishin konsideruar përgjegjës për ngjarjen e Gërdecit, në atë shkallë saqë masa administrative e parashikuar ndaj tyre ishte: Shkarkim nga detyra.
Koloneli nën akuzë
Pak kohë pasi është shkarkuar nga detyra e Komandantit të Brigadës së Furnizimit pranë Komandës Mbështetëse të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Kadri Suli u arrestua. Ai tashmë akuzohet për kërkim dhe marrje ryshfeti nga kompanitë private, që janë pajisur me licencë nga Ministria e Mbrojtjes, për transport, tregtim dhe trajtim eksplozivësh me qëllime civile. Problemet duket se nuk kanë pasur të sosur pas ngjarjes së Gërdecit, për kolonelin Kadri Suli. I cili ishte thirrur disa herë në Prokurori dhe ishte marrë në pyetje nga hetuesit e dosjes “Gërdeci” lidhur me disa episode të abuzimeve, që dyshohet se kanë shkaktuar tragjedinë e 15 marsit. Por pavarësisht seancave të gjata të pyetjeve në Prokurori, ndëshkimi më i madh për kolonelin e ushtrisë, duket se ka qenë shkarkimi i tij nga detyra dhe së fundi, akuzat për korrupsion. Në postin që ai ka pasur si Komandant i Brigadës së Furnizimit pranë Forcave të Armatosura, Suli ka pasur kompetencë për dhënie mendimi dhe pjesëmarrje në Komisionin e Ministrisë së Mbrojtjes, që pajiste me licencë kompanitë që kërkonin të kryenin tregti, transport, magazinim dhe trajtim të lëndëve eksplozive për qëllime civile. Pikërisht në këto cilësi, dyshohet se koloneli ka bashkëpunuar me Shkëlzen Madanin, drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes. Edhe ky i fundit, bashkë me kolonelin Suli u arrestuan të shtunën nga njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, për akuzën e “korrupsionit”. Kjo akuzë, bashkë me “shpërdorimin e detyrës” nga koloneli i arrestuar, është ngritur nga Prokuroria pas hetimeve lidhur me kërkimin dhe marrjen e ryshfetit nga kompanitë që kishin kërkuar të licencoheshin nga Ministria e Mbrojtjes për tregtim eksplozivësh. Drejtori i Ministrisë dhe koloneli i ushtrisë po hetohen edhe për abuzime në dhënien e magazinave ushtarake me qira për magazinim tritoli për firmat, që ishin favorizuar në dhënien e licencave. Zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani, sipas Prokurorisë, është autori i një projekturdhri të propozuar në zyrën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me çmontimin e predhave në Gërdec nga firma e Mihal Delijorgjit. Një urdhër i tillë, që nuk është kaluar tek shefi i Shtabit të Përgjithshëm, është bërë objekt i hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme për pasojat që ka sjellë në ngjarjen tragjike të 15 marsit të këtij viti në Gërdec, e cila shkaktoi 26 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur me dëmtime të ndryshme.
Koloneli dhe drejtori, në hetim për “Gërdecin”
TIRANE – Në kohën kur ndodhen të arrestuar për akuzat e “korrupsionit” dhe “shpërdorimit të detyrës”, ish-zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, Shkëlzen Madani dhe koloneli i ushtrisë Kadri Suli, janë persona ndaj të cilëve zhvillohen hetime edhe për tragjedinë e Gërdecit. Ish-drejtori i Ministrisë së Mbrojtjes ka lënë gjurmë të dukshme në dokumentacionin e sekuestruar dhe verifikuar nga Prokuroria për hetimin e ngjarjes së ndodhur në Gërdec. Ndërkaq, edhe koloneli i ushtrisë dyshohet se ka tejkaluar “detyrën e tij” si Komandant i Brigadës së Furnizimit, duke marrë pjesë në përzgjedhjen e municioneve që shkonin në Gërdec për çmontim në punishten e ngritur me këtë qëllim nga kompania “Albademil” në pronësi të Mihal Delijorgjit. Organi i akuzës tha se, është duke verifikuar pozicionin e dy të arrestuarve për korrupsion edhe në rastin e tragjedisë së Gërdecit.
