E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Referendumi, 500 mijë firma nga populli

Lëvizja Socialiste për Integrim do të nisë mbledhjen e firmave nga populli.

Aristir Lumezi

Kreu i kësaj partie, Ilir Meta tha dje për mediat se, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë e kanë humbur lirinë e tyre dhe mendojnë vetëm ekonomikisht. Prandaj sipas tij, LSI do t'i drejtohet popullit duke marrë rreth 500 mijë deklarata noteriale për të iniciuar një referendum popullor për ruajtjen e Kushtetutës. "Bazuar në nenin 150 të Kushtetutës, ne do të mbledhim jo 50 mijë firma të shtetasve shqiptarë, që kanë të drejtë vote, por do të mbledhim minimumi 500 mijë deklarata noteriale të qytetarëve shqiptarë, që kanë të drejtë vote për të kërkuar referendumin, i cili do të mbrojë lirinë e popullit shqiptar, do të mbrojë sovranitetin e tij nga nëpërkëmbja që i është bërë në natën e errët të 21 prillit", tha Meta. Duke saktësuar datën e nisjes së këtij procesi, Meta tha se, firmat do të nisin të mblidhen ditën e protestës së 10 majit. "Mbledhja e këtyre firmave do të nisë pikërisht javën e ardhshme, më 10 Maj, në Sheshin 'Skënderbej', për të vazhduar më pas në të gjithë Shqipërinë në një fushatë të pandërprerë dhe për këtë çështje do të krijohet edhe një Komitet Kombëtar në mbrojtje të lirisë dhe sovranitetit të popullit shqiptar, i cili do të përbëhet nga të gjitha forcat politike, nga të gjithë aktorët e rëndësishëm politikë dhe nga të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, etj", tha Meta. Duke denoncuar pozicionin e deputetëve të dy forcave politike në kuvend, PD-PS, Meta tha se: "Ata nuk janë më të lirë të vendosin vetë". "Meqenëse këta deputetë e kanë humbur lirinë dhe personalitetin e tyre, dhe sikurse të gjithë e dinë, që kanë nisur të gjykojnë dhe arsyetojnë vetëm ekonomikisht dhe jo politikisht e shqiptarisht, ne do t'i drejtohemi popullit shqiptar për të mbrojtur lirinë e tij", tha Meta. Kreu i LSI-së e cilësoi të pamundur bashkëpunimin me PS për shkak se lidershipi i saj është bërë pjesë e puçit antikushtetues. "Ne kemi kohë që kemi ftuar lidershipin aktual të Partisë Socialiste për të reflektuar, për të mos tradhtuar vetë historinë e asaj partie, në mbrojtje të demokracisë dhe vetë veprën më të rëndësishme të asaj partie, që është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e bërë në vitin 1998. Por ju e dini se, ata kanë refuzuar në mënyrë të vendosur që të reflektojnë, duke vërtetuar për fat të keq se janë të lidhur dhe të kapur pazgjidhshmërisht me kryeministrin puçist Sali Berisha", tha Meta. Kryetari i LSI-së përshëndeti dje qëndrimin e socialistëve evropianë, të cilët sipas Metës: "Kanë qenë të vendosur për të përkrahur popullin shqiptar, në momentet më të vështira, ku është vënë në pikëpyetje liria dhe demokracia e popullit tonë". "Kështu që, nuk mund të ndodhë ndryshe, që socialistët evropianë për interesa të vogla të shesin principet e tyre, sikurse kanë bërë disa të ashtuquajtur socialistë shqiptarë", tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›