Zyrtarët e arrestuar, vonesa fiktive për firmat
TIRANE - Dy zyrtarët e lartë të ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes të arrestuar dy ditë më parë me urdhër të Prokurorisë, u vononin në mënyrë fiktive dhe artificiale dhënien e lejeve të importit të lëndëve plasëse subjekteve të ndryshme, që kërkonin të pajiseshin me licencë. Sipas burimeve të Prokurorisë që kanë kryer hetimin, veç vonimit të lejeve të importit, zyrtarët e akuzuar për marrje e kërkim ryshfeti, krijonin vonesa dhe burokraci artificiale për kërkuesit e lejeve të kësaj natyre, me qëllim përfitimin material. Të gjitha këto zvarritje dhe sorollatje, dyshohet se organizoheshin nga të akuzuarit me qëllim që aplikantët të mërziteshin dhe të shikonin mundësi në rrugë informale për të marrë licencat. Kështu ata do të lodheshin dhe do të detyroheshin vetë të ofronin para për t’iu shmangur procedurave burokratike. Dy ish-zyrtarët, Shkëlzen Madani, 44 vjeç, banues në Tiranë, ish-drejtor i Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe Kadri Suli, 53 vjeç, ish-kreu i Brigadës Logjistike nr.4300, janë dy personat kryesorë të akuzuar nga Prokuroria për aferën e dhënies së licencave ndërkombëtare të transportit të eksplozivëve. Këta të fundit, sipas policisë, në mënyrë të qëllimshme kanë zvarritur lejet e tregtimit për një subjekt që kishte kërkuar marrjen e një lejeje për import dhe transport të lëndëve plasëse, që do të përdoreshin nga specialistët përkatëse në nevoja të ndryshme të ekonomisë së vendit. Po kështu edhe dhënia e lejeve të transportit për të njëjtën lëndë, kryhej nga personat e arrestuar nga Prokuroria për akuzën e korrupsionit. Sipas burimeve të organit të akuzës, roli i dy të arrestuarve të tjerë, Aurela Çota, 25 vjeçe, përfaqësuese “Nitromak Albania” sh.p.k, dhe e Ferdinant Hodo, 48 vjeç, me administrator i “Geoconsult” sh.p.k, ka qenë ndërmjetësimi me dy zyrtarët e lartë të arrestuar për korrupsion. Për ç’do dhënie lejeje për këtë veprimtari, shumat financiare që kërkoheshin ishin të konsiderueshme duke u argumentuar edhe me fitimin që ato kishin. Gjatë hetimit të kësaj çështjeje, përfaqësuesit e organit të akuzës kanë bllokuar dhe administruar disa fashikuj të dosjeve të aplikantëve dhe lejeve të dhëna nga Ministria e Mbrojtjes. d.b
Zbardhen aferat me licencat e tritolit
Denoncimi i një kompanie, së cilës i ishte refuzuar dhënia e licencës për tregti ndërkombëtare të lëndëve eksplozive, është bërë shkak për fillimin e hetimeve për korrupsion, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura.
Trazhgim Sokolaj
E bindur se kishte përmbushur të gjitha kriteret ligjore për marrjen e licencës dhe pasi kishte marrë informacion për “pazaret”, që zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë bënin me firmat që kishin përfituar licencat, kompania e refuzuar ka bërë denoncim pranë Sektorit të Antikrimit Ekonomik dhe Korrupsionit në polici. Denoncimi është përcjellë në Zyrën Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, institucioni më efektiv në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Njësia Task-Force menjëherë ka filluar hetimet për aferën korruptive me dhënien e licencave për tregti, magazinim dhe përdorimin e lëndëve eksplozive me qëllime civile. Procedimi penal është regjistruar më 3 janar 2008 dhe që nga ajo kohë, për katër muaj me radhë Shkëlzen Madani, Kadri Suli dhe Ferdinand Hodo, tre nga katër të arrestuarit, janë vendosur në përgjim. Shërbimet e Policisë Gjyqësore kanë interceptuar bisedat telefonike të zyrtarëve të dyshuar për korrupsion dhe kanë dokumentuar takimet e tyre “informale”, jashtë zyrave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë, me përfaqësuesit e firmave që paguanin ryshfet në këmbim të marrjes së licencave. Në këto takime vendoseshin firmat që do të merrnin licencat bazuar në shumat e ryshfetit që ato ofronin. “Hetimet kanë provuar mënyrën abuzive dhe korruptive që ndiqej për dhënien e licencave. Zyrtarët nxirrnin justifikime para firmave që nuk jepnin ryshfet, ndërkohë që për ata që paguanin para, vepronin në mënyrë të shpejtë”, thanë burimet nga hetimi i çështjes.
Pakti korruptiv
Në morinë e veprimeve korruptive dhe abuzimeve, për të cilat akuzohen Shkëlzen Madani, drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Kadri Suli, ish-komandant i Brigadës së Furnizimit në strukturat e Forcave të Armatosura, me gradë kolonel, një prej tyre duket se ka qenë më problematiku. Një kompani, e cila kishte bërë kërkesë në Ministrinë e Mbrojtjes për të marrë licencën e transportit, tregtimit dhe përdorimit të eksplozivit, ka porositur jashtë Shqipërisë një ngarkesë prej 410 tonë tritol, para se të merrte licencën, duke pasur garanci për marrjen e saj. Sipas të dhënave nga hetimi, kjo kompani e kishte të sigurt marrjen e licencës, pasi paraprakisht kishte bërë pakt me përfaqësuesit e kompanisë duke paguar ryshfet tek të arrestuarit. Dhe në fakt licenca, sipas hetimeve, kompanisë në fjalë i është dhënë para se një dokument i tillë t’i nevojitej, pikërisht në kohën kur duhej të justifikonte superngarkesën me lëndë eksplozive të mbërritur në Shqipëri në rrugë detare. Lidhur me këto abuzime, Prokuroria ka ngritur akuzën e “korrupsionit të personave që kryejnë funksione publike” ndaj ish-drejtorit të Ministrisë së Mbrojtjes Shkëlzen Madani, “shpërdorim detyre” e korrupsion ndaj kolonelit Kadri Sula, “korrupsion aktiv” ndaj Aurela Çotës, përfaqësuese e shoqërisë “Nitromak Albania” sh.p.k., e cila kishte përfituar licencë nga Ministria e Mbrojtjes dhe “korrupsion aktiv” e “ushtrim të ndikimit të paligjshëm tek personat që kryejnë funksione publike” ndaj Ferdinand Hodos, administrator i Shoqërisë “Geoconsult” sh.p.k, i katërti i arrestuar për aferën e dhënies së licencave për kompanitë që investonin në tregtinë e lëndëve eksplozive.
Gërdec, pesë hajdutë në polici, po vidhnin mbetje municionesh
TIRANE - Pesë persona u ndaluan nga policia e Komisariatit nr.6, në kryeqytet, me akuzën e vjedhjes së gëzhojave në bashkëpunim, në zonën e shpërthimit në Gërdec. Erjon Vajdulla, 20 vjeç, Sokol Selmani, 18 vjeç, nga fshati Fllakë i Durrësit, Ardian Serjani 39 vjeç, Alfred Gashi, 25 vjeç dhe Bledar Dodi, 26 vjeç, nga fshati Qerret i Durrësit janë personat e ndaluar. Sipas burimeve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të pestë këta persona janë kapur duke vjedhur gëzhoja në zonën e ish-fabrikës së çmontimit të predhave në Gërdec. Ata janë kapur gjatë ditës së shtunë dhe gjatë ditës së djeshme, duke marrë gëzhoja dhe mbetje predhash në këtë zonë. Më pas, ata do t’i ngarkonin në mjete që i kishin aty pranë dhe do i shisnin për skrap në Durrës apo në Tiranë. Personat, pasi janë kapur janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të policisë Kombinatit dhe në rajonin e Vorës. Pasi u janë marrë deklarimet, atyre u është komunikuar akuza e “vjedhjes në bashkëpunim”. Pas veprimeve procedurale të policisë, ata janë lënë të lirë nga uniformat blu. Gjatë javës që u mbyll, policia e Komisariatit të Kombinatit, ka shoqëruar në ambientet e saj dhe ka proceduar rreth 40 persona. Ata janë kapur nga uniformat blu, duke vjedhur gëzhoja dhe mbetje predhash për skrap në zonën e ish-fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec. Fenomeni i vjedhjes së gëzhojave të bronzit dhe bakrit në ish- repartin e tankeve në Gërdec, u kthye në një fenomen shqetësues për policinë e zonës, pas shpërthimit. Banorë të zonave përreth fshatit, ku ndodhi shpërthimi mësynë aty për të marrë gëzhoja për skrap. Policia u detyrua të linte patrulla të posaçme për të vëzhguar zonën e shpërthimit që e patrullonin bashkë me Policinë Ushtarake. Mes shumë të shoqëruarve për vjedhje skrapi në këtë zonë, policia ka dërguar në ambientet e saj edhe gra të cilat janë kapur atje. d.b